Skip to main content

Citizens.al

Avokatët evropianë reagojnë pas deklaratave të Lamallarit ndaj Sejranit

Ilustrim, Gentian Sejrani, avokat, themelues i organizatës "Drejtësia Sociale".

Këshilli i Dhomave dhe Shoqatave të Avokatisë së Evropës (CCBE) i ka shprehur shqetësimin kryeministrit Edi Rama për deklaratat që lidhen me mundësinë e ndjekjes penale dhe procedimit disiplinor ndaj avokatit Gentian Sejrani.

CCBE është organizata përfaqësuese e profesionit të avokatit në Evropë, që përfaqëson 46 vende dhe mbi një milion avokatë.

Në një letër të datës 10 gusht, organizata i referohet rastit të Sejranit, i cili, gjatë përfaqësimit të protestuesit N.Q., të ndaluar pas protestave të 2 korrikut në Tiranë, bëri publike pretendimet e klientit të tij për dhunë fizike në ambientet e policisë dhe kërkoi hetimin e tyre.

Që prej nisjes së protestave, Sejrani është angazhuar në një grup avokatësh që ofrojnë vullnetarisht ndihmë ligjore për protestuesit e shoqëruar apo të ndaluar. Prej vitesh ai është gjithashtu drejtues i organizatës “Drejtësi Sociale”.

CCBE ndalet te deklaratat e bëra më 4 korrik nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili i cilësoi pretendimet për dhunë si “të pabazuara” dhe deklaroi se, nëse hetimi policor do të arrinte në të njëjtin përfundim, do të ishte “e drejtë dhe detyrë” e Policisë së Shtetit të niste procedim penal ndaj Sejranit, me pretendimin se ai kishte “nxitur urrejtje”, si dhe të shqyrtonte sjelljen e tij për shkelje të mundshme etike dhe profesionale.

Në një reagim në Facebook, në kundërpërgjigje ndaj gazetares Klodiana Lala për të njëjtën çështje, Lamallari shkroi: “Rezervimi i të drejtës për të reaguar ndaj një ‘qitësi’ potencial është jo vetëm legjitim, po edhe i rëndësishëm për t’u kujtuar kur ‘qitja’ bëhet me breshëri në ajrin e kontaminuar nga dizinformimi konstant.”

Vetë Sejrani thotë se ka zgjedhur të mos e zhvillojë këtë përplasje në publik, por t’u drejtohet institucioneve që kanë për detyrë të mbrojnë profesionin e avokatit.

“Kam kontaktuar me kryetarin e Dhomës së Avokatisë Tiranë dhe me disa anëtarë të Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Nuk ka të bëjë vetëm me mua, por edhe me avokatët e tjerë që nuk kanë këtë rrjet njohjesh, që të jenë të mbrojtur në punën e tyre. Imagjino t’i ndodhë një avokati në një zonë të largët një intimidim apo kërcënim i tillë, si do të ndihej ai”, shprehet Sejrani për Citizens.

Për këtë arsye, ai thotë se ka zgjedhur ta ndjekë çështjen përmes mekanizmave institucionalë.

“Zgjodha të mos kem debat publik, por të reagoj nëpërmjet institucioneve përgjegjëse që mbrojnë punën e avokatit. Unë si çështje e kam dërguar pranë OKB-së, Komitetit që lidhet me shtetin e së drejtës, dhe organizatës Lawyers for Lawyers”, thotë ai.

Sipas Sejranit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) nuk i ka dhënë deri tani informacion mbi ecurinë e hetimit për rastin e protestuesit N.Q., i cili pretendon se është dhunuar në ambientet e policisë.

Ai shprehet gjithashtu i zhgënjyer nga mungesa e një reagimi publik të Dhomës së Avokatisë në Shqipëri për këtë çështje.

Në letrën drejtuar kryeministrit, CCBE i referohet edhe Parimeve Bazë të OKB-së mbi Rolin e Avokatëve, duke theksuar rëndësinë e pavarësisë së avokatëve, mbrojtjes së të drejtave të klientëve dhe lirisë së shprehjes.

“Avokatët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë funksionet e tyre profesionale në mënyrë të pavarur dhe pa frikën e hakmarrjes, intimidimit apo ngacmimit, në mënyrë që të mbrohet pavarësia dhe integriteti i administrimit të drejtësisë dhe të respektohet shteti i së drejtës”, përmbyllet letra e nënshkruar nga Roman Završek, president i CCBE.

Lexo më shumë:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *