Skip to main content

Citizens.al

“2 dele, 300 apartamente”, Protestë para SPAK-ut, Ballukut i komunikohen akuza të reja

Foto nga Elira Kadriu/31 Korrik 2026

“Këtë vullnet paçi edhe me Belindën, edhe me gjithë kriminelët e këtij vendi!”, iu drejtua aktivistja Elsa Paja një efektivi të Policisë së Shtetit, i cili, së bashku me dhjetëra efektivë të tjerë, largoi protestuesit që, prej orës 10:00, ishin vendosur përpara SPAK-ut.

Me pankarta në duar, ku shkruhej “Bela, vasalja e Mbretit, trego SPAK-ut vjedhjen e buxhetit”, “Dy dele, 300 apartamente, Bela – ja e pushtetit” dhe mesazhe të tjera, aktivistët pritën përpara Prokurorisë së Posaçme paraqitjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Policia i largoi protestuesit nga hyrja e institucionit, ndërsa Balluku u paraqit në SPAK në orën 14:00.

“Do t’i jap 10 mijë lekëshin e fundit që kam në xhep” apo “Pse të emigrojmë, kur në Shqipëri pasurohesh dhe bëhesh me 300 apartamente më shumë se jashtë?”, ishin disa nga ironitë e përdorura nga aktivistët lidhur me akuzat për korrupsion dhe pretendimet për pasurinë e Ballukut.

Dy nga protestuesit u shoqëruan nga Policia e Shtetit dhe u liruan pasi u mbajtën për disa orë në komisariat.

Shtohen akuzat ndaj Belinda Ballukut

Belinda Balluku është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për dyshime për veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Hetimi lidhej fillimisht me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në aksin rrugor Orikum-Himarë, ndërsa më pas u zgjerua edhe në procedura të tjera tenderimi për ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës.

Sipas hetimeve të SPAK-ut, bëhet fjalë për disa procedura prokurimi që lidhen me projekte infrastrukturore, përfshirë lotet e ndryshme të Unazës së Jashtme të Tiranës, kontratat për segmente rrugore si “Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri”, si dhe ndërhyrje të tjera në këtë zonë. Hetimi për këto procedura ka nisur në fund të vitit të kaluar dhe vijon ende, ndërsa Balluku i ka mohuar akuzat.

Më 31 korrik, SPAK-u konfirmoi për mediat se Belinda Balluku ishte thirrur në Prokurorinë e Posaçme për t’u njohur me akuzën, e cila lidhet me disa procedura prokurimi objekt hetimi, për t’u pyetur rreth saj, si dhe për t’i komunikuar akte të tjera procedurale.

Më 6 shkurt, GJKKO-ja, me kërkesë të SPAK-ut, vendosi pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra. Përveç postit të zëvendëskryeministres, ajo mbante edhe atë të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Më 19 nëntor 2025, GJKKO-ja, me kërkesë të SPAK-ut, vendosi ndaj Belinda Ballukut masën e pezullimit nga ushtrimi i detyrës, si dhe ndalimin e daljes jashtë vendit. Kryeministri e kundërshtoi masën në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se ajo cenonte kompetencat dhe funksionimin e pushtetit ekzekutiv.

Më 6 shkurt 2026, votat e gjyqtarëve kushtetues u ndanë 4 me 4, duke sjellë rrëzimin e kërkesës dhe rikthimin në fuqi të masës së vendosur nga GJKKO-ja. Më 26 shkurt, Balluku u shkarkua nga postet e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, por vijon të mbajë mandatin e deputetes.

Lexo më shumë:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *