POLITIKOFF

4 faktorë që mund të përshpejtojnë plakjen

Orët inteligjente dhe pajisjet që monitorojnë hapat, gjumin apo rrahjet e zemrës janë bërë pjesë e përditshmërisë për shumë njerëz që synojnë të kujdesen më mirë për shëndetin. Megjithatë, ekspertët theksojnë se për një plakje të shëndetshme, bazat e stilit të jetesës mbeten shumë më të rëndësishme sesa teknologjia apo metodat e sofistikuara të “optimizimit” të organizmit.

Në një anketë vjetore ku morën pjesë 63 profesionistë të shëndetit, përfshirë mjekë, dietologë, shkencëtarë dhe specialistë të aktivitetit fizik, tre faktorët kryesorë të lidhur me plakjen e shëndetshme rezultuan të ishin aktiviteti fizik, ushqyerja e ekuilibruar dhe gjumi cilësor.

Por ekspertët veçuan edhe disa elementë më pak të dukshëm, të cilët mund të ndikojnë ndjeshëm në mënyrën se si plaket organizmi.

Izolimi shoqëror

Mungesa e kontakteve të rregullta dhe marrëdhënieve kuptimplotë me njerëzit konsiderohet një faktor i rëndësishëm, por shpesh i neglizhuar. Izolimi mund të ndikojë në shëndetin mendor, të rrisë stresin, të prishë gjumin dhe të dobësojë ndjenjën e qëllimit dhe përmbushjes.

Nga ana tjetër, angazhimi social dhe aktivitetet që stimulojnë trurin janë lidhur me ruajtjen më të mirë të funksioneve njohëse në moshë të madhe.

Çrregullimet e ritmit të gjumit

Nuk është vetëm numri i orëve të gjumit që ka rëndësi. Edhe qëndrueshmëria e orarit të fjetjes dhe zgjimit luan rol në shëndet.

Me kalimin e viteve, ndryshimet në prodhimin e melatoninës mund ta bëjnë më të vështirë ruajtjen e një ritmi të rregullt. Aktiviteti fizik, shmangia e vakteve të rënda para gjumit dhe përdorimi i medikamenteve vetëm sipas udhëzimit të mjekut mund të ndihmojnë në ruajtjen e një rutine më të shëndetshme.

Stresi kronik

Edhe stresi i përditshëm, kur përsëritet vazhdimisht, mund të ketë pasoja në organizëm. Ekspozimi afatgjatë ndaj stresit është lidhur me procese që ndikojnë në plakjen biologjike, përfshirë inflamacionin kronik dhe dëmtimin qelizor.

Për këtë arsye, ekspertët këshillojnë që të identifikohen burimet e vazhdueshme të stresit dhe të gjenden mënyra për t'i kufizuar ato në përditshmëri.

Ekspozimi ndaj toksinave në mjedis

Një tjetër faktor që po merr gjithnjë e më shumë vëmendje është ekspozimi ndaj substancave të pranishme në mjedis, përfshirë mikroplastikat dhe disa kimikate që mund të ndikojnë në sistemin hormonal.

Megjithëse shmangia e tyre është pothuajse e pamundur, ekspozimi mund të reduktohet. Një nga rekomandimet praktike është shmangia e ngrohjes së ushqimit në enë plastike dhe përdorimi, kur është e mundur, i enëve prej qelqi ose çeliku.

Ekspertët theksojnë gjithashtu se suplementet ushqimore nuk renditen ndër tre shtyllat kryesore të plakjes së shëndetshme. Në fokus mbeten aktiviteti fizik, ushqyerja e mirë dhe gjumi.

Për gratë, vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet periudhës para dhe gjatë menopauzës, kur mund të ketë humbje të masës muskulore dhe dendësisë së kockave. Ekspertët rekomandojnë diskutimin me mjekun për shëndetin e kockave, forcën muskulore, tensionin e gjakut dhe simptomat e menopauzës.

Të fundit