Një incident i rëndë ka ndodhur para derbit të 180-të mes Crvena Zvezdës dhe Partizanit, në kuadër të javës së tetë të Superligës së Serbisë.
Para nisjes së ndeshjes, tifozët e Partizanit kanë nisur thirrjet në mbështetje të Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, i dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykatat ndërkombëtare në Hagë për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Situata ka marrë përmasa edhe më të rënda në stadiumin “Rajko Mitiq”, ku para fillimit të takimit është mbajtur një minutë heshtje në nderim të Mlladiqit, e shoqëruar edhe me koreografi në tribunat e stadiumit.
Ratko Mlladiq u shpall fajtor për përgjegjësinë e tij në disa prej krimeve më të rënda të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë gjenocidin e Srebrenicës, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.
Mlladiq u arrestua në vitin 2011 dhe në vitin 2017 u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Dënimi u la në fuqi në apel në vitin 2021.
Nderimi i një figure të dënuar për gjenocid dhe krime të rënda lufte ka shkaktuar reagime të ashpra, duke rikthyer në vëmendje edhe një herë nacionalizmin dhe tensionet që shpesh shoqërojnë derbin mes dy klubeve më të mëdha të futbollit serb.
🫡
— FK Crvena zvezda (@crvenazvezdafk) September 6, 2026
🔴⚪️ #fkcz pic.twitter.com/n0IwG1NDTu


