Protesta qytetare vijon prej 99 ditësh, ndërsa aktivistët paralajmërojnë një tjetër fazë të përshkallëzimit gjatë muajit shtator.
Në fjalën e tij, një prej aktivistëve bëri thirrje për pjesëmarrje masive në tre data të veçanta: 10, 17 dhe 24 shtator. Sipas tij, këto ditë janë zgjedhur pasi përkojnë me seancat plenare të Kuvendit.
Ai kërkoi që qytetarët të mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas të marshojnë drejt Parlamentit, duke paralajmëruar se protestat mund të marrin forma të mosbindjes civile.
Aktivisti tha se zhvillimi i tubimeve do të përcaktojë edhe hapat e mëtejshëm, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e bllokimit të akseve kryesore të kryeqytetit.
Sipas tij, synimi është që përmes një pjesëmarrjeje më të gjerë qytetarët të ushtrojnë presion ndaj institucioneve dhe të bëjnë të dëgjohen kërkesat e tyre.
“Ne kemi 99 ditë që protestojmë dhe nuk kemi ndërmend të tërhiqemi. Nuk mundet që 140 njerëz të vendosin për fatin e miliona shqiptarëve”, deklaroi aktivisti.
Në përfundim, ai paralajmëroi se protestuesit do të intensifikojnë aksionin gjatë shtatorit, duke e cilësuar këtë muaj si vendimtar për përballjen e tyre me qeverinë.
“Do të japim maksimumin tonë që ky shtator të jetë shtatori i fundit për këtë qeveri”, u shpreh ai.













