Dy punonjës të aeroportit të Frankfurtit vdesin nga malaria, dyshohet se mushkonjat mbërritën me avion

26 Gusht 2026 | 20:15

Dy punonjës të aeroportit të Frankfurtit kanë humbur jetën nga malaria, pas një shpërthimi të rrallë të sëmundjes, ku janë infektuar gjithsej gjashtë persona.

Sipas zyrtarëve gjermanë të shëndetit publik, dyshohet se mushkonjat që kanë transmetuar sëmundjen mund të kenë mbërritur në aeroport me një avion ndërsa shpërthimi u konstatua për herë të parë në muajin korrik.

Të gjashtë punonjësit e prekur ndodheshin në pozicione dhe zona të ndryshme të aeroportit ndërsa autoritetet e shëndetit publik konfirmuan të mërkurën pasdite se dy nga personat e infektuar kanë ndërruar jetë.

Në aeroport janë vendosur kurthe për kapjen e mushkonjave, ndërsa insektet e mbledhura do të analizohen në laborator për të përcaktuar llojin dhe origjinën e tyre. Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu mostrat e gjakut për të përcaktuar nëse infeksionet janë shkaktuar nga një mushkonjë e vetme apo nga disa mushkonja.

Rezultatet laboratorike që mund të ndihmojnë në përcaktimin e burimit të infeksioneve pritet të jenë të disponueshme pas disa javësh.

“Ne u kemi dhënë të gjithë punonjësve informacion të plotë dhe i inkurajojmë ata të konsultohen me një mjek nëse shfaqin ndonjë simptomë”, tha një zëdhënës i kompanisë që administron aeroportin, Fraport.

Departamenti i Shëndetit Publik të Frankfurtit po heton rastet, ndërsa autoritetet theksojnë se rreziku për popullsinë e qytetit është shumë i ulët.

“Për popullsinë e Frankfurtit, rreziku konsiderohet shumë, shumë i ulët. Sëmundja nuk transmetohet nga një person te tjetri, por transmetohet gjithmonë përmes mushkonjave”, thuhet në një letër të autoriteteve shëndetësore drejtuar mediave.

Rast tepër i rrallë në Gjermani

Sipas Institutit Robert Koch, rastet e malaries në Gjermani lidhen zakonisht me udhëtarë që janë infektuar në vende ku sëmundja është endemike. Transmetimi i malaries brenda një aeroporti gjerman konsiderohet një ngjarje shumë e rrallë.

Instituti paralajmëron se mungesa e historisë së udhëtimit mund të shkaktojë vonesë në diagnostikimin e sëmundjes, çka rrit rrezikun për një formë të rëndë të saj.

Rasti i fundit i transmetimit të malaries në një aeroport në Gjermani është regjistruar në vitin 2023, po në aeroportin e Frankfurtit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Netanyahu kërcënon Iranin: Do të marrë një goditje që as nuk e imagjinon

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me një sulm të fuqishëm nëse ndërmerr ndonjë sulm të ri ndaj Izraelit, ndërsa...
20:33 | 06/09/2026

“Shpresa për paqe”, Witkoff pas takimit në Kiev: Pati bisedime shumë të rëndësishme

I dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, i ka cilësuar shumë të rëndësishme bisedimet e zhvilluara në Kiev me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke shprehur shpresën...
20:13 | 06/09/2026

Shpërthimi vullkanik bllokon mbi 150 mijë pasagjerë në Indonezi, kërkohet devijimi i fluturimeve

Më shumë se 150 mijë pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në Indonezi, pasi një shpërthim vullkanik detyroi autoritetet të pezullojnë përkohësisht operacionet në tetë aeroporte....
18:00 | 06/09/2026