Albin Kurti në Kuvend - Foto: KALLXO.com

Dosja e PSRK-së: 'Leptir' plani i BIA-s serbe me Shehollin për diskreditimin e Kurtit

“Leptir” i është dhënë epitetit një plani të BIA-s serbe, që Sheholli ishte i angazhuar për ta zbatuar me qëllim që ta diskreditonte Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, thuhet në dosjen e PSRK-së.

“Leptir”- fjalë serbe e cila në gjuhën shqipe do të thotë ‘flutur’ por edhe lloj i thikës.

Këto të dhëna PSRK i ka sigurar përmes analizimit të telefonit që i ishte marrë Shehollit gjatë bastisjes.

Sipas dosjes, një fotografi e analizuar nga një folder brenda telefonit që i ishte marrë Shehollit, ishte gjetur një dokument (plani “Leptir”) i cili ishte nënshkruar nga shefi i sektorit tre të Sigurimit shtetërorë serb.

Tutje në dosje shkruan se plani operativ ishte për ta njollosur u.d. Kryeministrin e vendit, Albin Kurti, derisa ishte në burgun e Nishit.

“Fotografia me numrin nr.2 pasqyron një dokument (plani “Lepir”) i cili është nënshkruar nga shefi i sektorit III të Sigurimit shtetëror serb dhe përmban një plan operativ për komprometimin e Albin Kurtit, (tani UD i Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës) derisa ishte në burgin e Nishit”- thuhet në dosjen e PSRK-së.

Kjo e dhënë, përfshihet në provat voluminoze që Prokuroria i ka listuar për të argumentuar se Sheholli ka kryer spiunazh.

Dosja e Prokurorisë: Kë shantazhoi Fatmir Sheholli me publikim të video-incizimeve?

Në dosje të Prokurorisë Speciale thuhet se në dokumentin e emërtuar “Leptiri”, të gjetur në telefonin e Shehollit bëhet fjalë për një dokument të përpiluar nga struktura të Sigurimit shtetëror të serbisë (RDB) në vitin 2001.

Sipas PSRK-së ky dokument përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë.

Në përmbajtjen e këtij dokumenti, sipas PSRK-së parashihej përdorimi i një burimi operativ me nofkën “Leptiri” për sigurimin e materialeve komprometuese, me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj tij për bashkëpunim me RDB-në.

Në dosje të Prokurorisë Speciale, thuhet se nga analizimi i komunikimeve të nxjerra nga telefoni i Shehollit rezulton se ai e ka përcjellë këtë dokument te persona të ndryshëm, si dhe ka kërkuar përkthimin e tij nga gjuha serbe në gjuhën shqipe.

Sipas Prokurorisë nga këto veprime, të vlerësuara së bashku me komunikimet dhe materialet e tjera të evidentuara në telefonin e të pandehurit, janë relevante për të dëshmuar kontaktet, lidhjet dhe bashkëpunimin e tij me persona dhe struktura të ndërlidhura me shërbimet e sigurisë serbe, si dhe rolin e tij në përcjelljen dhe shpërndarjen e materialeve me origjinë nga këto struktura.

Sipas dosjes, ky fakt vërtetohet edhe nga vet dëshmia e të pandehurit i cili në pyetjen e prokurorit se “nga është prejardhja e këtij dokumenti?, dekalron se dokumentin e qujtur “Leptiri” e ka marrë nga Bojan Dimiq.

Madje, në deklarimin e tij në Prokurori, Sheholli deklaron se këtë dokument ia ka dërguar edhe disa miqëve të tij në Shqipëri.

 

Fatmir Sheholli u arrestua më 09.10.2025 nën dyshimet për spiunazh. Më 10.10.2025, Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Më 07.11.2025, atij iu vazhdua paraburgimi edhe për dy muaj.

Më 09.01.2026, Gjykata e Prishtinës i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë. Dhe më 09.03.2026, Shehollit iu vazhdua masa e paraburgimit edhe për dy muaj, po ashtu edhe më datë 08.05.2026 të njëjtit iu vazhdua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj.

Sipas këtyre vendimeve të Gjykatës së Prishtinës, Sheholli gjendet nën masën e paraburgimit që nga tetori i vitit 2025.

Fatmir Sheholli dyshohet se për një kohë ka vepruar sipas udhëzimeve dhe urdhrave të zyrtarit të lartë të BIA-s serbe, Bojan Dimiç.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale që ka siguruar Kalllxo.com, thuhet se Sheholli ka qenë i rekrutuar nga BIA dhe ka ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke mbledhur të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me disa prona “kinse të uzurpuara” të komunitetit serb në Kosovë, e po ashtu në lidhje me aktivitete biznesore, si dhe me gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Detyrat e Shehollit sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, ishin grumbullimi i informacioneve dhe shpërndarja e tyre në mediat online në Kosovë.

Po ashtu në dosje thuhet se Sheholli ishte nën hetime nga Prokuroria që nga muaji gusht i vitit 2024 dhe për një kohë ai ishte edhe në përgjim fizik.

Në vëzhgimet direkte sipas dosjes së prokurorisë është zbuluar edhe një skemë ku Sheholli ka pranuar informacione nga BIA të cilat më pas janë publikuar në media në Kosovë.

Këto të dhëna pastaj, sipas Prokurorisë Speciale, Sheholli dyshohet se i ka përcjellë zyrtarit të lartë të BIA-s, përmes komunikimeve telefonike.

Më 07.10.2025, Kallxo.com publikoi hulumtimin për një dosje të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, e cila ishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale kah mesi i vitit 2024, teksa përmendej edhe Fatmir Sheholli.