Shpenzimet ia kaluan të hyrave, ja ku shkuan paratë e Qeverisë së Kosovës
Brenda vetëm tre muajve, Qeveria e Kosovës ka menaxhuar afro 2 miliardë euro në të hyra dhe shpenzime, ndërsa bilanci ka rezultuar me më shumë shpenzime sesa arkëtime. Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026 shteti inkasoi 974.7 milionë euro, ndërsa shpenzoi 997.9 milionë euro, duke krijuar një diferencë prej rreth 23 milionë eurosh
Sipas të dhënave, pjesa dërrmuese e të hyrave vjen nga tatimet mbi produktet, të cilat përbëjnë plot 67 për qind të të gjitha të hyrave. Tatimet rrjedhëse në të ardhura kontribuojnë me 18 për qind, ndërsa 7 për qind lidhen me aktivet dhe detyrimet financiare. Pjesa tjetër shpërndahet në kategori të tjera të të hyrave, raporton Indeksonline.

Nga ana tjetër, shpenzimet e shtetit kanë tejkaluar të hyrat. ASK bën të ditur se 36 për qind e buxhetit të shpenzuar ka shkuar për kontribute sociale dhe përfitime, ndërsa 24 për qind për pagat dhe kompensimin e punëtorëve. Konsumi i ndërmjetëm zë 13 për qind, ndërsa pjesa tjetër është ndarë në kategori të ndryshme shpenzimesh.

Sipas ASK-së gjithsej shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme sipas klasifikimit të COFOG-ut për TM2 2026 ishin 997.9 milion Euro. Shpërndarja më e madhe e shpenzimeve është bërë në sektorët e mëposhtëm: Mbrojtja Sociale 34%, Çështjet Ekonomike15%, Shërbimet e Përgjithshme 14%, Arsimi 12%. Pjesa tjetër e shpenzimeve është shpërndarë në sektorë të tjerë./Indeksonline/.

