“Revoluvcioni Flamingo” shënon ditën e nesërme protestën e 100-të, që kur qytetarët zbritën në shesh. Tubimet që nisën si kundërshtim për projektin e planifikuar për tu ndërtuar në zonën e Zvërnecit dhe në ishullin e Sazanit, shumë shpejt u kthyen në protesta të mëdha, kundër qeverisë, kryeministrit Edi Rama por edhe të gjithë klasës politike.
Për të shënjuar ditën e 100, organizatorët kanë paralajmëruar një protestë mbarë-kombëtare dhe bëjnë thirrje për sa më shumë pjesëmarrje. Mbetet për tu parë nëse kjo protestë do të jetë paqësore si tubimet e tjera, apo do i ngjajë më shumë asaj të 1 shtatorit, ku pati tensione dhe përplasje me policinë. Organizatorët kanë njoftuar më herët se gjatë muajit shtator pritet përshkallëzim i aktivitetit.
Ndërkohë, është e sigurt se tensionet do të jenë të pranishëm në tubimin që pritet të zhvillohet në datë 8 shtator. Në ditën kur Kuvendi do t’i rikthehet aktivitetit normal pas pushimeve të verës, protestuesit kanë paralajmëruar përsëritje të skenarit të “vezëve dhe domateve”. Organizatorët kanë bërë thirrje që prej orës 17:00, godina e Kuvendit të rrethohet dhe ligjvënësit të mos lejohet të hyjnë brenda. Parlamenti pritet të jetë i rrethuar nga policia, ashtu si dhe në seancën e fundit të zhvilluar në muajin qershor.
“Nesër, në 100 ditët e protestës, i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen në shesh. Të bashkohen për t’i kërkuar dorëheqjen Edi Ramës dhe gjithë klasës politike. Dorëheqje! Dorëheqje! Dorëheqje! Dorëheqje!… Më datë 8, në orën 17:00, takohemi te Parlamenti për t’ju thënë se ‘nuk na përfaqësoni’. Parlament i krimit. Parlament i krimit. Parlament i krimit…”-, tha një prej aktivistëve sot.
Në rrjetet sociale Gent Progni, një nga organizatorët e protestës, ka bërë thirrje që pjesëmarrësit në tubim të marrin me vete flakadanë në këto dy ditë të rëndësishme, pasi po përgatisin një surprizë, siç e cilësoi ai, për politikanët.
Ora 19:00 ditën e nesërme dhe ora 17:00 më 8 shtator, pritet të shënjojnë një kthesë të rëndësishme në “Revolucionin Flamingo” që tashmë është tubimi më jetëgjatë kundër klasës politike në vend./ SHEKULLI
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/