Pamje nga ekspozita kushtuar Nënë Terezës. Foto: KALLXO.com.
Portretet e Nënë Terezës ekspozohen në sheshin që mban emrin e saj në Prishtinë
Një ekspozitë me portrete të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, është hapur të mërkurën, më 26.08.2026, në Prishtinë.
Kjo ekspozitë është hapur me rastin e ditëlindjes së Nënë Terezës.
Ekspozita “Për ndër të ditëlindjes së Nënë Terezës” është hapur në sheshin që mban emrin e shenjtores shqiptare, “Nënë Tereza”, për rreth shtatores së saj.
Veton Gusia, njëri nga organizatorët e ekspozitës, tha se përmes këtij aktiviteti vjetor artistët kujtojnë ditëlindjes e humanistes shqiptare, e cila, siç tha ai, më kontributin e saj human “na bëri të njohur në krejt botën”.
“Ne vazhdojmë ta kujtojmë si një nënë shqiptare e cila u kujdes për të sëmurtë dhe të varfrit në mbarë botën. Ajo u kujdes dhe qëndroi krah nesh në periudhat kur ne kishim më shumë nevojë”- tha Gusia.
Sipas tij, pjesëmarrja e artistëve ishte e lirë dhe artistët kanë vendosur vetë rreth portreteve të ekspozuara të Nënë Terezës pa pasur ndonjë koncept kuratorial.
Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza lindi më 26.08.1910 në Shkup, në një familje shqiptare me origjinë nga Gjakova.
Në moshën 18-vjeçare, ajo u largua për në Irlandë, ku iu bashkua Institutit të Motrave të Loretos në Dublin. Atje filloi periudhën e saj të formimit fetar dhe mori emrin Maria Tereza, sipas Shën Terezës së Lisieux-it.
Më vonë në vitin 1928 u vendos në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj, duke ndihmuar të varfrit dhe të pastrehët.
U bë e njohur në mbarë botën për veprat e saj të bamirësisë, duke fituar simpatinë e mbarë globit.
Për kontributin e saj bamirës ajo u nderua me tituj e çmime të ndryshme, ndër ta edhe Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, kurse më 04.09.2016 ajo u shpall shenjtore nga Selia e Shenjtë.
Nënë Tereza vdiq më 05.09.1997 në Kalkutë të Indisë.



