Ka nisur evakuimi i banorëve në Gojan të Madh, pasi flakët e zjarrit po afrohen me shpejtësi drejt banesave. Zjarri që ka përfshirë Kurorën e Tërbunit dhe Kuzhnenit vijon prej më shumë se katër ditësh, ndërsa dhjetëra vatra janë përhapur në masivin pyjor.
Me lopata në duar, banorët e zonës janë përpjekur t’i hedhin dhe flakëve në mënyrë që t’i shuajnë, por përmasat e zjarrit e bëjnë të pamundur përballimin e situatës vetëm me punën e tyre vullnetare dhe pa mjetet e nevojshme.
Paraditen e kësaj të enjteje, më 20 gusht, në terren janë angazhuar dy mjete zjarrfikëse, ndërsa ndërhyrja nga ajri është bërë me helikopterë. Por flakët po përhapen me shpejtësi dhe tashmë kërcënojnë drejtpërdrejt banesat e Gojanit të Madh dhe Gojanit të Vogël.
“Flakët janë kudo, në të gjithë masivin malor të Tërbunit. Sipërfaqja e djegur është tejet e konsiderueshme dhe ka një impakt të jashtëzakonshëm në natyrë”, thotë Bledi Hoxha, nga Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) .
Alarm ngre edhe Klaudja Koçi, përfaqësuese e PPNEA-së, e cila shton se është e domosdoshme ndërhyrja e menjëhershme, veçanërisht nga ajri, pasi terreni kufizon ndjeshëm aksesin e mjeteve tokësore.
“Nevoja për të ndërhyrë nga ajri është shumë e madhe. Institucionet lokale kanë qenë të pranishme dhe e shohin zonën nga afër, por mungesa e mjeteve të mjaftueshme dhe e njerëzve nuk japin shumë shpresë në situatën ku ndodhemi”, shprehet Klaudja Koçi. Sipas saj, flakët po përhapen me shpejtësi dhe vetëm pak më poshtë ndodhet fshati i parë i banuar.
Zjarri po rrezikon faunën dhe po shkatërron habitatin, pasi flakët kanë përfshirë një habitat ku jetojnë specie të egra, mes tyre ariu i murrmë, rrëqebulli i Ballkanit, kaprolli, lepuri dhe dhjetëra lloje të tjera. Pisha e zezë, ahu dhe bredhi po digjen, ndërsa bashkë me pyllin humbet edhe habitati i këtyre kafshëve.
Në terren, ambientalistët dhe banorët thonë se forcat e angazhuara janë të pamjaftueshme për përmasat e zjarrit, i cili tashmë është përhapur në disa vatra. Sipas tyre, ndërhyrja e vonuar ka ndikuar në përhapjen e flakëve.
“Janë dy zjarrfikëse. Janë edhe banorët e zonës që po mundohen ta lokalizojnë zjarrin. Ndërkohë së fundmi po shikojmë edhe helikopterë. Nëse do të kishin qenë që në fillim, në ato vatrat e para, nëse do ta kishin fikur më shpejt, kuptohet që s’do të ishte përhapur në këtë masë”, tregon Hoxha.
Për banorët, zjarri është një katastrofë ekologjike, por edhe humbja e një pasurie natyrore që është ruajtur brez pas brezi. Ata po marrin pjesë në përpjekjet për fikjen e flakëve, por afrimi pranë vatrave është shumë i rrezikshëm.
“Banorët i kanë ruajtur me fanatizëm këto kurora, që aktualisht po na digjen para syve dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Kërkojmë ndihmën e shtetit, të institucioneve që të angazhohen sa më shumë”, shprehet një banor i zonës.
PPNEA, organizata shqiptare për mbrojtjen dhe ruajtjen e natyrës dhe mjedisit, kishte vendosur kamera-kurth në Kurorën e Tërbunit për të fotografuar dhe monitoruar kafshët e egra që jetojnë në këtë habitat. Njëra prej këtyre kamerave është djegur nga flakët. Këto pajisje përdoren për të dokumentuar praninë dhe lëvizjen e specieve të egra në zonë. Por këtë herë, një prej tyre nuk do të regjistrojë më jetën e egër të Tërbunit pasi u dogj bashkë me habitatin që monitoronte.
Ndërsa flakët vazhdojnë të afrohen drejt banesave, në Gojan të Madh tashmë ka nisur evakuimi. Pylli që banorët thonë se e kanë ruajtur për dekada po shndërrohet në hi, ndërsa bashkë me të po humbet një pjesë e rëndësishme e natyrës dhe biodiversitetit të Pukës.
Tërbuni i “parashikuar” për turbina ere
Teksa Kurora e Tërbunit dhe Kuzhnenit po digjen, dokumentet zyrtare tregojnë se e njëjta zonë nuk rrezikohet vetëm nga zjarret, por edhe nga projektet për prodhimin e energjisë nga era.
Më 29 prill 2026, në sallën e Këshillit Bashkiak, Bashkia Pukë zhvilloi një dëgjesë publike për dhënien në përdorim të 28.6 hektarëve fond pyjor për prodhimin e energjisë së rinovueshme nga era, përmes turbinave eolike në malin e Tërbunit. Në njoftimin zyrtar specifikohet se sipërfaqja përfshin ekonomitë pyjore Tërbun, Livadh-Hamez, Kuzhnen dhe Gojan-Shkozë.
Por pas këtyre 28.6 hektarëve qëndron një projekt shumë më i madh. Në dokumentet e Entit Rregullator të Energjisë (ERE) figuron “Park Eolik Tërbun”, me kapacitet 158.4 MW, me shoqërinë Wind Stream sh.p.k. si aplikues. Sipas dokumenteve të ERE-së, aplikimi për lidhjen me rrjetin është bërë në vitin 2023 dhe projekti ishte në fazën e opinionit paraprak.
Në dokumentet e ERE-së figuron gjithashtu “Park Eolik Sheldije” një fshat malor në Qarkun e Shkodrës, me kapacitet 50.4 MW, po me Wind Stream si aplikues. Të dy projektet arrijnë në një kapacitet të kombinuar prej 208.8 Mw.
Wind Stream sh.p.k. është themeluar në vitin 2020 dhe, sipas të dhënave të regjistruara në QKB, kishte si objekt zhvillimin dhe operimin e parqeve eolike.
Sipas Ekstraktit Historik të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, pronarë përfitues të Wind Stream rezultojnë Benedikt Mag. Iur. Abensperg Und Traun, shtetas austriak, dhe Samir Mane, përmes strukturave përkatëse të pronësisë, me nga 33.33% pronësi përfituese.
Sipas ekstraktit më të fundit të QKB-së, Wind Stream sh.p.k. rezulton aktualisht e çregjistruar.


Vjolanda Peca ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Prej disa vitesh është e angazhuar në gazetari, me fokus raportimin investigativ, verifikimin e fakteve dhe prodhimin multimedial. Është angazhuar në disa media televizive dhe online, ku ka raportuar mbi çështje të krimit të organizuar, korrupsionit, transparencës publike, të drejtave të njeriut, çështjeve sociale dhe fenomeneve që prekin grupet e margjinalizuara.








