Nga festivali “Bread & Heart” te lejet e ndërtimit në Zvërnec, kërkesat për dokumente publike humbasin mes delegimeve, heshtjes institucionale dhe ankesave administrative.
Përveç tingujve të Vendim Kapajt, të përfshirë në kolonën zanore të filmit “The Odyssey” të Christopher Nolan, Shqipëria ka edhe një lidhje tjetër me Odisenë: ecejaket e pafundme të gazetarëve dhe qytetarëve për të marrë informacion publik.
Një udhëtim që, ndryshe nga filmi i Nolanit, nuk të çon gjithmonë në destinacion. Kërkimi i një dokumenti publik kalon nga një institucion te tjetri ku delegohen kompetenca, nisin ankesa administrative por rezultati mbetet një ecejake pa fund.
Në teori, Shqipëria ka një nga instrumentet më të rëndësishme për kontrollin demokratik të institucioneve: ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë informacion nga autoritetet publike, ndërsa institucionet kanë detyrimin t’u përgjigjen kërkesave sipas afateve dhe procedurave ligjore.
Megjithatë, në praktikë, rruga drejt informacionit dhe dokumenteve publike kalon shpesh përmes një labirinti administrativ ku procedura zëvendëson vetë informacionin.
Gjatë muajve të fundit, Citizens.al ka paraqitur një seri kërkesash për informacion pranë institucioneve të ndryshme shtetërore për çështje me interes të lartë publik si: projekte urbane, zhvillime territoriale, aktivitete të financuara ose të mbështetura nga qeveria dhe mënyrën e përdorimit të pasurive publike.
Në letër, procedura është e thjeshtë: kërkesa dërgohet online, përmes postës elektronike, dhe institucioni përgjigjet brenda afatit. Në praktikë, thuajse asnjë prej kërkesave tona nuk ka përfunduar pa vonesa, përgjigje të pjesshme, delegime kompetencash apo ankesa pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Rasti më i fundit, ai i festivalit ndërkombëtar të arkitekturës “Bread & Heart”, përmbledh mënyrën se si funksionon sot transparenca institucionale në Shqipëri.
Nga një institucion te tjetri
Më 14 maj 2026, Citizens.al kërkoi dokumentacion të detajuar mbi organizimin e festivalit “Bread & Heart”. Kërkesa nuk ishte spekulative dhe as e pazakontë. Ajo ishte e ngjashme me kërkesat e paraqitura gjatë verës së vitit 2025 për edicionin e parë të festivalit.
Citizens.al kërkoi kontratat dhe marrëveshjet e bashkëpunimit, memorandumet, sponsorizimet, financimet, procedurat e përzgjedhjes, dokumentacionin mbi përdorimin e hapësirave publike, listën e partnerëve privatë, fondet publike të përdorura dhe aktet administrative që shoqëruan organizimin e aktivitetit.
Kërkesa iu drejtua njëkohësisht Kryeministrisë, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, AZHT, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, AKPT, si dhe organizatorëve të festivalit. Vetëm një ditë më pas, Kryeministria ia delegoi kërkesën AZHT-së.
AKPT-ja u përgjigj pjesërisht, duke deklaruar se kishte pasur “vetëm rol mbështetës”, dhe sugjeroi që informacioni të kërkohej nga AZHT-ja. Kjo e fundit nuk u përgjigj. Për shkak të mungesës së përgjigjeve dhe dokumenteve, Citizens.al iu drejtua Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Komisioneri e mbylli procedurën ndaj Kryeministrisë, me argumentin se institucioni kishte vepruar drejt duke e deleguar kërkesën, ndërsa vijoi procedurat ndaj AZHT-së dhe AKPT-së.
Rezultati praktik? Pas javësh procedurash administrative, Citizens.al vijon të mos ketë përgjigjet dhe dokumentet e kërkuara. Në fund të këtij procesi, institucionet nuk na thanë se dokumentet nuk ekzistonin. Thjesht nuk na i vunë në dispozicion.
Po dokumentet, kush i ka?
Kjo është pyetja që mbetet pa përgjigje në rastin e “Bread & Heart” dhe që përsëritet thuajse në çdo kërkesë të ngjashme.
Dy edicionet e festivalit nuk ishin aktivitete private. Në to morën pjesë kryeministri Edi Rama, drejtues institucionesh publike dhe arkitektë ndërkombëtarë. Një pjesë e aktiviteteve u zhvilluan në mjedise publike dhe shtetërore, si Qendra për Hapje dhe Dialog, COD, dhe vila qeveritare nr. 5, e njohur si “No. RED”.
Kur një institucion administron një pasuri publike dhe ajo përdoret për një aktivitet të mbështetur institucionalisht, është e vështirë të kuptohet se si i njëjti institucion mund të mos administrojë dokumentacionin që lidhet me përdorimin e saj.
Megjithatë, përgjigjja zyrtare që morëm nuk ishte se dokumentet nuk ekzistonin, por se kërkesa duhej të ndiqej pranë një institucioni tjetër.
Kjo është situata paradoksale ku përfundojmë shpesh si gazetarë: një institucion e delegon kërkesën, një tjetër nuk përgjigjet dhe një i tretë deklaron se nuk është kompetent.
Ndërkohë, informacioni mbetet i paarritshëm, askush nuk ofron dokumentet dhe, me kalimin e javëve ose muajve, çështja rrezikon të humbasë edhe vlerën e saj si lajm.
Në raste të tjera, institucionet përgjigjen se informacioni dhe dokumentet mund të gjenden “online, në faqen zyrtare”.
Kjo është përgjithësisht përgjigjja që kemi marrë nga AZHT-ja për leje të ndryshme ndërtimi, ndërkohë që faqja e institucionit përmban informacione të kufizuara, të cekëta ose të papërditësuara.
Për shembull, AZHT-ja nuk ka zbardhur ende lejen e ndërtimit për rrethimin dhe punimet përgatitore në funksion të ndërtimit të rrugëve të aksesit për projektin e shoqërisë “Zvërnec South Adriatic Development”.
Leja u miratua në mbledhjen e 29 prillit (Rendi Nr. 5) dhe është cituar gjerësisht edhe nga vetë kryeministri Rama. Megjithatë, dokumenti nuk është publikuar i plotë dhe nuk është vënë në dispozicion as pas kërkesave për informacion.
Në mënyrë të ngjashme, nuk publikohen as vendimet që pretendohet se kanë rrëzuar kërkesa të për leje ndërtimi.
Kur procedura bëhet më e rëndësishme se transparenca
Rasti i “Bread & Heart” nuk është i vetmi. Citizens.al ka kërkuar më herët informacion mbi fondacionin me të njëjtin emër, të zyrtarizuar më 12 tetor 2025.
Kemi kërkuar informacion dhe dokumente mbi marrëdhëniet institucionale të AZHT-së me fondacionin, organizimin e takimeve me arkitektë ndërkombëtarë dhe bazën ligjore të përfshirjes së institucioneve publike në këto aktivitete.
Edhe në këto raste, përgjigjet munguan. Përgjigjja që morëm në fund të janarit 2026 erdhi me vonesë, ishte e pjesshme, nuk përmbante dokumente shoqëruese dhe u sigurua vetëm pas ankimimeve administrative pranë Komisionerit.
Situata të ngjashme janë hasur edhe në kërkesat për informacion mbi projektin e Bibliotekës Kombëtare, dokumentacionin urbanistik për zhvillime të ndryshme në Tiranë, masterplanet dhe procedurat e ndjekura nga institucionet për vepra publike.
Në vend që procesi të çojë te dokumentet, ai shpesh shndërrohet në një seri procedurash shtesë, të lodhshme për një gazetar, një redaksi apo një media të vogël, e aq më tepër për një qytetar të zakonshëm.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit ka një rol kyç në këtë proces. Ligji e ka përcaktuar si autoritetin e pavarur që mbikëqyr zbatimin e së drejtës për informim, shqyrton ankesat dhe mund të ndërmarrë masa kur institucionet nuk i përmbushin detyrimet e tyre.
Megjithatë, në praktikën tonë, një pjesë e konsiderueshme e komunikimit administrativ me këtë institucion është përqendruar në verifikimin e procedurës, ndërsa shqyrtimi i thelbit të së drejtës për informim ka mbetur shpesh në plan të dytë.
Ankesat janë trajtuar veçmas për çdo institucion, me formularë të ndryshëm, saktësime për secilën pikë të kërkesës, verifikime kompetencash dhe dokumente shtesë.
Për çdo ankesë na është kërkuar gjithashtu kopje e dokumentit të identifikimit dhe autorizim nga media ku punojmë.
Edhe kur këto procedura janë të parashikuara ose të nevojshme administrativisht, përvoja si gazetar tregon se ato rrallë kanë përfunduar me marrjen e plotë të dokumenteve. Në shumicën e rasteve, procesi ka zgjatur me javë ose muaj. Kështu, ndërsa informacioni mbetet i paarritshëm, mekanizmi rrezikon të mos e përmbushë qëllimin për të cilin është krijuar.
Ky, në thelb, nuk është një debat mbi komoditetin e ne gazetarëve. Ne nuk e kërkojmë informacionin publik për interes personal, por për t’ja servirur publikut. Në kushtet kur qeveria refuzon të bëjë transparencë.
Ndaj, çdo vonesë ose pengesë nuk cenon vetëm punën tonë si gazetarë, apo si media ku punojmë, por edhe të drejtën e qytetarëve për të ditur se si administrohen fondet, pronat dhe vendimmarrja publike.
Në këtë kontekst, ligjet nuk maten nga mënyra se si janë shkruar, por nga mënyra se si zbatohen dhe se si funksionojnë.
Nëse një gazetar profesionist, që njeh praktikën, afatet dhe procedurat, detyrohet të kalojë nga një institucion te tjetri, të plotësojë ankesa të ndryshme, të presë javë të tëra dhe, në fund, të mos marrë dokumentet që kërkon, lind një pyetje shumë më e madhe se vetë rasti konkret.
Sa e vërtetë dhe e prekshme është e drejta për informim për qytetarin e zakonshëm? Sepse shumica e qytetarëve nuk kanë kohën, njohuritë apo burimet për të ndjekur një proces të tillë.
Nëse edhe për gazetarët transparenca bëhet një maratonë burokratike, atëherë problemi nuk është më një institucion i vetëm. Problemi është vetë funksionimi praktik i sistemit të transparencës.
Ligji nr. 119/2014 u miratua për t’i afruar gazetarët dhe qytetarët me informacionin publik, jo për t’i detyruar të kalojnë nga një zyrë në tjetrën duke kërkuar se kush i ka informacionet apo dokumentet rreth tyre.
Një demokraci nuk matet vetëm nga ekzistenca e ligjeve për transparencën, por nga aftësia e qytetarëve për ta marrë informacionin në kohë, pa pengesa të panevojshme dhe pa u përballur me një administratë që, edhe kur respekton procedurën, arrin të shmangë thelbin: informimin publik.
Odiseja shqiptare e informacionit publik nuk ka sirena, ciklopë apo dete të trazuar. Ka delegime, heshtje, formularë, ankesa dhe përgjigje të paplota.
Por destinacioni shpesh mbetet po aq i largët: dokumenti që duhet të ishte publik që në fillim.
Shënim: Në momentin e publikimit të këtij artikulli, Citizens.al vijon të presë përgjigje për kërkesat për informacion drejtuar AKPT-së dhe AZHT-së lidhur me festivalin “Bread & Heart”. Nëse dokumentacioni vihet në dispozicion, ky artikull dhe shkrimet e tjera që lidhen me çështjen do të përditësohen për të pasqyruar informacionin dhe qëndrimin e plotë të institucioneve.


Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej është mjeshtëruar (MSc) për “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke fituar përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.








