Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për një seri mesazhesh mashtruese që po qarkullojnë përmes SMS-ve dhe WhatsApp-it.
Sipas autoriteteve, mesazhet dërgohen nga numra të ndryshëm dhe autorët paraqiten në mënyrë të rreme si përfaqësues të bankave.
Qytetarëve u kërkohet të përditësojnë të dhënat bankare, të verifikojnë llogarinë ose të kryejnë veprime të tjera.
Në mesazhe përfshihet edhe një link, ku qytetarët nxiten të klikojnë për të kryer veprimin e kërkuar.
Policia paralajmëron se bëhet fjalë për skema mashtrimi të njohura si “phishing”.
Qëllimi është vjedhja e kredencialeve të e-banking, kodeve të verifikimit OTP dhe të dhënave të kartave bankare.
Këto informacione mund të përdoren më pas për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe shkaktimin e dëmeve financiare.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos klikojnë në linke të dyshimta të ardhura përmes mesazheve.
Gjithashtu, nuk duhet të ndajnë kurrë fjalëkalimet, PIN-in, kodet OTP apo të dhënat e kartës bankare.
Përpara hyrjes në shërbimet online të bankës, qytetarët duhet të kontrollojnë me kujdes adresën e faqes.
Policia thekson se bankat nuk kërkojnë të dhëna konfidenciale përmes linkeve të dyshimta.
Në rast paqartësie, qytetarët duhet të kontaktojnë bankën vetëm përmes numrave dhe kanaleve zyrtare.
Nëse dikush ka klikuar në një link të dyshimtë ose ka dhënë të dhënat bankare, duhet të kontaktojë menjëherë bankën.
Policia kërkon vigjilencë të shtuar dhe apelon: Mos klikoni, mos jepni të dhëna dhe verifikoni gjithmonë përmes kanaleve zyrtare.













