Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Rritja e shtesave për lehonat është mbështetje, por çka mbështet rritja?

Illustration

Rritja e shtesave për lehonat në 500 euro në muaj ka peshë, por ajo duhet parë në kontrastin mes një pagese të menjëhershme dhe një reforme strukturore. Sigurisht se rritja e shumës është me rëndësi, veçanërisht për nënat e papuna që nuk kanë të ardhura nga paga pas lindjes. Pagesa e drejtpërdrejtë në llogarinë e gruas mund t’ia forcojë sadopak kontrollin mbi të ardhurat e familjes dhe kjo nuk duhet nënvlerësuar. Megjithatë, vendimi i majit që i bëri shtesat po aq sa paga minimale ishte prezantuar si mbështetje për nënat.

Nëse pagesa prej 500 eurosh në muaj për gjashtë muaj për gratë lehona të papuna dhe për tre muaj për ato të punësuara nuk shoqërohet me çerdhe të qasshme, mundësi për kthim në punë dhe pushim të mirëfilltë për baballarët, ajo mund ta përforcojë idenë se nëna është kujdestarja e natyrshme dhe pothuajse e vetme e fëmijës. Kjo politikë e rrit vlerën e mungesës së përkohshme të nënës nga tregu i punës, por nuk e ndryshon pritshmërinë që ajo do të jetë prindi që do të mungojë. Kjo është veçanërisht problematike kur gratë tashmë përballen me pengesa të mëdha për t’u punësuar dhe për t’u kthyer në punë pas lindjes.

Sipas Ligjit aktual të Punës, punëdhënësi paguan 70% të pagës bazë të gruas gjatë gjashtë muajve të parë të pushimit të lehonisë. Qeveria i mbulon tre muajt vijues në vlerën prej 50% të pagës mesatare në vend, ndërsa tre muajt e fundit janë pa pagesë. Baballarët kanë vetëm tri ditë pushim të paguar. Rritja e shtesës në 500 euro e ndryshon shumën që merr nëna, por nuk e ndryshon ndarjen e përgjegjësisë ndërmjet shtetit, biznesit, nënës dhe babait.

Nëse një punëtore me pagë minimale merr pushimin e lehonisë, punëdhënësi duhet të paguajë së paku 350 euro në muaj për gjashtë muaj, ose 2.100 euro në total. Në të njëjtën kohë, zakonisht duhet të paguajë edhe dikë tjetër që ta kryejë punën e saj. Kjo nuk duhet të përdoret si argument kundër pagës minimale apo kundër pushimit të lehonisë, por duhet të shërbejë si argument për ndarje më të drejtë të kostos.

Si menaxhere, nuk mund t’i shpërfill këto shpenzime. Si ekonomiste e punës, nuk mund të pranoj që zgjidhja të jetë mbajtja e pagave të ulëta. Si ekonomiste gjinore, e di se çfarë mund të ndodhë kur vetëm punësimi i grave bart një kosto të lidhur me lindjen dhe prindërimin. Ligji formalisht e ndalon diskriminimin, por mënyra e financimit të pushimit krijon stimul ekonomik për ta praktikuar atë.

Prej vitesh, kam avokuar për rregullimin e mirëfilltë të lejes së lindjes për nëna, lejes së lindjes për baballarë dhe lejes prindërore. Propozimet e mbështetura përmes Forumit Ekonomik të Grave kanë përfshirë mbulimin e barrës financiare nga shteti për gjashtë muajt e parë, një muaj leje për baballarët dhe dy muaj leje prindërore nga shteti. Leja e lindjes lidhet me shtatzëninë, lindjen dhe rikuperimin fizik, ndërsa leja prindërore lidhet me kujdesin ndaj fëmijës dhe duhet t’u përkasë të dy prindërve.

