Grupimi Qytetar kundër Projektit “TID Durrës”, i kërkoi institucioneve përgjegjëse , përmes një letre të datës 28 gusht, pezullimin e projektit, pas shfuqizimit të vendimit që kishte shpallur Zonën e Re për Zhvillim në Durrës.
Kërkesa u bë publike më 1 shtator. Ata kërkojnë që deri në sqarimin e situatës së re juridike dhe urbanistike, të mos vijojnë veprimet që prekin pronat dhe banesat e përfshira në projekt.
Kërkesa vjen një muaj pasi, më 30 korrik 2026, qeveria shfuqizoi, me Vendimin nr. 621, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 171/2026, VKM-në nr. 442 të vitit 2020, me të cilën një pjesë e Durrësit ishte shpallur “zonë e re për zhvillim” dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit ishte caktuar si njësi zbatuese. Vendimi i ri, i propozuar nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë mbi bazën e kuadrit ligjor për përballimin e pasojave të tërmetit, hyri në fuqi menjëherë.
Për Zonën e Re për Zhvillim ishte hartuar edhe një Plan i Detyruar Vendor. Harta e përdorimit të tokës dhe projektimit urban, pjesë e këtij plani, paraqet territorin e përfshirë dhe mënyrën e planifikimit të tij.
Sipas arkitektes Entela Spahivogli, pjesë e grupimit qytetar kundër TID Durrës, krahasimi mes kësaj harte dhe planimetrisë së ndërhyrjeve prishese të projektit TID Durrës tregon se një pjesë e pronave të prekura nga TID-i ndodhen në territorin ku dy zonat mbivendosen. Nga 74 prona/ndërtesa dhe troje të parashikuara për shpronësim në kuadër të projektit, rreth 20 ndodhen në zonën e mbivendosur, sipas përllogaritjes së saj.
Spahivogli sqaron se Plani i Detyruar Vendor dhe TID Durrës janë dy instrumente të ndryshme dhe se shfuqizimi i njërit nuk sjell automatikisht anulimin e tjetrit. Por, sipas saj, ndryshimi i statusit të territorit ku ato ndërthuren nuk mund të jetë pa pasoja për zbatimin e projektit.
“Shfuqizimi nuk mund të jetë pa efekt mbi projektin TID Durrës”, thotë Spahivogli. Sipas saj, situata e re kërkon të sqarohet nëse projekti do të rishikohet, rikonfigurohet apo përshtatet, veçanërisht për pronat që ndodhen në zonën e mbivendosur.
Banorët që kundërshtojnë projektin vijojnë të kërkojnë shfuqizimin e akteve që e mbajnë atë në fuqi dhe anulimin e TID Durrës. Në kërkesën e tyre, ata i drejtohen institucioneve edhe për rishqyrtimin e Vendimit nr. 461, datë 16.9.2022, të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, si dhe për një proces të ri e transparent konsultimi publik me pronarët dhe banorët e prekur.
Kërkesa u shkon për dijeni edhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Ministrisë së Ekonomisë, Avokatit të Popullit, si dhe gjyqtares që po shqyrton çështjen administrative të hapur nga banorët kundër projektit, çështje për të cilën citizens.al ka shkruar më parë.
Bashkia: TID po rishikohet, shqyrtohet një plan i ri
Vetë vendimi i qeverisë që shfuqizoi zonën e re për zhvillim nuk e përmend TID Durrës dhe nuk përcakton se çfarë ndodh me lejet e dhëna më parë.
Në përgjigje të një kërkese për informacion mbi ndikimin e shfuqizimit në TID, Bashkia Durrës konfirmoi se pas shfuqizimit të Planit të Detyruar Vendor po shqyrton një mënyrë të re planifikimi.
“Pas shfuqizimit të Planit të Detyruar Vendor, Bashkia Durrës po vlerëson mundësinë për vijimin e procedurave për hartimin dhe miratimin e një Plani të Detajuar Vendor (Plan Pikësor)”, thuhet në përgjigjen e institucionit , pra jo për ringjalljen e të njëjtit plan, por për një instrument tjetër planifikimi nga ai i shfuqizuari.
TID Durrës ka një leje zhvillimi të miratuar që prej 2 prillit 2024 për “Restaurimin dhe rikualifikimin urban të zonës perspektive TID të gjendur në parkun arkeologjik të Durrësit”, me zhvillues Bashkinë Durrës.
Por Bashkia konfirmon gjithashtu se projekti aktualisht është në proces rishikimi dhe vlerësimi. Sipas saj, është ngritur një grup ndërinstitucional që po verifikon nëse brenda zonës së ndërhyrjes ndodhen monumente kulture apo pasuri të tjera me status mbrojtjeje. Institucioni thotë se janë zhvilluar edhe takime në nivel institucional, përfshirë takime me Kryeministrin, dhe se janë marrë në konsideratë shqetësimet e qytetarëve.
Megjithatë, Bashkia nuk i është përgjigjur drejtpërdrejt pyetjes nëse territori i përfshirë në vendimin e shfuqizuar është pjesë e TID Durrës dhe çfarë efekti ka shfuqizimi mbi lejen e zhvillimit të vitit 2024.
Ndërsa TID-i po rishikohet dhe Bashkia po shqyrton një plan të ri për zonën, për banorët mbetet e hapur edhe çështja më konkrete: çfarë do të ndodhë me pronat e parashikuara për shpronësim dhe me projektin në tërësi në kushtet e reja të planifikimit?
Lexo më shumë:


Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.








