Prej 32 ditësh, banorët e Divjakës vijojnë protestën kundër propozimit për riorganizimin e hartës territoriale të Shqipërisë, që parashikon shkrirjen e Bashkisë Divjakë me atë të Lushnjës. Ata kërkojnë që Divjaka të vijojë të jetë njësi administrative më vete, ndërsa paralelisht me protestën vijon edhe mbledhja e firmave për një peticion që pritet t’u dërgohet institucioneve shtetërore.
Në Divjakë, kundërshtimi është shoqëruar me protesta të përditshme dhe me mbledhjen e firmave për të kundërshtuar shkrirjen e bashkisë. Protesta tashmë ka hyrë në muajin e dytë, ndërsa banorët thonë se nuk do të tërhiqen deri në momentin që kërkesa e tyre të merret parasysh.
“Kërkesa e qytetarëve është një dhe vetëm një: që Divjaka të qëndrojë bashki, siç është dhe siç e meriton të jetë”, thotë Eriseld Lala, një prej banorëve që proteston çdo ditë.
Një prej shqetësimeve kryesore të banorëve lidhet me aksesin në shërbimet publike. Sipas tyre, bashkimi me Lushnjën do të nënkuptonte që një pjesë e shërbimeve të mos jenë më pranë qytetarëve të Divjakës.
“Shërbimet kryesore që sot ofrohen në zemër të qytetit do të largohen mbi 30 kilometra larg, distanca Divjakë-Lushnjë”, shprehet Lala i cili shton se banorët janë mësuar me një akses të drejtpërdrejtë te administrata vendore, duke përmendur dokumentacionin e pronës, pagesat e taksave, dokumentet e pensioneve, letrat për studime apo lejet për ndërhyrje në banesa.
Sipas tij, shqetësimi nuk lidhet vetëm me distancën fizike, por edhe me mënyrën se si do të administrohet territori pas një bashkimi të mundshëm.
“Mendoj që ndryshimet do të jenë radikale”, thotë ai, duke shtuar se banorët druhen për një ulje të shërbimeve në pastrimin, infrastrukturën bujqësore, vaditjen dhe kullimin. Në argumentet e tyre, banorët ngrenë edhe çështjen e sektorëve që lidhen drejtpërdrejt me ekonominë lokale, si bujqësia dhe turizmi.
Divjaka është pjesë e një zone me potencial të rëndësishëm natyror dhe turistik, veçanërisht për shkak të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. Për protestuesit, ruajtja e një administrimi lokal lidhet edhe me mundësinë për të orientuar më mirë investimet dhe zhvillimin e zonës.
“Të arrish të zhbësh këtë ecuri mbresëlënëse dhe të zhdukësh një bashki si Divjaka do të thotë të shkosh me dhjetëra vite pas”, thotw Lala.
“Protesta vijon por banorëve u ushtrohet presion”
Muaji i protestave ka qenë i vështirë edhe për shkak të temperaturave të larta dhe periudhës së punëve bujqësore. Por, pavarësisht kushteve, protestuesit thonë se solidariteti dhe organizimi i kanë mbajtur të bashkuar.
Gjatë muajit gusht, protesta ka pasur edhe mbështetjen e emigrantëve të Divjakës, ndërsa tashmë një pjesë e tyre janë larguar nga vendi.
Eriseld Lala pretendon se edhe bizneset lokale kanë qenë fillimisht mbështetëse të protestës, por më pas janë tërhequr për shkak të asaj që ai e cilëson si presion shtetëror.
“Filluan kontrollet tatimore duke vënë gjoba, edhe të padrejta, sidomos personave që guxonin të merrnin fjalën për të shprehur mendimin e tyre si qytetarë të lirë”, shprehet ai.
Banorët presin që gjatë muajit shtator të zhvillohen dëgjesa publike dhe këmbëngulin që kërkesat e tyre të merren në konsideratë përpara se reforma të marrë formë përfundimtare.
Nga Përrenjasi në Patos, 12 bashki janë përfshirë në protestat kundër reformës territoriale, duke kundërshtuar shkrirjen dhe bashkimin e tyre me bashki të tjera. Divjaka veçohet për kohëzgjatjen e protestës, pasi rezulton se banorët kanë protestuar çdo ditë për më shumë se një muaj, duke kërkuar që bashkia të vijojë të jetë njësi më vete.
Propozimi për një hartë të re territoriale vjen rreth një dekadë pas reformës së vitit 2014, e cila reduktoi numrin e njësive vendore nga më shumë se 300 komuna dhe bashki në 61 bashki.
Sipas draftit të propozuar, 15 bashki do të shkrihen me bashki të tjera. Mes tyre është edhe Divjaka, e cila parashikohet të bashkohet me Lushnjën.
Projekt-propozimi përfshin gjithashtu Fushë-Arrëzin me Pukën, Klosin me Matin, Rrogozhinën me Kavajën, Dimalin dhe Poliçanin me Beratin, Patosin me Fierin, Selenicën me Vlorën, Maliqin me Korçën, Këlcyrën me Përmetin, Memaliajn me Tepelenën, Libohovën me Gjirokastrën, Cërrikun dhe Belshin me Elbasanin, si dhe Përrenjasin me Librazhdin.
Lexo edhe: Reforma territoriale: “Një hartë e re nuk zgjidh problemet e vjetra”


Vjolanda Peca ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Prej disa vitesh është e angazhuar në gazetari, me fokus raportimin investigativ, verifikimin e fakteve dhe prodhimin multimedial. Është angazhuar në disa media televizive dhe online, ku ka raportuar mbi çështje të krimit të organizuar, korrupsionit, transparencës publike, të drejtave të njeriut, çështjeve sociale dhe fenomeneve që prekin grupet e margjinalizuara.








