Deputeti Erion Braçe gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka kërkuar që të pranishëm në seancë të jenë edhe ministrat, që deputetet të kenë mundësi të shprehin shqetësimet e qytetarëve.
Braçe u shpreh se pas një javë takimesh me qytetarët, deputetët kthehen në Kuvend me problematika, por shpesh nuk gjejnë ministrat. Ai theksoi se vetë personalisht ka kohë që kërkon Ministrin e Bujqësisë, por nuk e gjen.
Gjatë fjalës së tij, ai shprehu shqetësimin për tregëtimin e një fertilizanti ure, e cila përmban përmban përqindje azoti më të ulët nga ajo e deklaruar në etiketë.
“Të gjithë deputetët që kanë kaluar një javë të gjelbërt. E mira do të ishte që këto shqetësime të shpreheshin në prani të ministrave, sepse mua më duket sikur po flas me veten. Për shembull, unë e kërkoj shpesh Ministrin e Bujqësisë, por nuk e gjej. Mundohem ta vë në dijeni, jo vetëm unë, por edhe të tjerë, por përsëri nuk e gjej.
Të hënën e kaluar, por edhe gjatë gjithë javës, shumë bujq dhe unë personalisht, me shkresë zyrtare nga Kuvendi, drejtuar Inspektorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të AKU-së, kemi sjellë në vëmendje faktin se që nga muaji shkurt në treg po shitet ure me përqindje azoti shumë më të ulët se ajo që lejohet apo që deklarohet në etiketën e ambalazhit të produktit.
Në emër të një kompanie ka pasur ankesa të vazhdueshme nga ana e bujqve për këtë përbërje të ures dhe mungesën e efektivitetit të këtij fertilizanti te bimët. Janë marrë mostra, janë dërguar në laboratorin shtetëror dhe janë kryer analizat përkatëse. Përgjigjja është kthyer pikërisht për këtë çështje dhe në fund, është konkluduar se po. Unë ende nuk kam marrë një përgjigje dhe nuk kam parë asnjë lloj reagimi nga Ministria e Bujqësisë. Qoftë edhe gjëja më normale në botë do të ishte që drejtuesit e AKU-së të dilnin dhe t’u bënin me dije bujqve që të paktën të mos vazhdonin ta blinin më këtë produkt," Erion Braçe.
