Skip to main content

Citizens.al

Nismë për referendum kundër Ligjit 21/2024 për zonat e mbrojtura

Foto ilustrim/Citizens.al

Një grup prej 12 qytetarësh të angazhuar dhe aktivistësh mjedisorë kanë kërkuar nisjen e procedurave për një referendum që synon shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, i cili ndryshoi kuadrin ligjor për zonat e mbrojtura.

Nisma është ndërmarrë nga Besjana Guri, Blendi Salaj, Ersid Domnori, Gentiana Kapllani, Gezim Shuli, Irini Myftaraj, Joniada Ngjelo, Lazjon Petri, Mateo Yskollari, Migena Kukli, Oljam Dërvishi dhe Rikaldo Çelaj dhe vjen pas më shumë se dy vitesh debati mbi mënyrën se si ligji i ri trajton zhvillimin turistik dhe infrastrukturor brenda territoreve të mbrojtura.

Kërkesa i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe kërkon miratimin e procedurave për mbajtjen e referendumit si dhe pajisjen e grupit nismëtar me formularët për mbledhjen e 50 mijë nënshkrimeve të zgjedhësve të rregjistruar.

Në argumentimin e tyre, nismëtarët e lidhin kërkesën me ndryshimet e miratuara në vitin 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura. Sipas tyre, ndryshimet krijojnë mundësi për ndërtime dhe zhvillime turistike brenda zonave të mbrojtura, duke rrezikuar qëllimin fillestar të legjislacionit për ruajtjen e ekosistemeve, habitateve dhe vlerave natyrore.

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura në kërkesë lidhet me nenin 33 të ligjit, i cili, sipas grupit nismëtar, lejon veprimtari të caktuara në strukturat e zhvilluara në zonat e mbrojtura, përfshirë ato që lidhen me turizmin.

Nismëtarët argumentojnë se një formulim i tillë mund të kthehet në një përjashtim që lejon ndërtime dhe zhvillime intensive në territore me regjim të posaçëm mbrojtjeje.

“Një qasje që bie ndesh me vetë frymën, qëllimin dhe objektivat themelore të legjislacionit për zonat e mbrojtura, i cili synon ruajtjen e ekosistemeve, të habitateve natyrore dhe të vlerave mjedisore të veçanta, jo transformimin e tyre në territore për zhvillim turistik intensiv”, thuhet në kërkesën drejtuar KQZ-së.

Në kërkesë përmenden gjithashtu angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë për mbrojtjen e biodiversitetit dhe zonave të mbrojtura. Grupi nismëtar argumenton se zhvillimet masive turistike dhe infrastrukturore në këto territore mund të rrisin presionin mbi ekosistemet dhe biodiversitetin.

Nisma është ende në fazën e kërkesës për miratimin e procedurave.

Ligji nr. 21/2024 u miratua nga Kuvendi më 22 shkurt 2024 dhe u shpall nga Presidenti Bajram Begaj më 18 mars të po atij viti.

Gjatë vitit 2026, diskutimi për Ligjin 21/2024 është rikthyer në qendër për shkak të projekteve dhe ndërhyrjeve në zona të mbrojtura, veçanërisht në Pishë Poro–Nartë, që ishte pika kulmore për nisjen e Revolucionit Flamingo, ku prej 69 ditësh vijohet të protestohet.

Në qershor, 96 organizata të shoqërisë civile kërkuan nga Kuvendi rishikimin e politikave që prekin zonat e mbrojtura, duke ngritur shqetësime për ndikimin e ligjit dhe të investimeve turistike e infrastrukturore në biodiversitet dhe habitatet e mbrojtura.

Organizatat mjedisore kanë shkuar edhe më tej, duke bojkotuar në qershor proceset konsultuese të Ministrisë së Mjedisit dhe duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në to për sa kohë Ligji 21/2024 mbetet në fuqi.

Ligji 21/2024 është kundërshtuar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Një e pesta e deputetëve të Kuvendit kërkoi shfuqizimin e tij, duke pretenduar papajtueshmëri me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Gjykata Kushtetuese e shqyrtoi çështjen dhe më 31 korrik 2025 e rrëzoi kërkesën.

Në Shqipëri e drejta për referendum rrjedh nga Kushtetuta, por ende mbetet një mekanizëm i papërdorur nga qytetarët. Ishte viti 1998, kur shqiptarët votuan për herë të fundit në një referendum dhe ky rast ishte për miratimin e Kushtetutës, ligjit më të lartë të Republikës.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *