Mëngjesin e 4 shtatorit, në ditën e 97-të të protestave të përditshme, dhjetëra qytetarë u mblodhën para Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në pritje të vendimit për 14 protestuesit e arrestuar pas përplasjeve me policinë mbrëmjen e 1 shtatorit.
Për më shumë se pesë orë, qytetarët qëndruan jashtë ambienteve të gjykatës, teksa thërrisnin “Lironi çunat”, “Lironi gocat” dhe “Arrestoni Ramën, lironi qytetarët”. Paralelisht me thirrjet, brenda gjykatës vijonte shqyrtimi i kërkesave të palëve.
Prokuroria e Tiranës kërkoi lirimin e 14 protestuesve nga qelia, caktimin ndaj tyre të masës së sigurisë “detyrim për paraqitje”, si dhe ndalimin e qëndrimit të tyre për një kohë të gjatë para komisariateve nr. 1, 2 dhe 3 në kryeqytet. Kjo kërkesë u kundërshtua nga mbrojtja dhe, sipas qytetarëve të pranishëm, u cilësua si “absurde”.
Avokati Ndriçim Çupi, i cili përfaqësonte një prej të arrestuarve, shpjegoi se gjatë procesit prokuroria kishte ndryshuar edhe akuzat e referuara fillimisht.
“Paraprakisht kërkesa ka qenë për katër akuza, ndërkohë që prokuroria në gjykim ka ardhur me dy akuza, për pengim të qarkullimit të mjeteve dhe tubim i paligjshëm. Ndërkohë që nga ana e prokurorisë, në kërkesën e saj është kërkuar për të gjithë detyrim paraqitje dhe vlerësimin e ligjshëm të arrestit.”, u shpreh Çupi, duke shtuar se nga mbrojtja, avokatët dhe personat e ndaluar ishte kërkuar shpallja e paligjshme e arrestit, si dhe hetimi në gjendje të lirë.
Rreth orës 15:20, gjykata dha vendimin, duke shpallur të paligjshëm arrestimin e 14 protestuesve dhe duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tyre nga qelia, pa caktuar asnjë masë sigurie. Vendimi erdhi pas rreth 72 orësh qëndrimi në qeli.
Avokati mbrojtës i disa prej të arrestuarve, Genti Sejrani, e cilësoi vendimin si një moment të rëndësishëm, duke e lidhur atë me mënyrën se si autoritetet kishin vepruar ndaj protestuesve.
“Ne jemi në një moment historik. Ne kemi parë që pushteti ekzekutiv ka një represion ndaj protestuesve. Ne kemi parë që Policia e Shtetit ka një represion ndaj protestuesve. Sot ishte një shuplakë për Policinë e Shtetit që i tha: ato veprime që ju keni kryer, ato arrestime e ndalime 72-orëshe të këtyre individëve janë të paligjshme dhe nuk duhet të qëndrojnë më në ambientet e sigurisë”, u shpreh avokati Sejrani.
Protestuesit kanë kundërshtuar mënyrën e ndërhyrjes së policisë gjatë protestës së 1 shtatorit, duke pretenduar se ndaj tyre është përdorur forcë dhe se janë shoqëruar në komisariate, pavarësisht se, sipas tyre, nuk kishin kryer shkelje ligjore.
I nxitur edhe nga vendimi i gjykatës, Sejrani u bëri thirrje protestuesve të tjerë të mos kenë frikë të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar.
“Kjo do të thotë për shumë qytetarë që të mos kenë frikë të dalin të protestojnë, dhe kjo do të thotë shumë për pushtetin ekzekutiv, për qeverinë, për ata për të cilët qytetarët protestojnë, të mos vazhdojë të bëjë shurdhin ndaj kërkesës së qytetarëve”, përfundoi avokati.
Gjatë pritjes disaorëshe, protestuesit që kishin ardhur në mbështetje të të arrestuarve u shprehën se mbyllja e bashkëqytetarëve të tyre brenda katër mureve nuk i frikëson; përkundrazi, i forcon për të vijuar me kërkesat e tyre “kokëforta”.


Vjolanda Peca ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Prej disa vitesh është e angazhuar në gazetari, me fokus raportimin investigativ, verifikimin e fakteve dhe prodhimin multimedial. Është angazhuar në disa media televizive dhe online, ku ka raportuar mbi çështje të krimit të organizuar, korrupsionit, transparencës publike, të drejtave të njeriut, çështjeve sociale dhe fenomeneve që prekin grupet e margjinalizuara.









