Roger Waters feston 83-vjetorin, nga Pink Floyd te karriera solo
6 September, 2026 - 21:25
Roger Waters, bashkëthemeluesi dhe ish-basisti i grupit legjendar Pink Floyd, feston sot, më 6 shtator, 83-vjetorin e lindjes.
Waters lindi më 6 shtator 1943 në Great Bookham, Surrey, Angli. Ai u bë pjesë themeluese e Pink Floyd në vitin 1965 dhe, pas largimit të Syd Barrett në vitin 1968, mori një rol gjithnjë e më të rëndësishëm si tekstshkrues, vokalist dhe drejtues konceptual i grupit.
Nën drejtimin e tij, Pink Floyd publikoi disa prej albumeve më të rëndësishme të historisë së rock-ut, mes tyre The Dark Side of the Moon, Wish You Were Here, Animals, The Wall dhe The Final Cut.
Waters u largua nga grupi në vitin 1985 pas mosmarrëveshjeve krijuese dhe më pas vijoi një karrierë të suksesshme solo. Ndër projektet e tij më të njohura është koncerti monumental The Wall – Live in Berlin, i zhvilluar në vitin 1990.
Pavarësisht largimit, Waters u ribashkua me anëtarët e Pink Floyd në vitin 2005 për koncertin global Live 8, një nga paraqitjet e rralla të grupit me të pas largimit të tij.
Përveç muzikës, Waters është i njohur edhe për qëndrimet e tij të forta politike dhe aktivizmin ndërkombëtar. Ai ka mbështetur publikisht kauza të ndryshme politike dhe ka qenë në qendër të debateve dhe polemikave për deklaratat e tij mbi luftën, Rusinë, Ukrainën dhe konfliktin izraelito-palestinez.
Me një karrierë që shtrihet në më shumë se gjashtë dekada, Roger Waters mbetet një prej figurave më të rëndësishme dhe më të debatueshme të historisë së rock-ut./KultPlus.com