Një pjesë e lejes duhet të jetë e paguar dhe e rezervuar vetëm për babanë. Nëse kjo leje mund t’i bartet lirisht nënës, zakonisht do ta marrë prindi me të ardhura më të ulëta dhe, për shkak se gratë zakonisht fitojnë më pak, përgjegjësia do t’u ngelet përsëri atyre. Kur edhe burrat mund të marrin një periudhë domethënëse të lejes, punëdhënësi nuk e lidh më automatikisht koston e prindërimit vetëm me punësimin e një gruaje.

Sipas treguesve të tregut të punës nga Regjistrimi i Popullsisë 2024, 65,4% e grave ishin ekonomikisht joaktive, krahasuar me 37,8% të burrave. Por “joaktiviteti ekonomik” është kategori statistikore dhe nuk nënkupton se gratë nuk punojnë. Një hulumtim i Institutit për Politika Sociale Musine Kokalari tregon se gratë shpenzojnë mesatarisht 6,2 orë në ditë në punë të papaguar të përkujdesit, krahasuar me 3,5 orë te burrat. Raporti e ka vlerësuar punën e papaguar të përkujdesit në rreth 33% të BPV-së së Kosovës, ku vetëm kontributi i grave përbën 22%.

Kur shteti e ndërton mbështetjen familjare vetëm rreth nënës, ai nuk vepron në një terren neutral. Operon në një realitet ku gratë tashmë e bartin pjesën më të madhe të kujdesit për fëmijët, të moshuarit dhe shtëpinë. Një pagesë për lehonat nuk mund ta mbyllë hendekun në tregun e punës nëse nuk shoqërohet me çerdhe të qasshme, përfshirje të baballarëve dhe kushte që ua mundësojnë grave kthimin në punë.

Shtesa prej 500 eurosh duhet të njihet si një ndihmë financiare momentale, por nuk duhet të barazohet me fuqizimin dhe pavarësinë ekonomike të grave. Pa u shoqëruar me këto reforma, ajo rrezikon ta thellojë varësinë ekonomike dhe ta bëjë pozitën e grave në tregun e punës edhe më të cenueshme. Kjo nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore, por edhe e politikave ekonomike.

Zakonisht, këto politika diskutohen ndaras: borxhi publik në një raport, investimet kapitale në një tjetër, pagesat e drejtpërdrejta sociale në një mbledhje të qeverisë dhe pushimi i lehonisë në një diskutim për barazinë gjinore. Në praktikë, të gjitha i përkasin së njëjtës pyetje: Çfarë ekonomie po ndërton Kosova? Pushimi i lehonisë, reformat sociale që lidhen me kujdesin dhe prindërimin dhe punësimi i grave duhet të jenë po aq qendrore në politikat qeverisëse sa treguesit që trajtohen si bazikë, si borxhi publik.

Qëndrimi im nuk është që Kosova duhet t’i ulë pagat, ta ndërpresë mbështetjen për lehonat apo të mos i ndihmojë qytetarët gjatë periudhave të inflacionit. Shteti, punëdhënësit dhe prindërit kanë secili detyrime, por ato duhet të ndahen në mënyrë që të mos prodhojnë varfëri, informalitet dhe diskriminim gjinor. Na duhet mbrojtje e lehonisë e financuar në mënyrë kolektive, leje domethënëse për baballarët, çerdhe të qasshme dhe politika të kujdesit që ua mundësojnë grave kthimin dhe qëndrimin në tregun e punës.

Treguesit pozitivë ekonomikë ia japin Kosovës mundësinë për t’i bërë këto ndryshime. Ata nuk duhet të përdoren për të shmangur pyetjen pse qytetarët në përgjithësi, gratë në veçanti dhe bizneset vazhdojnë t’i bartin kostot që duhet t’i adresojnë institucionet funksionale. Një masë e marrë për nevojat e momentit mund ta ndihmojë dikë sot dhe njëkohësisht ta lërë pa trajtuar problemin që do ta presë po aty nesër. Të dy llojet e treguesve mund të jenë të vërtetë dhe një debat serioz ekonomik duhet të jetë në gjendje t’i pranojë njëkohësisht.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.