Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Paraja publike në fushatë dhe shpërfillja e Gjykatës Kushtetuese

Ilustrim

Paraja publike nuk mund të përdoret për përfitim elektoral, ndërsa vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të lihen pa u zbatuar. Shkelja e qëllimshme e këtyre kufijve duhet të sjellë përgjegjësi penale

Gjashtëmbëdhjetë ditë para zgjedhjeve të fundit, Qeveria ndau nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, studentët dhe punëtorët e sektorit privat. Përfituesit kanë nevojë për mbështetje, por pikërisht kjo nevojë e bën edhe më të papranueshëm shfrytëzimin e tyre për përfitim elektoral. Kjo praktikë nuk është e re. Më 11 mars 2014, Qeveria miratoi rritjen me 25% të pagave të shërbyesve publikë, të pensioneve dhe të përfitimeve nga skemat sociale, rreth tre muaj para zgjedhjeve të 8 qershorit.

Në një rast tjetër, Gjykata Kushtetuese konstatoi se Ligji për Pagat në Sektorin Publik cenonte të drejtën e të punësuarve për shtesën për përvojën e punës. Pasi aktgjykimi hyri në fuqi më 1 shkurt 2024, Gjykata i la Kuvendit gjashtë muaj kohë, deri më 1 gusht 2024, për ta ndryshuar ose plotësuar ligjin. Afati kaloi, ndërsa ligji nuk u ndryshua. Aktgjykimi ishte i detyrueshëm, por u trajtua dhe vazhdon të trajtohet sikur të varej nga vullneti politik.

Këto dy çështje tregojnë të njëjtin problem: ushtrimin e pushtetit publik pa përgjegjësi efektive. Në rastin e parë, paraja e qytetarëve përdoret për të ndikuar në vullnetin e tyre politik. Në të dytin, shpërfillet autoriteti i Kushtetutës. Në të dyja rastet, mekanizmat ekzistues nuk e kanë ndalur abuzimin.

Paraja publike nuk është fond elektoral

Qeveria ka detyrim t’i mbështesë qytetarët përballë inflacionit, krizave dhe vështirësive sociale. Ky detyrim nuk pushon dhe as nuk duhet të pushojë gjatë zgjedhjeve. Por zgjedhjet nuk mund të shndërrohen në një periudhë kur pushteti ndan para pa planifikim dhe pa kritere të qëndrueshme, për t’ua paraqitur më pas qytetarëve si dhuratë politike.

Dallimi ndërmjet ndihmës së ligjshme dhe përdorimit elektoral të buxhetit qëndron te arsyeja dhe qëllimi i vendimit. Një masë e planifikuar, e paraparë me ligj dhe e mbështetur në nevoja reale nuk bëhet e kundërligjshme vetëm pse zbatohet afër zgjedhjeve. Megjithatë, një vendim i marrë papritur, pa planifikim e pa arsyetim të qartë, i cili më pas promovohet në fushatë si meritë e partisë në pushtet, mund të tregojë se buxheti po përdoret për përfitim elektoral.

Kjo nuk ndodh vetëm përmes pagesave prej 100 eurosh. Mbështetja elektorale mund të kërkohet edhe përmes subvencioneve, rritjes së përfitimeve, faljes së detyrimeve apo vendimeve të tjera që prekin buxhetin. Mënyra ndryshon, por problemi mbetet i njëjtë: qytetarëve u paraqitet si dhuratë e pushtetit ajo që është paguar me paratë e tyre.

Propozimi i IKD-së nuk synon ta ndalojë ndihmën për qytetarët gjatë zgjedhjeve. Ai synon të ndalojë përdorimin e qëllimshëm të buxhetit për interes elektoral. Ligji duhet ta përcaktojë periudhën, veprimet e ndaluara dhe personin përgjegjës. Përgjegjësia penale duhet të bjerë mbi ata që e propozojnë ose e miratojnë masën me qëllim elektoral, jo mbi zyrtarët që vetëm e zbatojnë vendimin. Ndihmat e rregullta, skemat e përcaktuara me ligj dhe masat për emergjenca duhet të vazhdojnë pa pengesë.

