Vdes Eqrem Kryeziu, ish-nënkryetari i LDK-së dhe bashkëudhëtari i Rugovës

Ka vdekur Eqrem Kryeziu, një nga intelektualët, politikanët dhe ish-veprimtarët e shquar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nëpërmjet një statusi në Facebook, më 25.08.2026.

Abdixhiku shkroi se Kosova humbi një intelektual të shquar, veprimtar të orëve të para dhe një shërbyes të përkushtuar të institucioneve të saj.

“Lidhja Demokratike e Kosovës humbi njërën prej figurave të saj më të rëndësishme, ndërsa Prizreni një prej personaliteteve që e përfaqësoi dhe e udhëhoqi me dinjitet.”- shkroi Abdixhiku.

I pari i LDK-së shkroi se si Kryeziu ishte pjesë e brezit themeltar të LDK-së e bashkëudhëtar i Ibrahim Rugovës.

“Ishte profesor, intelektual e veprimtar politik me mendim të lirë, fjalë të drejtpërdrejtë dhe karakter të veçantë. LDK-së i dha vite të tëra angazhimi, besnikërie dhe shërbimi; Kosovës i shërbeu në arsim, në politikë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike.”- ka shkruar Abdixhiku.

Në emrin e LDK-së dhe të vetin, Abdixhiku u shprehu ngushëllime familjes Kryeziu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve të Prizrenit, derisa Eqrem Kryeziun e falënderoi për kontributin dhe gjurmët që ka lënë.

Eqrem Kryeziu ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, kryetari i Komunës së Prizrenit, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbi dy dekada ka udhëhequr degën e LDK-së në Prizren.