Më 14 korrik, pas konferencës së nëntë ndërqeveritare BE–Shqipëri, kryeministri Edi Rama njoftoi edhe një herë shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike dhe rishikimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura. Deklarata u lexua si tërheqje e qeverisë përballë protestës qytetare, e cila ka hyrë në muajin e saj të dytë duke artikuluar fort këto kërkesa.
Por dokumentet tregojnë një realitet tjetër. Qeveria nuk po tërhiqet, por po riambalazhon si vendim të ri një detyrim që e ka marrë përsipër që në shtator të 2025-ës, zbatimin e të cilit e ka planifikuar për fund të 2027-ës. A do të thotë kjo, se në këto dy vite (2025-2027), lejet për resorte, hotele dhe parqe energjetike në zonat e mbrojtura do të vijojnë të jepen me të njëjtin kuadër ligjor? Deri më tani, koha ka treguar se vrulli i lejeve nuk po ndalet, e as nuk po kursen ato territore ku ndërtimi do ishte i pa lejuar nëse do të rrëzoheshin ndryshimet e ligjit.
Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi nga Brukseli se, për të avancuar në procesin e integrimit europian, Shqipëria duhet të ndryshojë një sërë ligjesh. Sipas saj, Kapitulli 27, që lidhet me mjedisin, është ndër më sfiduesit e negociatave, pasi kërkon harmonizimin e plotë të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
Gjatë konferencës Kryeministri Rama tregoi mënyrën si qeveria shqiptare planifikon ta bëjë këtë.
“Na duhet të shfuqizojmë ligjin për investimet strategjike që është diçka për të cilin kemi disa kohë për të cilin kemi rënë dakord sepse ky ligj e ka përmbushur misionin e vet dhe po punojmë ngushtësisht edhe me Komisionin për atë që do ta zëvendësojë këtë ligj.”, tha ai.
Edhe për ligjin e zonave të mbrojtura, mbajti një qëndrim të pa ndryshuar:
“Kur bëhet fjalë për ligjin tjetër, nuk kemi asgjë për të shfuqizuar edhe pse ka pasur një rezolutë në Parlamentin Evropian që ka kërkuar këtë, ligji për zonat e mbrojtura, është një nga ligjet më të mira që kemi.”, tha Rama.
Çfarë po thotë realisht Kryeministri?
Asgjë në këtë deklaratë nuk është e re, madje këtë e pranon dhe vetë kryeministri. Siç ka raportuar Citizens në shkurt 2026 , pozicioni negociues për Kapitullin 27, i përgatitur mes Komisionit Europian dhe Shqipërisë, përmbante që në shtator të 2025-ës nëntë piketa mbyllëse (Closing Benchmarks), të cilat vendi merr përsipër t’i përmbushë përpara anëtarësimit.
Dy prej tyre janë pikërisht ato që Rama i paraqiti si vendim më 14 korrik: shfuqizimi i dispozitave të papajtueshme të ligjit “Për zonat e mbrojtura” dhe dhënia fund e ligjit “Për investimet strategjike”.
Pra, detyrimi ekziston prej dhjetë muajsh. Ajo që mungon është zbatimi.
Në planin që Ministria e Mjedisit paraqiti më 17 shkurt përpara ekspertëve dhe grupeve të interesit në “Tryezën 27”, shfuqizimi i dispozitave të papajtueshme të ligjit për zonat e mbrojtura ishte planifikuar për tremujorin e katërt të 2027-ës, në fund të periudhës së negociatave, që është njëkohësisht afati i fundit kur “Paketa e Gjelbër” do t’i bashkëngjitet Traktatit të Aderimit. Gjatë atij takimi nuk u dha asnjë mundësi për rishikimin e afateve dhe nuk pati asnjë shpjegim për vonesën.
Kjo do të thotë se përgjatë 2026–2027, ndërsa qeveria flet për tërheqje, dispozitat që mundësojnë ndërtimin e hoteleve, resorteve dhe të parqeve energjetike brenda territoreve me ndjeshmëri të lartë natyrore mbeten në fuqi. Citizens ka raportuar më parë për një sërë planesh të projektuara që prekin zonat e mbrojtura. Rreth 19 projekte të listuara në librin “Albanian Files”, gjenden në zona të mbrojtura, pyje apo plazhe të paprekura.
“Ligji për Zonat e Mbrojtura po vishet me lojëra fjalësh”
Manipulimi nuk qëndron vetëm te koha, por edhe te formulimi. Drejtori Ekzekutiv i organizatës për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), Aleksandër Trajçe, thotë për Citizens se ajo që është kërkuar qartazi nga pala negociuese është anulimi i ndryshimeve të bëra me ligjin nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura, dhe jo shfuqizimi i ligjit bazë të vitit 2017.
Sipas tij, kryeministri po luan me formulimin e kërkesës.
“Askush nuk ka kërkuar të hiqet ligji për zonat e mbrojtura. Është kërkuar të hiqen ndryshimet e vitit 2024,” thotë Trajçe.
Ai shton se kryeministri po përpiqet ta paraqesë debatin sikur kërkohet anulimi i gjithë ligjit për zonat e mbrojtura, ndërkohë që kërkesa e protestuesve dhe e Bashkimit Europian lidhet vetëm me ndryshimet e fundit.
“Nuk pranohet se është bërë një gabim me ndryshimet dhe hidhet hi syve të publikut,” shprehet ai.
Trajçe thekson se ligji i vitit 2017 nuk është vënë në diskutim nga askush. Sipas tij, edhe pozicioni negociues i Bashkimit Europian është i qartë: të hiqen ndryshimet e miratuara në vitin 2024, jo ligji i vitit 2017.
Duke e mbrojtur si “ligjin më të mirë që kemi”, Kryeministri po flet për rrëzimin e diçkaje që askush nuk ja ka kërkuar ta bëjë. Kjo duket se e zhvendos debatin nga një terren ku qeveria dukshëm ka humbur (ndryshimet e 2024-ës), drejt një terreni ku duket sikur po mbron diçka.
A mund të shfuqizohet një ligji me afat skadence?
E njëjta logjikë vlen edhe për ligjin e investimeve strategjike. Ky është një ligj i përkohshëm, të cilit qeveria ia ka zgjatur afatin gjashtë herë. Për ta “shfuqizuar”, mjafton të mos e zgjasë më. Ajo që paraqitet si shfuqizim është, në fakt vendimmarrje e natyrshme, dhe e vonuar.
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, thotë për Citizens se premtimi vjen shumë vonë dhe se dëmet që ligji ka shkaktuar janë tashmë të pakthyeshme.
Preçi shpjegon se investimet strategjike janë një praktikë e njohur në shumë vende, por vetëm kur zbatohen me transparencë, konkurrencë dhe kontroll institucional. Në Shqipëri, sipas tij, ligji është përdorur për të favorizuar interesa të ngushta në dëm të interesit publik.
Ai vlerëson se shfuqizimi i ligjit mund të ketë vlerë në raport me procesin e integrimit europian dhe të përmirësojë imazhin e Shqipërisë përballë Bashkimit Evropian, por nuk do të ndryshojë efektet që ai ka prodhuar në ekonomi.
“Shumica e projekteve të miratuara janë të pakthyeshme dhe interesi publik është cenuar”, shprehet Preçi.
Sipas tij, përmes këtij ligji janë transferuar asete publike e private në favor të grupeve të caktuara të biznesit, ndërsa buxheti i shtetit do të humbasë të ardhura për shkak të lehtësive fiskale të dhëna investitorëve strategjikë. Eksperti paralajmëron se pasojat ekonomike do të ndihen për dekada, duke argumentuar se ligji ka krijuar edhe precedentë të rrezikshëm juridikë.
“Ekonomia shqiptare do t’i vuajë efektet e këtyre politikave për 25–30 vitet e ardhshme. Përmes ligjit të investimeve strategjike u krijuan mundësi që të anashkaloheshin edhe parime kushtetuese, duke kaluar toka dhe prona në favor të investitorëve privatë, përfshirë edhe projektet fotovoltaike. Për herë të parë u cenua një ligj i përhershëm, si ai i Porteve Turistike, në favor të një ligji të përkohshëm, siç ishte ligji për investimet strategjike”, përfundon ai.
Në këtë kontekst, afati merr një tjetër kuptim. Vonesa e qeverisë për të bërë atë që kërkohet, krijon një terren ku projektet janë miratuar, asetet publike dhe burimet janë transferuar, dhe në fund, shumë pak mbetet për tu shpëtuar.
Qendrimet e lëkundura të BE-së
Nga ana tjetër edhe qëndrimi i Brukselit nuk ka qenë i palëkundur. Vetëm një muaj përpara konferencës së 14 korrikut, lidhur me projektin e Zvërnecit, komisionerja Kos deklaroi se kishte marrë garanci nga qeveria shqiptare se projekti do të zbatohej në përputhje me rregullat mjedisore.
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, vëren megjithatë se presioni po bëhet më i drejtpërdrejtë. Sipas tij, fakti që ligji i investimeve strategjike dhe zonat e mbrojtura u bënë pjesë e konferencës për shtyp pas konferencës ndërqeveritare, megjithëse nuk lidheshin drejtpërdrejt me tre kapitujt e mbyllur, tregon vëmendjen në rritje të Komisionit ndaj këtyre çështjeve.
“Fakti që këto tema u ngritën në konferencën për shtyp tregon interesin e shtuar të Komisionit Europian për të ushtruar presion mbi Shqipërinë në këtë drejtim”, thotë ai.
Gjipali vlerëson se mbyllja e tre kapitujve të rinj është sinjal pozitiv më shumë në planin politik sesa për peshën e vetë kapitujve, pasi këta janë ndër më pak kompleksët, me pak legjislacion evropian.
“Tani hyjmë në fazën më të vështirë të negociatave. Pikërisht këtu do të shihet nëse Shqipëria është realisht në rrugën e duhur për objektivin e mbylljes së negociatave deri në vitin 2027“, shprehet Gjipali.
Lexo gjjithashtu:


Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.








