Rregullimi nuk është armik i inovacionit, pavarësisht se ligji mund ta ngadalësojë atë. Rregullat mund të krijojnë shpenzime për kompanitë, veçanërisht për bizneset e vogla dhe startup-et, por alternativa nuk mund të jetë teknologjia pa rregulla
Inteligjenca artificiale (AI) është forcë që lehtëson procese e ndihmon profesione të shumta dhe që transformon shoqërinë. Megjithatë, krahas elementeve pozitive që kjo teknologji i ofron njerëzimit, ajo ngre dilema mjaft të mëdha në rrafshin e integritetit ligjor, etik dhe akademik. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të ketë një rregullim të duhur ligjor.
Ligji i Bashkimit Evropian për AI-në është një shembull i mirë që duhet ndjekur edhe nga pjesa tjetër e botës. BE-ja ndjek një qasje gjithëpërfshirëse ndaj rregullimit të AI-së, duke pranuar si potencialin, ashtu edhe sfidat, dhe në të njëjtën kohë orvatet të udhëheqë zhvillimin dhe zbatimin e kësaj teknologjie në mënyra që janë të besueshme, transparente dhe që respektojnë të drejtat e njeriut.
Nga inovacioni te përgjegjësia: Pse BE-ja po rregullon AI-në?
Sot, një model gjuhësor shkruan tekste apo edhe një vegël e bazuar në AI gjeneron fotografi që nuk kanë ekzistuar më parë. Zhvillimi i hovshëm i AI-së e ka lehtësuar manipulimin e imazheve të fytyrave apo zërave njerëzorë. Algoritmi ka shtrirë ndikimin e tij edhe në punësim e shërbime. Të gjitha këto kanë krijuar situata të reja dhe nevojën që edhe kjo teknologji të rregullohet me një ligj të ri, sidomos për shkak se ajo mund të keqpërdoret.
Për këtë qëllim, Bashkimi Evropian ka miratuar Ligjin për AI-në. Kjo përpjekje e BE-së për të vendosur kufijtë e AI-së është e para në botë për të krijuar një kornizë që rregullon përdorimin e inteligjencës artificiale, duke e vënë në pah që jo çdo vegël apo përdorim i AI-së duhet të trajtohet njësoj. Ligji për AI-në nuk është vetëm një ligj për modelet gjuhësore si ChatGPT, apo për robotët. Më shumë sesa kaq. Është kornizë ligjore që vendos rregulla mbi mënyrën se si AI-ja zhvillohet, se si hidhet në treg dhe si vihet në përdorim, duke e marrë si pikënisje rrezikun që paraqet një përdorim i caktuar.
Ligji për AI-në ndjek një qasje “të bazuar në rrezik” dhe nuk zbaton një politikë të njëtrajtshme për të gjitha sistemet e AI-së. Sipas ligjit, sistemet e AI-së klasifikohen sipas nivelit të rrezikut që ato paraqesin për individët dhe shoqërinë.
Sa më i lartë niveli i rrezikut, aq më të rrepta janë detyrimet ligjore që u vendosen zhvilluesve dhe përdoruesve. Sisteme të ndryshme i nënshtrohen rregullave të ndryshme dhe në nivelin më të lartë janë praktikat që konsiderohen të papranueshme, ato të manipulimit me AI-në. Më pas, vijnë sistemet me rrezik të lartë, si p.sh. në arsim, kujdes shëndetësor, punësim, etj., ndaj të cilave kërkohen rregulla mbi transparencën, kontrollin njerëzor, dokumentimin, vlerësimin e rrezikut dhe cilësinë e të dhënave.
Një tjetër nivel është sistemi me rrezik të kufizuar ku përfshihen chatbot-ët dhe niveli me rrezik minimal, ku përfshihen aplikacionet me sisteme rekomandimi, ku ka më pak rregulla dhe fokusi kryesor është te transparenca. Ky rregullim ligjor na tregon që përqendrimi nuk është në faktin se sa përdoret AI-ja, por për çfarë përdoret dhe çfarë rezultatesh apo pasojash mund të ketë për njerëzit.