Moszbatimi i aktgjykimeve të Kushtetueses nuk mund të kalojë pa pasoja

Kushtetuta përcakton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Zbatimi i tyre, për rrjedhojë, nuk do të duhej të varej nga vullneti apo kalkulimet politike të institucioneve.

Gjykata ka nxjerrë në disa raste aktvendime për moszbatim dhe ka njoftuar Prokurorin e Shtetit. Megjithatë, ky mekanizëm nuk ka krijuar përgjegjësi individuale efektive për personat që kanë detyrimin konkret për ta zbatuar një vendim kushtetues. Në mungesë të një norme të qartë në Kodin Penal, përgjegjësia për shpërfilljen e aktgjykimeve kushtetuese ka mbetur vetëm në nivelin e disa aktvendimeve për përmbarim që Gjykata Kushtetuese i ka publikuar në faqen e saj.

Aktgjykimi KO79/23 për Ligjin për Pagat është një prej shembujve që e dëshmon këtë problem. Gjykata konstatoi se përgjysmimi i shtesës për përvojën e punës gjatë 15 vjetëve të parë i kufizonte të drejtat pa ndjekur një qëllim legjitim. Ajo i la Kuvendit një afat prej gjashtë muajsh për ta ndryshuar ligjin dhe përcaktoi se efektet e ndryshimit duhej të llogariteshin nga hyrja në fuqi e aktgjykimit.

Ligji për Pagat nuk u ndryshua brenda afatit. Më vonë, pagesa u parapa të fillonte më 1 janar 2026 dhe jo më 1 shkurt 2024, kur aktgjykimi kishte hyrë në fuqi. Për më tepër, ndryshimi u përfshi në Ligjin për Ndarjet Buxhetore, i cili ka fuqi vetëm për një vit dhe jo në Ligjin për Pagat, ku kjo e drejtë do të rregullohej në mënyrë të përhershme. Si rezultat, më shumë se 94 mijë zyrtarë publikë mbetën pa u kompensuar për 23 muaj. Zbatimi i vonuar dhe i përkohshëm nuk e përmbush atë që kërkoi Gjykata Kushtetuese, por e la të pazgjidhur shkeljen e konstatuar në aktgjykim.

Kodi Penal aktual e dënon mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Neni 394 i referohet vendimeve të “ndonjë gjykate të Republikës së Kosovës”, por nuk e përmend shprehimisht Gjykatën Kushtetuese dhe nuk sqaron se si individualizohet përgjegjësia kur zbatimi i një aktgjykimi kërkon veprim nga më shumë se një institucion. Vendimet kushtetuese mund të kërkojnë ndryshimin e një ligji, nxjerrjen e një akti ose ndërmarrjen e një veprimi institucional. Për këtë arsye, neni 394 duhet të qartësohet, duke përcaktuar detyrimin konkret, personin përgjegjës, afatin për veprim dhe refuzimin e qëllimshëm për ta zbatuar vendimin.

Pushteti pa përgjegjësi kthehet në abuzim

Përgjegjësia politike, administrative dhe disiplinore është e rëndësishme, por në këto raste nuk ka mjaftuar. Kritika publike nuk e rikthen barazinë e cenuar të garës zgjedhore, sikurse deklarimi se një aktgjykim është i detyrueshëm nuk e siguron zbatimin e tij.

Përdorimi i qëllimshëm i pushtetit publik për ta cenuar integritetin e zgjedhjeve ose kushtetutshmërinë nuk mund të trajtohet vetëm si shkelje politike. Rreziku i vërtetë është normalizimi i një sistemi në të cilin pushteti mund ta përdorë paranë e qytetarëve për të qëndruar në pushtet dhe mund ta shpërfillë Gjykatën Kushtetuese, pa pësuar asnjë pasojë personale.

Nisma legjislative qytetare e IKD-së, për të cilën njoftimi është dorëzuar më 28 prill 2026, synon ta ndërpresë këtë pandëshkueshmëri. Paraja publike duhet t’u shërbejë qytetarëve, jo interesave elektorale. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen, jo të negociohen. Shkelja e qëllimshme e këtyre kufijve duhet të sjellë përgjegjësi penale. Kjo nuk është teprim, por mbrojtje e domosdoshme e votës, e buxhetit dhe e Kushtetutës.

 

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.