Akademikë, artistë, eurodeputetë, gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar zyrtarisht Komisionit Evropian, duke kërkuar një qëndrim të qartë mbi ligjin për zonat e mbrojtura dhe zbatimin e rezolutës së Parlamentit Evropian për Shqipërinë.
Letra i është dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Komisionit Evropian, Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, dhe Komisioneres për Mjedisin, Jessika Roswall.
Nismëtarët argumentojnë se ndryshimet e miratuara përmes ligjit nr. 21/2024 “Për zonat e mbrojtura” janë cilësuar më herët nga Komisioni Evropian si një zhvillim negativ në kuadër të Kapitullit 27 të negociatave. Ndërkohë, rezoluta e Parlamentit Evropian e 17 qershorit i kërkon Shqipërisë të vendosë një moratorium për lejet e reja të ndërtimit dhe ndërhyrjet në zonat e mbrojtura, deri në shfuqizimin e dispozitave që bien ndesh me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Në letër theksohet se, ndërsa Komisioni Evropian po përgatit Raportin e Progresit për vitin 2026, procedurat për dhënien e lejeve dhe zhvillimet në zonat e mbrojtura mund të vazhdojnë sipas legjislacionit aktual. Për këtë arsye, kërkohet një qëndrim i qartë institucional.
“Kërkesa jonë synon të marrë sqarime mbi mekanizmat institucionalë të parashikuar në kuadrin aktual të procesit të zgjerimit. Ajo nuk duhet të interpretohet si një kërkesë që Komisioni të paragjykojë ndonjë vlerësim të ardhshëm, por si një kërkesë për të kuptuar më mirë se si parimet ekzistuese të kushtëzimit, transparencës dhe anëtarësimit të bazuar në meritë synohet të zbatohen në rrethanat aktuale”, thuhet në kërkesën e firmosur nga më shumë se 50 persona.
Nënshkruesit kërkojnë nga Komisioni Evropian sqarime për katër çështje kryesore.
Së pari, ata pyesin nëse Komisioni do t’i kërkojë qeverisë shqiptare të paraqesë një plan konkret legjislativ, me afate të përcaktuara, për harmonizimin e ligjit nr. 21/2024 me legjislacionin evropian dhe brenda çfarë afati pritet të përmbushet ky detyrim.
Së dyti, kërkohet të dihet nëse, në rast se ligji mbetet i pandryshuar deri në publikimin e Raportit të Progresit 2026, Komisioni do të shqyrtojë aktivizimin e mekanizmave korrigjues të metodologjisë së re të zgjerimit. Këtu përfshihet edhe parimi i kthyeshmërisë, i cili parashikon mundësinë e regresit në procesin e integrimit kur mungojnë reformat ose evidentohen hapa pas.
Pyetja e tretë lidhet me mënyrën se si Komisioni synon të ndjekë rekomandimet e rezolutës së Parlamentit Evropian të 17 qershorit 2026, veçanërisht kërkesën për vendosjen e një moratoriumi mbi ndërtimet në zonat e mbrojtura.
Së katërti, nënshkruesit kërkojnë të dinë nëse Komisioni do ta shprehë qëndrimin e tij vetëm përmes Raportit të Progresit apo nëse planifikon një komunikim zyrtar përpara publikimit të tij.
Sipas autorëve të letrës, këto pyetje marrin rëndësi të veçantë pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në konferencën për shtyp të 14 korrikut. Rama u shpreh se “ligji nuk ka asgjë për t’u shfuqizuar”, por njëkohësisht deklaroi se legjislacioni do të trajtohet “në përputhje me të gjitha standardet evropiane”.
Nismëtarët e konsiderojnë të nevojshme që Komisioni Evropian të sqarojë publikisht se si do të monitorojë zbatimin e rekomandimeve të tij dhe të Parlamentit Evropian, në një kohë kur Shqipëria vijon negociatat për anëtarësim.
Komisioni i përgjigjet një tjetër nisme të diasporës akademike
Paralelisht me këtë zhvillim, përfaqësues të diasporës akademike shqiptare kanë bërë të ditur se Komisioni Evropian i është përgjigjur një letre të mëparshme të 125 akademikëve dhe studiuesve të diasporës, lidhur me arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe inovacionin në Shqipëri.
Në letrën drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, diaspora akademike shprehte mbështetjen për kërkesat e qytetarëve gjatë protestave paqësore. Në të ngriheshin gjithashtu shqetësime për ndikimin politik në vendimmarrjen e institucioneve të arsimit të lartë, mungesën e vullnetit politik për zhvillimin e dijes dhe kërkimit shkencor, si dhe mungesën e koordinimit strategjik ndërmjet politikave për arsimin, kërkimin dhe inovacionin.
Mes të tjerash, diaspora akademike i kërkonte Bashkimit Evropian të vijonte monitorimin e reformave në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe inovacionin; të mbështeste forcimin e autonomisë universitare; si dhe të nxiste hartimin dhe zbatimin e politikave për qarkullimin dhe kthimin e kapitalit njerëzor.
Në letër kërkohej gjithashtu një angazhim më sistematik i diasporës shkencore shqiptare në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe inovacionin.
Përgjigjja, e bërë publike nga Taulant Muka, tregon se Komisioni ka marrë në shqyrtim shqetësimet dhe rekomandimet e ngritura nga studiuesit, akademikët dhe profesionistët shqiptarë të diasporës.
Në përgjigjen e Komisionit theksohet se mbyllja e Kapitujve 25, “Shkenca dhe kërkimi”, dhe 26, “Arsimi dhe kultura”, përbën një arritje të rëndësishme në procesin e negociatave, por nuk nënkupton përfundimin e reformave.
“Ndërsa ky është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, Komisioni Evropian do të vazhdojë të angazhohet ngushtë me Shqipërinë, në përputhje me angazhimin e tij afatgjatë për të mbështetur axhendën e reformave dhe rrugën e integrimit evropian”, thuhet në përgjigje.
Sipas Komisionit, mbështetja do të vijojë veçanërisht në forcimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor, inovacionit dhe kapitalit njerëzor, të cilat konsiderohen prioritete kombëtare dhe pjesë integrale e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në letër theksohet gjithashtu se Komisioni do të vazhdojë të inkurajojë investime më të mëdha në kërkim, inovacion dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, në përputhje me standardet, prioritetet dhe instrumentet e Bashkimit Evropian.
Një tjetër element i evidentuar në përgjigje është vlerësimi për vizionin e paraqitur nga diaspora akademike, e cila kishte kërkuar një qasje afatgjatë që vendos dijen, meritën dhe kapitalin njerëzor në qendër të zhvillimit demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë.min e arsimit të lartë, kërkimit shkencor, inovacionit dhe kapitalit njerëzor, të cilat konsiderohen prioritete kombëtare dhe pjesë integrale e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në letër theksohet gjithashtu se Komisioni do të vijojë të inkurajojë investime më të mëdha në kërkim, inovacion dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, në përputhje me standardet, prioritetet dhe instrumentet e Bashkimit Europian.


Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).








