Protestat e javëve të fundit janë shoqëruar me dhjetëra raste të shoqërimeve dhe ndalimeve nga Policia e Shtetit, ndërsa aktivistë dhe avokatë kanë ngritur shqetësime për shkelje të procedurave ligjore gjatë këtyre veprimeve.
Sipas të dhënave të Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH), deri më 27 korrik janë dokumentuar të paktën 36 raste shoqërimi dhe ndalimi të lidhura me protestat e zhvilluara gjatë muajit Korrik. Megjithatë, organizata thekson se ky numër mund të jetë më i lartë, pasi monitorimi dhe dokumentimi i rasteve është ende në vijim.
Por cilat janë të drejtat e një qytetari në momentin që ndalohet nga policia? Çfarë ndryshimi ka mes një shoqërimi dhe një ndalimi? Kur duhet të jetë i pranishëm avokati dhe çfarë ndodh nëse pretendoni se jeni dhunuar?
Shoqërimi dhe ndalimi nuk janë e njëjta procedurë
Sipas avokatit Gentian Sejrani, nga organizata “Drejtësi Sociale”, hapi i parë dhe më i rëndësishëm është që policia t’i bëjë të qartë qytetarit statusin e tij juridik. Në momentin e ndërhyrjes, efektivët duhet ta informojnë nëse personi është i shoqëruar apo i ndaluar, pasi secila procedurë parashikon të drejta dhe detyrime të ndryshme.
Nëse bëhet fjalë për shoqërim, policia duhet të shpjegojë arsyen konkrete, për shembull për identifikim, mungesë dokumenti identifikimi ose për marrjen e një deklarimi lidhur me një ngjarje.
Shoqërimi nuk mund të zgjasë më shumë se pesë orë. Pas përfundimit të këtij afati, personi duhet të lirohet, përveç rasteve kur statusi i tij ndryshon ligjërisht në ndalim dhe kjo i komunikohet zyrtarisht.
“Një nga rastet e denoncuara gjatë protestave të fundit lidhet me një protestues që u mbajt në komisariat nga ora 11:00 deri në 18:40, pa iu komunikuar nëse ishte i shoqëruar apo i ndaluar. Vetëm pas më shumë se shtatë orësh iu bë me dije akuza ndaj tij” – tregon Sejrani për Citizens.
Sipas avokatit, nëse gjatë kësaj kohe personit nuk i ishte ndryshuar zyrtarisht statusi nga shoqërim në ndalim, atëherë mbajtja e tij përtej pesë orëve përbën shkelje të procedurës ligjore.
Kur jeni të ndaluar, keni të drejtë për avokat
Nëse policia vendos ndalimin e një personi, ajo duhet ta informojë menjëherë për veprën penale për të cilën dyshohet.
Njëkohësisht, personi duhet të pyetet nëse dëshiron të përfaqësohet nga një avokat i zgjedhur prej tij. Nëse ai zgjedh një avokat të caktuar, policia ka detyrimin të sigurojë kontaktin e tij përmes Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe ta njoftojë menjëherë, në mënyrë që avokati të jetë i pranishëm gjatë procedurave.
Në rast se personi nuk ka një avokat të zgjedhur, autoritetet duhet t’i caktojnë një avokat për të garantuar të drejtën e mbrojtjes.
E drejta për të njoftuar familjen dhe për të telefonuar avokatin
Pavarësisht nëse bëhet fjalë për shoqërim apo ndalim, personi ka të drejtë të njoftojë një familjar ose një person të afërt për vendndodhjen e tij.
Po ashtu, ai ka të drejtë të kontaktojë avokatin e tij. Në praktikë, kjo përkthehet në të drejtën për dy telefonata: një për familjen ose një person të besuar dhe një për avokatin.
Sipas avokatit, aktualisht ekziston edhe një grup avokatësh që kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmë ligjore për protestuesit. Në shumë raste, janë vetë aktivistët ose familjarët që kontaktojnë me këta avokatë menjëherë pas shoqërimit ose ndalimit.
Për ndihmë dhe mbrojtje ligjore, qytetarët mund t’i drejtohen Avokatit të Popullit dhe Qendrës “Drejtësi Sociale”, të cilat ofrojnë mbështetje në rastet e shkeljeve të të drejtave.
Ndërkohë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit po monitoron rastet e shoqërimeve dhe ndalimeve të lidhura me protestat, duke ndjekur respektimin e procedurave ligjore, arsyet e shoqërimeve dhe ndalimeve, si dhe çdo pretendim për shkelje të të drejtave të qytetarëve.
Çfarë duhet të bëni nëse pretendoni se jeni dhunuar?
Në rast se një person ka shenja dhune në trup ose pretendon se është keqtrajtuar gjatë ndërhyrjes së policisë, ai duhet të kërkojë kryerjen e një ekspertize mjeko-ligjore.
Kjo ekspertizë shërben për dokumentimin e dëmtimeve dhe përbën një provë të rëndësishme në çdo procedurë hetimore ose gjyqësore.
Megjithatë, sipas avokatit, gjatë protestave të fundit ka pasur raste kur personat e ndaluar e kanë kërkuar kryerjen e ekspertizës, por kërkesa nuk është pranuar dhe ekspertiza nuk është realizuar.
Si mund të ankoheni?
Nëse një qytetar mendon se policia ka tejkaluar kompetencat, ka ushtruar dhunë ose ka shkelur procedurat ligjore, ai mund të ndjekë dy rrugë.
E para është paraqitja e një kallëzimi penal për veprime si shpërdorimi i detyrës ose tejkalimi i kompetencave.
E dyta është paraqitja e një ankese pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), institucioni përgjegjës për hetimin administrativ të veprimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Denoncimin pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) mund ta bëni edhe online. Në faqen zyrtare të AMP-së, ka një numër të gjelbër 0800 90 90 dhe një hapësirë për ankesa ku mund të dërgoni përshkrimin e rastit dhe çdo provë që dispononi.
Sipas avokatit Sejrani, deri më tani janë depozituar rreth pesë ankesa në AMP, të lidhura me pretendime për dhunë fizike, shkelje procedurale dhe marrje të paligjshme të sendeve personale. Megjithatë, deri në këtë fazë nuk është bërë publike marrja e ndonjë mase ndaj punonjësve të policisë.
Lexo më shumë :
- “Na morën vetëm se ishim aty”; Rrëfimet e protestuesve të shoqëruar në komisariate
- Protesta para Kuvendit: gaz lotsjellës dhe shoqërime në komisariat


Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.








