Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Kur shpërdorimi i forcës mbetet pa ndëshkim

Është koha që shoqëria dhe institucionet tona përgjegjëse të nisin një debat të hapur dhe të sinqertë mbi respektimin e të drejtave të njeriut nga zyrtarët e zbatimit të ligjit. Në të kundërtën, rrezikojmë të përballemi me rritje të mëtejshme të mosbesimit ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit, si dhe me cenim të sigurisë juridike dhe sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës

Ka një kohë që situata me respektimin ose mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve nga institucionet që janë të thirrura ta bëjnë këtë ka degraduar dhe janë shfaqur forma ose përmasa më shqetësuese të përkeqësimit të saj. Në shumë raste, sistemi ka dështuar t’i trajtojë me efikasitet dhe objektivitet denoncimet e shpërdorimit të forcës, duke lënë hapësirë për pakënaqësi dhe mosvendosje të drejtësisë për viktimat e shkeljes nga autoritetet e zbatimit të ligjit. Kultura e mosndëshkimit duket se është institucionalizuar dhe kjo, në masë të madhe, i ka inkurajuar shkelësit që të vazhdojnë me sjelljet e tyre pa pasur frikë nga ndjekja penale apo ndëshkimi.

Është me rëndësi që zyrtarët e Policisë së Kosovës të sillen me integritet dhe profesionalizëm në kryerjen e punës së tyre, sikurse edhe prokurorët apo gjyqtarët, të cilët përbëjnë zinxhirin e pandashëm të funksionimit të sistemit të drejtësisë. Përdorimi i forcës, duke përfshirë edhe përdorimin proporcional, është i përkufizuar në mënyrë strikte me ligje dhe rregullore të punës së Policisë së Kosovës.

Ndryshim në standardin e sjelljes mund t’i atribuohet pjesërisht edhe mungesës së vëmendjes viteve të fundit nga organizatat e mandatuara për mbikëqyrjen dhe monitorimin e punës së Policisë dhe rënies së nivelit të transparencës së punës së Policisë në raport me publikun. Nga ana tjetër, prokurorët dhe gjyqtarët, kryesisht për shkak të lidhjeve institucionale, janë më pak të prirur t’i hetojnë përkatësisht t’i gjykojnë zyrtarët policorë kur janë kryerës të mundshëm të veprave penale.

Organizatat kredibile rajonale dhe ndërkombëtare kanë bërë thirrje të vazhdueshme për ngritjen e kapaciteteve të të gjithë aktorëve institucionalë (ligjzbatuesve) në mënyrë që t’i përgjigjen kërkesave dhe standardeve ligjore për të parandaluar dhe luftuar trajtimin johuman, degradues dhe poshtërues të personave nën autoritetin ose përgjegjësinë e tyre. Kjo ngritje e kapaciteteve duhet të zbatohet përmes programeve gjithëpërfshirëse dhe të strukturuara mirë të institucioneve përgjegjëse dhe përmes një ekspertize të dëshmuar. Po ashtu, duhet siguruar mbikëqyrje efikase dhe vlerësim të gjendjes në terren. Në këto rrethana, duket më se e domosdoshme një reformë institucionale, e cila, veç tjerash, duhet të përfshijë edhe ngritjen e mekanizmave mbikëqyrës dhe forcimin e atyre ekzistues ndaj autoriteteve të zbatimit të ligjit. Trajtimi i pretendimeve për keqtrajtim kërkon jo vetëm hetim të mirëfilltë të rasteve individuale, por edhe një qasje institucionale që garanton parandalimin, llogaridhënien dhe respektimin e vazhdueshëm të standardeve të të drejtave të njeriut.

Denoncimet dhe standardet në fuqi

Këtë javë u raportua gjerësisht në mediat e Kosovës dhe të Serbisë lidhur me pretendimet për keqtrajtimin e të dyshuarit për krime lufte Nenad Rashkoviq nga Policia e Kosovës më 11 gusht 2026, në afërsi të Zubin Potokut. Është e rëndësishme që institucionet përgjegjëse të veprojnë në përputhje me standardet më të larta të hetimit efektiv dhe të llogaridhënies. Rasti ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme publike dhe mediatike, duke gjeneruar reagime të ndryshme politike dhe institucionale si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Në këtë fazë, kur hetimet janë ende në zhvillim e sipër dhe rezultatet e tyre nuk janë bërë publike, është me rëndësi që çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës apo keqtrajtim të trajtohet në mënyrë profesionale, të pavarur dhe të paanshme nga autoritetet kompetente. Në këtë drejtim, roli i Inspektoratit Policor të Kosovës, i cili tashmë ka nisur procedurat hetimore lidhur me rastin, është thelbësor për sqarimin e rrethanave faktike dhe përcaktimin eventual të përgjegjësive.

Po ashtu, fakti që rasti është bërë objekt i diskutimeve dhe deklarimeve politike përtej procesit hetimor e bën edhe më të rëndësishme që institucionet e Kosovës të ofrojnë një përgjigje të shpejtë, transparente dhe të bazuar në fakte. Vetëm një hetim efektiv dhe i paanshëm, i zhvilluar në përputhje me kërkesat ligjore dhe standardet e pranuara gjerësisht si objektive, mund të kontribuojë në sqarimin e pretendimeve, forcimin e besimit publik dhe shmangien e interpretimeve të nxituara mbi natyrën dhe rrethanat e ngjarjes.

Në rastet kur pretendimet për keqtrajtim janë bërë publike ose janë ngritur zyrtarisht nga viktima apo përfaqësuesit e saj, detyrimi për veprim nuk varet vetëm nga paraqitja e një kallëzimi penal, por aktivizon përgjegjësinë e institucioneve kompetente për të ndërmarrë një hetim të shpejtë, të pavarur dhe efektiv, në përputhje me standardet e nenit 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNj).

Për hir të transparencës dhe llogaridhënies institucionale, IPK-ja, si dhe, sipas nevojës, Prokurori i Shtetit dhe sistemi gjyqësor – gjykata përgjegjëse – duhet të veprojnë në bazë të konsideratave më të larta ndaj kritereve të përcaktuara qartë për një hetim efektiv të këtyre pretendimeve : përshtatshmëria, përpikëria, paanshmëria dhe pavarësia, gatishmëria dhe mbikëqyrja publike.

Rastet e denoncuara dhe obligimi i shtetit

Të dhënat e Inspektoratit Policor të Kosovës tregojnë se ankesat për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim të detyrës, pozitës apo autoritetit zyrtar vazhdojnë të përbëjnë kategoritë më të shpeshta të ankesave ndaj zyrtarëve policorë. Vetëm gjatë vitit 2025, IPK-ja ka pranuar 727 ankesa për vepra të ndryshme penale të dyshuara, prej të cilave 162 raste kishin të bënin me keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, 59 për kanosje, 17 për lëndim trupor dhe 18 për sulm. Këto shifra përbëjnë një shqetësim serioz lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe nevojën për forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies policore.

Duhet ritheksuar se Republika e Kosovës, përbrenda Kodit Penal, e ka paraparë keqtrajtimin gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare si vepër të veçantë penale. Po kështu, janë themeluar edhe mekanizmat institucionalë dhe janë paraparë të gjitha procedurat e nevojshme për ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe gjykimin e veprave të tilla.

Sipas përcaktimeve të Konventës Evropiane, e cila është instrument ndërkombëtar i zbatueshëm në mënyrë të drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës, shtetet kanë një detyrim procedural që rrjedh nga neni 3 i Konventës për të kryer një hetim efektiv për shkak të pretendimeve të besueshme se një person ka qenë i keqtrajtuar rëndë ose kur autoritetet kanë arsye për të dyshuar se ka ndodhur një trajtim i tillë.

Në këtë drejtim, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka theksuar vazhdimisht se: “Kur një individ paraqet një ankesë të argumentueshme se është keqtrajtuar në mënyrë serioze nga policia ose agjentë të tjerë të shtetit, në kundërshtim me nenin 3 të Konventës. Kjo dispozitë, e lexuar së bashku me detyrimin e përgjithshëm të shtetit sipas nenit 1 të Konventës për të garantuar të drejtat dhe liritë e mbrojtura nga ajo, nënkupton detyrimin për zhvillimin e një hetimi efektiv zyrtar.” Ky standard e shndërron hetimin efektiv nga një zgjedhje institucionale në një detyrim të drejtpërdrejtë ligjor të shtetit, me qëllim identifikimin e fakteve, përcaktimin e përgjegjësisë individuale dhe garantimin e llogaridhënies për shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut.

Në këtë drejtim, mekanizma kredibilë ndërkombëtarë dhe evropianë, veçanërisht Komiteti për Parandalimin e Torturës (KPT) i Këshillit të Evropës dhe Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara për Torturën, i kushtojnë vëmendje të veçantë trajtimit të personave të privuar nga liria, parandalimit të keqtrajtimit dhe përgjegjësisë së zyrtarëve të zbatimit të ligjit. Përmes vizitave, monitorimit, raporteve dhe rekomandimeve të tyre, këta mekanizma kanë vënë vazhdimisht në pah rëndësinë e hetimeve të shpejta, të pavarura, të paanshme dhe efektive për çdo pretendim të besueshëm për keqtrajtim. Për këtë arsye, trajtimi institucional i rasteve të tilla në Kosovë nuk duhet parë vetëm si një çështje e përgjegjësisë individuale të zyrtarëve policorë, por të trajtohet si tregues i respektimit të detyrimeve të shtetit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për parandalimin e pandëshkueshmërisë dhe për garantimin e llogaridhënies institucionale.

 

Author

  • Alban Muriqi

    Alban Muriqi është profesionist me përvojë të gjatë në fushën e zbatimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe drejtësisë penale. Më herët ka mbajtur pozita menaxheriale dhe këshilluese në sektorin e shoqërisë civile dhe në Ministrinë e Drejtësisë, duke ofruar udhëzime për praktikat korrektuese, reformat në drejtësinë penale, si dhe duke marrë pjesë aktive në hartimin e politikave dhe strategjive në nivel kombëtar dhe institucional. Muriqi angazhohet gjerësisht me organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe programet e BE-së, duke ofruar ekspertizë në konsulenca, hulumtime, trajnime dhe avokim, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut, gjykimit të drejtë, ndalimit të torturës, përdorimit të paraburgimit dhe rehabilitimit të grupeve të ndjeshme. Aktualisht udhëheq Institutin për Avokimin e Politikave Korrektuese (IAPK).

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.