Shtatori 2026 shënon një tjetër pikë të rëndësishme në zbatimin gradual të Ligjit për AI-në, pasi është muaji i parë qëkur kanë hyrë në fuqi një pjesë e rëndësishme e dispozitave të tij. Në ambientin informativ të sotëm, kërkesat për transparencë mbi përmbajtjet të krijuara ose të manipuluara me AI mund t’u ndihmojnë qytetarëve të kuptojnë kur janë të ekspozuar ndaj përmbajtjeve të tilla.
Natyrisht, kjo nuk do të zhdukë çfarëdo manipulimi që qarkullon, siç janë deepfakes, e as nuk do ta zgjidhë problemin e dezinformimit të bazuar në inteligjencë artificiale. Megjithkëtë, kompanitë do të jenë të obliguara të jenë transparente varësisht nga shkalla e përdorimit të AI-së dhe në një periudhë kur besimi në informacion është bërë gjithnjë e më i brishtë, kjo është çështje shumë e rëndësishme për funksionimin e demokracisë në shoqëri.
Kush mban përgjegjësi kur algoritmi gabon?
Kosova duhet sa më shpejt ta harmonizojë kornizën e vet ligjore me Ligjin e BE-së për AI-në, pavarësisht se nuk jemi anëtarë të BE-së. Përdorimi i inteligjencës artificiale në shoqërinë tonë është në shkallë të lartë, prandaj rregullimi ligjor do të nënkuptonte mbrojtje të qytetarëve nga keqpërdorimet e kësaj teknologjie. Andaj, rregullimi ligjor i BE-së nuk është vetëm një ligj, por është një tregues i rëndësishëm se si do të duket epoka e ardhshme e marrëdhënies teknologji-shtet.
Dokumentet strategjike të Kosovës për transformimin digjital e vendosin zhvillimin teknologjik në agjendën publike, por tani duhet bërë një hap tjetër përpara, që shkon përtej digjitalizimit të institucioneve. Natyrisht, rregullimi nuk është armik i inovacionit, pavarësisht se ligji mund ta ngadalësojë atë.
Kjo evidentohet edhe në Ligjin e BE-së për AI-në, sepse rregullat mund të krijojnë shpenzime dhe pengesa për kompanitë, veçanërisht për bizneset e vogla dhe startup-et. Por alternativa nuk mund të jetë një teknologji pa rregulla. Prandaj, një rregullim ligjor që përcakton kushtet në të cilat AI-ja do të përdoret është shumë i rëndësishëm.
Një çështje e rëndësishme për debat publik është pyetja se kush mban përgjegjësi kur algoritmi gabon. Nëse një algoritëm ndihmon në përzgjedhjen e kandidatëve për një vend pune dhe diskriminon një grup njerëzish, kush jep përgjegjësi?
Nëse një sistem i automatizuar përdoret nga një institucion dhe merr një vendim të gabuar, a mund të thuhet thjesht se “kështu vendosi algoritmi”? Nëse një video e rreme qarkullon gjatë një fushate zgjedhore, kush duhet ta identifikojë dhe kush duhet të ndërhyjë?
AI-ja mund të asistojë vendimmarrjen, por mbikëqyrja njerëzore është elementi thelbësor. Këto janë pyetjet që duhet të kenë përgjigje dhe rregullimi luan rol të rëndësishëm në këtë mes, sepse përgjigjja nuk mund të jetë algoritmi, por te përcaktimi se kush e kontrollon sistemin, çfarë detyrimesh ka ofruesi dhe përdoruesi — dhe mbi të gjitha — kush jep llogari kur teknologjia shkakton dëme. Pra, përgjegjësia duhet të mbetet te njerëzit dhe institucionet që e zhvillojnë, që e vënë në përdorim ose që marrin vendime duke u bazuar (thirrur) në të.




































































