Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Nga dezinformata te narrativa: Si duhet të ndryshojë lufta kundër manipulimit informativ?

Ilustrim

Kontrollimi i fakteve dhe demantimi i një dezinformate mbeten thelbësore, por në të njëjtën kohë është shumë e rëndësishme të luftohen narrativat dezinformuese. Përndryshe, edhe pse një dezinformatë demantohet, një narrativë mashtruese ka qarkulluar vazhdimisht dhe, deri atëherë, dëmi mund të jetë shkaktuar

Luftimi i dezinformimit kërkon shumë më tepër sesa demantimi i tyre dhe studimet e fundit tregojnë se duhet të ndryshohet mënyra se si analizohet dhe luftohet ky fenomen. Prania e dezinformimit në shoqëri është e pashmangshme, por përsëritja e së njëjtës narrativë mashtruese duhet të luftohet, sepse duke u përsëritur vazhdimisht ajo bëhet gjithnjë e më e besueshme. Hulumtimi i publikuar së fundi në revistën European Journal of Communication, ku krahasohen Kosova, Serbia, Polonia dhe Çekia, evidenton se përsëritja është motori kryesor i efektit të dezinformimit në të katër këto shtete.

Studimi, i udhëhequr nga studiues nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti Ramon Llull dhe Universiteti i Novi Sadit, anketoi 3200 respondentë, nga 800 për shtet, në Kosovë, Poloni, Serbi dhe Çeki. Ky hulumtim nuk eksploroi dezinformata të caktuara, por u fokusua në narrativat dezinformuese rreth një teme, siç është narrativa dezinformuse nga jashtë rreth sovranitetit të Kosovës ose lufta në Ukrainë. Studimi shqyrtoi ekspozimin e qytetarëve ndaj narrativave të ndryshme të dezinformimit dhe nëse ekspozimi i mëparshëm ndikoi në besimin e tyre në ato narrativa. Në të katër shtetet, gjetja kryesore tregon se njerëzit që kishin hasur më parë një narrativë të rreme kishin shumë më tepër gjasa ta besonin atë sesa ata që e shihnin atë për herë të parë. Kjo vlen në shoqëri pavarësisht nëse narrativa kishte të bënte me luftën, shëndetësinë, identitetin kombëtar apo me politikën. 

Pra, qytetarët nuk besojnë në rrenë vetëm për faktin se nuk mund ta dallojnë të vërtetën nga trillimi. Hulumtimet tregojnë se njerëzit ndikohen nga përsëritja. Kur përmbajtja e njëjtë shfaqet vazhdimisht nëpërmjet kanaleve të ndryshme të komunikimit, në media sociale, media tradicionale, në biseda me miqtë, ajo dalëngadalë bëhet më e besueshme. Kësisoj, narrativat mashtruese arrijnë të kenë efekt në shoqëri. Besimi në një narrativë për demonstratat anti-Ukrainë në Poloni pothuajse u trefishua midis atyre që tashmë ishin të ekspozuar ndaj saj, nga 20% në 58%. As Kosova nuk bën përjashtim. Për shembull, qytetarët që e kishin hasur tashmë narrativën e përfshirjes së grupit “Wagner” në tensionet në veri kishin shumë më tepër gjasa ta besonin atë sesa ata që nuk e njihnin këtë narrativë. Besimi në pohimin rreth Wagner-it u rrit nga 42% në 62%, në mesin e atyre që e kishin dëgjuar tashmë atë.

Narrativat ndryshojnë sipas shtetit, por mekanizmi mbetet i njëjtë

Në Kosovë, nuk është rastësi që në ambientin informativ, narrativat mashtruese dominuese nga jashtë sillen rreth sovranitetit, konfliktit etnik, legjitimitetit të institucioneve të Kosovës dhe aleatëve të saj perëndimorë. Pra, ekosistemi i dezinformimit të secilit vend është i përshtatur sipas çështjeve me të cilat preokupohet më shumë shoqëria e vendit përkatës. Në Kosovë, problemet  me Serbinë, statusi i kontestuar i vendit nga Serbia dhe nga disa shtete të tjera, mbeten tema të hapura, edhe pse ka kaluar një çerek shekulli nga përfundimi i luftës dhe gati 20 vjet nga shpallja e pavarësisë. Një detaj tjetër i rëndësishëm për Kosovën është që qytetarët nuk hasin narrativa të shumta mashtruese rreth temave të ndryshme, por kryesisht i hasin në të njëjtat tema. Studimi zbuloi se ekspozimi grumbullohet rreth dy ose tri narrativave. Pra, mjedisi i dezinformimit është i ngushtë dhe i përqendruar. Kjo mund të “helmojë“ më shpejt, sepse ka më pak hapësirë ​​që një tjetër narrativë mashtruese të jetë konkurruese.

Kur analizohen të katër këto  shtete, vërehet se narrativat dezinformuese kanë synime të ndryshme. Në Kosovë, narrativat dezinformuese nga jashtë përqendrohen rreth sovranitetit të shtetit dhe marrëdhënieve ndëretnike në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Në Çeki, dezinformimi përqendrohej rreth shëndetit dhe sigurisë së konsumatorit. Pretendimet për vaksinën COVID-19 dhe paralajmërimet për importet e ushqimeve ukrainase arritën audiencë më të madhe. Në Poloni dominonin narrativat për refugjatët ukrainas dhe pretendimet për Ukrainën që “fsheh” viktimat e luftës ose dezertorët, kurse në Serbi dominonte narrativa për identitetin serb. Pra, pavarësisht se përmbajtja ndryshonte nga një vend në tjetrin, mekanizmi psikologjik, çuditërisht, mbetej i ngjashëm. Ky rezultat është në përputhje me efektin e së vërtetës iluzive, sipas së cilës informacioni i përsëritur perceptohet si më i besueshëm vetëm për shkak të familjaritetit që krijon. Në studimin e lartpërmendur, ekspozimi parashikoi vazhdimisht besimin në të katër kontekstet dhe analizat statistikore sugjerojnë se përsëritja vepron si një proces i përgjithshëm njohës. Kjo tregon se dezinformimi duhet të luftohet më ndryshe. 

Nga demantimi te parandalimi i narrativave

Kontrollimi i fakteve dhe demantimi i një dezinformate mbeten thelbësore, por në të njëjtën kohë, është shumë e rëndësishme të luftohen narrativat dezinformuese. Përndryshe, edhe pse një dezinformatë demantohet, një narrativë mashtruese ka qarkulluar vazhdimisht dhe, deri atëherë, dëmi mund të jetë shkaktuar.

Në praktikën aktuale, kur një dezinformatë shfaqet në publik, modeli është që gazetarët dhe kontrolluesit e fakteve e verifikojnë dhe e demantojnë atë, ndërkaq qytetarët debatojnë në media sociale apo në komunikime të tjera se cila është e vërteta. Ky model duhet ndryshuar sepse gazetarët dhe kontrolluesit e fakteve duhet që gjithnjë të përqendrohen edhe te fakti nëse kjo dezinformatë po mbështet një narrativë të caktuar mashtruese dhe ta zbulojnë atë duke e vënë në pah për qytetarët. Gjithashtu, duhet të kenë më shpesh storie e shkrime si ‘vaksinim’ paraprak i qytetarëve, në vend që të reagohet vetëm pasi narrativa mashtruese të jetë bërë virale. Kjo mënyrë do ta zbehte efektin e ekspozimit të narrativës mashtruese në publik.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.