II
1) Procesi tradicional i vendimmarrjes në politikën e jashtme amerikane është i përmbysur dhe i paparashikueshëm, dhe ky nuk është problem vetëm i politikës në raport me Ballkanin. Por përkundër kaosit operativ të vitit të parë, njëfarë koherence e objektivave amerikane në Ballkan sidoqoftë është arritur dhe stafi po plotësohet. Rajoni megjithatë është larg prioriteteve dhe thjesht po monitorohet për mundësinë e shpërthimit të tensioneve, që vlerësohen si të ulëta, ndërkohë që kapitali politik po harxhohet për çështjet e projekteve ekonomike.
Ekziston një konsensus në Uashington në vlerësimin se diplomatët dhe zyrtarët e karrierës në administratë përgjithësisht janë të anashkaluar nga nivelet e larta politike, të cilat janë të paparashikueshme dhe ku ndikim shpesh ushtrojnë figura jashtë administratës zyrtare dhe të lidhura me majën e pushtetit. Situatën në rastin e Ballkanit e kanë rënduar rotacionet e shumta dhe largimet – qoftë në Departamentin e Shtetit qoftë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare – ku riorganizimi dhe shkurtimi i administratës, që ka përfshirë edhe shumë dorëheqje ose largime me motive politike, ka lënë boshllëqe në kapacitete. Personat përgjegjës për rajonin tashmë janë ndryshuar disa herë që nga ardhja e administratës Trump. Mungesa e ambasadorëve në rajon e ka dobësuar peshën diplomatike të SHBA në shtetet nikoqire dhe procesi i emërimeve dhe konfirmimeve po ecën shumë ngadalë (Shqipëria pritet ta ketë ambasadorin e parë të konfirmuar në shtator) – dhe mund të ngadalësohet edhe më shumë në rast se demokratët e fitojnë kongresin në vjeshtë dhe i përdorin konfirmimet si mjet të presionit politik.
Gjithsesi, për pozitën kyçe të Asistentit Sekretari të Shtetit për Evropë është nominuar dhe pret konfirmimin nga Kongresi Brendan Hanrahan – një zyrtar i cili de facto e ka luajtur këtë rol deri në maj si drejtor i emëruar i Byrosë për Evropë dhe Eurazi, dhe i cili e vizitoi Kosovën në muajt e parë të administratës Trump. Fokusi dhe përvojat profesionale e këtij ish-anëtari të ekipit të Marco Rubios (gjatë kohës kur ky ishte në senat) janë më shumë te bashkëpunimi ekonomik, dhe ai nuk ka përvojë të mëparshme diplomatike në rajon.
Gjithsesi, prioritetet e politikës së jashtme të SHBA në raport me Evropën janë tjetërkund: në çështjet e tregtisë dhe tarifave; në luftën në Ukrainë; në ribalancimin e kontributeve në NATO; etj. Ballkani në këtë tablo të përgjithshme është rajon krejt periferik ku prioriteti është “stabiliteti” dhe bashkëpunimi ekonomik në nivel bilateral me shtetet individuale – veçanërisht në fusha me interes strategjik si energjia (për këtë më shumë mund të lexoni këtu), ku përveç kanaleve zyrtare diplomatike janë përfshirë edhe interesa të veçanta ekonomike dhe lobistë të lidhur me majën e pushtetit, sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë.
Vëmendje të nivelit më të lartë ndaj Kosovës dhe rajonit ka në drejtoratin për Rusi dhe Evropë Lindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare (i cili si pjesë e Shtëpisë së Bardhë i koordinon politikat e agjencive të ndryshme). Por krijohet përshtypja se kjo nuk është vëmendje shumë operative dhe aktive me synime për t’i zgjidhur problemet. Ballkani në këto nivele të larta është thjesht një llampë alarmi në mur që vëzhgohet nëse bëhet e kuqe nga ndonjë incident ose tension. Paqja e brishtë si kjo e sotmja këtë administratë nuk e shqetëson, mbase edhe për shkak se janë të bindur se forcimi i marrëdhënieve ekonomike me të gjitha shtetet e rajonit (përfshi dialogun strategjik me Serbinë) luan rol dekurajues për krijimin e tensioneve.
2) Lobimi i Serbisë dhe Republikës Srpskas në Uashington ka arritur përmasa industriale dhe pas një viti rezultatesh të diskutueshme, ai po çon drejt ridimensionimit strategjik të marrëdhënies mes Beogradit dhe Uashingtonit, kryesisht përmes investimeve të planifikuara amerikane në ekonominë serbe. Lobimi i Serbisë si i vetëm nuk është se mund të prodhojë rezultate të qëndrueshme – ajo që i bën këtë argumentet e këtij lobimi efektive është kombinimi me qasjen e qeverisjes në Prishtinë në raport me prioritetet amerikane.
Për dallim prej partnerit të tij në Bosnje, Milorad Dodik – i cili arriti t’i heqë nga vetja sanksionet amerikane në këmbim të partneritetit në fushën e energjisë dhe bashkëpunimit në tema të sigurisë – Vuçiq e pati një vit të vështirë në marrëdhëniet me Uashingtonin teksa përpjekjet e tij për t’u afruar me Trump i pësuan disa dështime, përfshirë edhe një takim kontrovers të anuluar në Mar-a-Lago. U raportua në fillim të vitit se pengesë e tij drejt Shtëpisë së Bardhë ishte shefja e stafit e Trump-it Susie Wiles – e cila përndryshe në mandatin e parë të Trump-it ka punuar për Ballard Partners, kompani kjo asokohe e angazhuar nga Presidenti Thaçi si lobiste për Kosovën. Në Serbi u spekulua gjerësisht se rol në drejtim të acarimit të administratës Trump me Vuçiqin luajti edhe diaspora nacionaliste serbe në SHBA, e pakënaqur me ato që i shohin si “koncesionet e Vuçiqit” në raport me Kosovën dhe rajonin.
Sidoqoftë, duket se Serbia tashmë i ka tejkaluar disa nga këto pengesa duke e nisur së voni procesin e dialogut strategjik me SHBA përmes të cilit do ta strukturojë marrëdhënien në fusha si energjia, mbrojtja, etj. Ekziston një përshtypje në Kosovë se ky hap është rezultat ekskluziv i një politike aktive të Uashingtonit për ta kthyer Serbinë drejt Perëndimit. Ndërkohë që në këtë konstatim ka njëfarë të vërtete, sepse kjo ka qenë politikë e disa administratave amerikane (republikane dhe demokrate) me radhë, ajo që është më afër së vërtetës është se shumë më aktive për ta forcuar këtë marrëdhënie ka qenë vetë Serbia, së cilës ky mund dhe investim tani po i shpaguhet – fatkeqësisht, me ndihmën e qasjes së qeverisë së Kosovës.
Ndërkohë që Kosova po e gjuan veten me plumba në këmbë, duke u dhënë prioritet politikave të populizmit nacionalist për konsum të brendshëm, Serbia i ka pritur hapat e Kosovës për shtrirjen formale të sovranitetit në veri pa kundërreagim, si dhe duke kapitalizuar me retorikë viktimizuese, me synimin për t’ia bllokuar Kosovës rrugët ndërkombëtare dhe për ta thelluar pengmarrjen tonë. Në këtë kontekst Serbia ka investuar shuma marramendëse në Uashington D.C. për t’u pozicionuar si partner i besueshëm dhe konstruktiv, duke e shpërlarë veten nga politika agresive që e prodhoi Banjskën (përkundër faktit se Radojčić vazhdon të sillet i lirë). Siç raportoi së fundmi edhe Radio Evropa e Lirë, Serbia i ka gjashtë kontrata aktive lobimi në Uashington dhe Republika Srpska i ka gjithsej 14 – ndërkohë që Kosova i ka zero dhe tashmë po llogaritë vetëm në aktivitetet e ambasadës dhe ato të diasporës shqiptaro-amerikane (të cilat gjithsesi kanë prodhuar rezultate, por kanë punë shumë të vështirë duke mos pasur politikë të përgjegjshme në Kosovë).
Efekti i kontratave të lobimit është përgjithësisht i diskutueshëm, por lobimi duket se është mjaft efektiv në një administratë amerikane transaksionale si kjo e sotmja, sepse prodhon marrëveshje biznesi dhe u siguron politikanëve serbë qasje te vendëmarrësit dhe “ulëse në tavolinë” për t’i shpalosur argumentet. Së paku një mbështetës i fortë i Kosovës në kongres u tregua skeptik se dialogu strategjik me Serbinë mund të ndihmojë në përafrimin e qëndrimeve të Beogradit më afër atyre të Uashingtonit sa i përket Kosovës. Prezenca dhe aktiviteti i madh i lobuesve të Serbisë u përmend në thuajse çdo takim në Uashington D.C, dhe me investimet e paralajmëruara amerikane në Serbi (si psh. nga Bechtel) kjo vetëm mund të rritet.
Rreziku është se argumentet propagandistike të Serbisë, si psh. “përpjekja e Kosovës për spastrim etnik” – mund të hasin në mirëkuptim gjithnjë e më të madh teksa vetë Uashingtoni tashmë ka vërejtje për mënyrën se si Prishtina po e trajton çështjen e serbëve me hapa si këta të fundit me prokurorët apo me rrënimin e shtëpive në Ujman. Akoma edhe më të rrezikshme janë përpjekjet, të riaktivizuara së voni përmes disa vizitave në rajon nga Uashingtoni, për t’u dhënë konflikteve në Ballkan karakter fetar, me shpresën se kjo mund të rezonojë me rrymat konservatore në administratën Trump.
Gjithsesi, me këtë lloj qeverisje në Prishtinë, Beogradi duket se e ka terrenin e lirë për të blerë kohë dhe për ta mirëmbajtur status-kuon e cungimit tonë ndërkombëtar – e cila vetëm Kosovës nuk i intereson – si dhe për t’i thelluar marrëdhëniet me aleatët kryesorë që na duhen për të dalë nga ky cungim. Se ku e çon ky kurs politik Kosovën, këtë gjë nuk po arrin ta kuptojë jo vetëm Uashingtoni, por edhe çdo mendje racionale në Kosovë.
Pjesa I e analizës: Katër përshtypje nga Uashingtoni




































































