Kërcënim për jetën, evakuohet urgjentisht djali i Netanyahut nga SHBA-ja dhe kthehet në Izrael

30 Gusht 2026 | 20:40

Djali i madh i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Yair Netanyahu, është kthyer urgjentisht në Izrael nga Shtetet e Bashkuara, pasi autoritetet izraelite kanë identifikuar një kërcënim serioz ndaj jetës së tij.

Shin Bet, shërbimi i inteligjencës së brendshme të Izraelit, konfirmoi të shtunën në mbrëmje se kishte marrë informacion për një kërcënim të rëndësishëm ndaj Yair Netanyahut. Pas një vlerësimi të situatës, autoritetet vendosën ta evakuonin menjëherë atë, së bashku me ekipin e tij të sigurisë, dhe ta rikthenin në Izrael.

Shin Bet nuk bëri të ditur burimin e kërcënimit apo detaje të tjera mbi natyrën e tij. Megjithatë, transmetuesi amerikan Newsmax raportoi më herët gjatë javës se Yair Netanyahu dyshohej se ishte bërë objektiv i një komploti për vrasje nga Irani në dhjetor të vitit të kaluar, kur ai jetonte në Florida.

Sipas Newsmax, inteligjenca izraelite kishte informuar autoritetet amerikane pasi kishte marrë dijeni për komplotin e dyshuar. Raporti, duke cituar një zyrtar amerikan të zbatimit të ligjit, pretendon se autoritetet në SHBA ishin paralajmëruar për rrezikun e mundshëm ndaj djalit të kryeministrit izraelit.

Zhvillimi vjen pak kohë pasi Benjamin Netanyahu deklaroi në një intervistë për Kanalin 14 se Irani kishte shënjestruar një prej djemve të tij. “Irani shënjestroi një nga djemtë e mi. Irani u përpoq të vriste një nga djemtë e mi”, citohet të ketë thënë kryeministri izraelit.

Yair Netanyahu, i cili prej kohësh shoqërohet nga një ekip sigurie izraelite, raportohet se është urdhëruar të largohej menjëherë nga Florida. Sipas Newsmax, ai u largua pa marrë me vete sendet personale dhe u kthye direkt në Izrael nën masa të shtuara sigurie.
Djali i madh i kryeministrit izraelit ka jetuar prej disa vitesh në Florida.

 Qëndrimi i tij në Shtetet e Bashkuara, së bashku me stilin e jetesës dhe sigurinë e financuar nga shteti, ka qenë vazhdimisht objekt debatesh dhe kritikash në Izrael, veçanërisht pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023.

Qindra mijëra rezervistë izraelitë janë mobilizuar që prej nisjes së luftës, ndërsa vendimi i Yair Netanyahut për të qëndruar jashtë vendit ka nxitur kritika nga një pjesë e opinionit publik, i cili e ka konsideruar këtë si një standard të dyfishtë.

Yair Netanyahu është gjithashtu aktiv në rrjetet sociale, ku komenton shpesh zhvillimet politike në Izrael dhe sulmon kundërshtarët politikë të babait të tij, kritikët e qeverisë dhe gazetarët.

Për momentin, autoritetet izraelite nuk kanë bërë të ditur nëse kërcënimi lidhet drejtpërdrejt me Iranin apo me ndonjë grup tjetër. Hetimet dhe vlerësimi i rrezikut ndaj tij vijojnë, ndërsa kthimi urgjent në Izrael ka ngritur pikëpyetje të reja mbi nivelin e kërcënimit ndaj familjes së kryeministrit izraelit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Netanyahu kërcënon Iranin: Do të marrë një goditje që as nuk e imagjinon

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me një sulm të fuqishëm nëse ndërmerr ndonjë sulm të ri ndaj Izraelit, ndërsa...
20:33 | 06/09/2026

“Shpresa për paqe”, Witkoff pas takimit në Kiev: Pati bisedime shumë të rëndësishme

I dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, i ka cilësuar shumë të rëndësishme bisedimet e zhvilluara në Kiev me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke shprehur shpresën...
20:13 | 06/09/2026

Shpërthimi vullkanik bllokon mbi 150 mijë pasagjerë në Indonezi, kërkohet devijimi i fluturimeve

Më shumë se 150 mijë pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në Indonezi, pasi një shpërthim vullkanik detyroi autoritetet të pezullojnë përkohësisht operacionet në tetë aeroporte....
18:00 | 06/09/2026