"Intelektual dhe veprimtar i madh": Liderë institucionalë e partiakë shprehin ngushëllime për vdekjen e Eqrem Kryeziut

Me rastin e vdekjes së politikanit Eqrem Kryeziu, udhëheqës institucionesh e liderë partiakë kanë shprehur ngushëllime.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka dërguar telegram ngushëllimi te familja Kryeziu.

“Me vdekjen e tij, Kosova humbi një intelektual dhe veprimtar të shquar të një brezi që angazhimin për vendin e ndërtoi mbi dije dhe përgjegjësi”, thuhet në telegram.

Haxhiu ka shkruar se Kryeziu përveç se profesor dhe njeri i letrave, edhe në politikë mbeti njeri me mendim të vetin, i drejtpërdrejtë në fjalë, me ironi të hollë e mënyrë të veçantë të të shprehurit.

“Kontributi i tij vazhdoi edhe në Kuvendin e Kosovës dhe në jetën politike të vendit, por figura e Eqrem Kryeziut nuk përmblidhet në funksionet që mbajti. Do të kujtohet si profesor, intelektual dhe veprimtar i shquar me individualitet të spikatur, që la gjurmë në jetën politike e kulturore të Kosovës”, shkroi Haxhiu në telegram.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka përkujtuar se herën e fundit u takuan në shtëpinë e Kryeziut në Prizren nga fundi i dhjetorit 2025.

“Diskutuam shtruar e këndshëm për atë ç’ka qenë dhe si është Kosova. Vullneti njerëzor dhe kthjelltësia mendore ia tretnin çdo vështirësi shëndetësore. Si ngahera, e kishte të pamundur të thoshte fjali të rëndomta; një lloj mendimi të thellë dhe të qartë njëkohësisht e kishte për standard bisede.”- ka thënë Kurti.

Ai ka shkruar se Kryeziu ishte përherë në shërbim të Prizrenit dhe se ka dhënë kontribut të madh në arsim e akademi.

Sipas Kurtit, libri “Poetika e Zef Skiroit” të cilin Kryeziu ia dhuroi, është i jashtëzakonshëm.

“Ish-kryetari i Prizrenit, deputeti nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe ish-nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, i takon një gjenerate dhe një kohe kur të merreshe me politikë nënkuptonte të angazhoheshe vazhdimisht, me gjithçka e për çdo gjë.”- ka shkruar Kurti.

Presidentja e gjashtë e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu ka shkruar se Kryeziu ishte intelektuali që i dha sharm demokracisë.

Ajo ka thënë se Kryeziu ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në jetën politike në Kosovë për dekada me radhë.

“Do të kujtohet për mendjen e mprehtë, kulturën e rrallë, humorin karakteristik dhe qëndrimet e tij të guximshme. Për shumë prej nesh që filluam angazhimin politik në moshë shumë të re, do të kujtohet edhe për përkrahjen e tij dhe inkurajimin e çdoditshëm në përballjen me sfidat e politikës.”- ka shkruar Osmani, derisa u shprehu ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve e qytetarëve të Prizrenit dhe mbarë Kosovës.

Ramush Haradinaj, deputet i zgjedhur e ish-kryetar i Aleancës ka shkruar se vendi humbi intelektual të shquar, profesor të përkushtuar të letërsisë dhe burrë shteti që la gjurmë në proceset e shtetndërtimit.

“Me Profesorin kemi pasur një miqësi të kahershme dhe respekt të ndërsjellë. Ka qenë një intelektual i guximshëm, i cili nuk ka ngurruar kurrë të flasë hapur apo të përkrahë njerëz e procese përtej vijave të partisë së tij, gjë që e bënte një politikan të veçantë në Kosovë.”- ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se Kryeziu do të kujtohet për profilin e tij intelektuar, qytetarinë dhe kontributin në arsim e politikë.

Ai u shprehu ngushëllime familjes Kryeziu dhe të gjithë atyre që e njohën.

Për vdekjen e Eqrem Kryeziut ka shkruar fillimisht kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku shkroi se Kosova humbi një intelektual të shquar, veprimtar të orëve të para dhe një shërbyes të përkushtuar të institucioneve të saj.

“Lidhja Demokratike e Kosovës humbi njërën prej figurave të saj më të rëndësishme, ndërsa Prizreni një prej personaliteteve që e përfaqësoi dhe e udhëhoqi me dinjitet.”- shkroi Abdixhiku.

I pari i LDK-së shkroi se si Kryeziu ishte pjesë e brezit themeltar të LDK-së e bashkëudhëtar i Ibrahim Rugovës.

“Ishte profesor, intelektual e veprimtar politik me mendim të lirë, fjalë të drejtpërdrejtë dhe karakter të veçantë. LDK-së i dha vite të tëra angazhimi, besnikërie dhe shërbimi; Kosovës i shërbeu në arsim, në politikë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike.”- ka shkruar Abdixhiku.

Në emrin e LDK-së dhe të vetin, Abdixhiku u shprehu ngushëllime familjes Kryeziu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve të Prizrenit, derisa Eqrem Kryeziun e falënderoi për kontributin dhe gjurmët që ka lënë.

Eqrem Kryeziu ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, kryetari i Komunës së Prizrenit, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbi dy dekada ka udhëhequr degën e LDK-së në Prizren.

Vdes Eqrem Kryeziu, ish-nënkryetari i LDK-së dhe bashkëudhëtari i Rugovës