Lajme

Lushtaku: Komunat nuk do të heshtin përballë padrejtësive

09/01/2026 12:40
nga:L J

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pas protestës së komunave të Kosovës, duke thënë se ato janë ngritur kundër qasjes së Qeverisë, e cila, sipas tij, po dobëson pushtetin lokal dhe po cenon kompetencat komunale.

Përmes një postimi, Lushtaku ka thënë se Qeveria nuk mund t’ua marrë kompetencat komunave, t’ua lërë barrën financiare dhe më pas të kërkojë llogari për shërbimet ndaj qytetarëve.

“Komunat e Kosovës u ngritën fuqishëm kundër qasjes së Qeverisë që po e dobëson pushtetin lokal dhe po cenon kompetencat e komunave”, ka shkruar Lushtaku.

Ai e ka cilësuar protestën si përplasje mes demokracisë dhe autoritarizmit, duke theksuar se pushtetet komunale janë të zgjedhura nga qytetarët dhe kanë mandat kushtetues e ligjor.

“Sot ishte protesta e komunave, por mbi të gjitha ishte paralajmërim politik se pushteti lokal nuk do të heshtë përballë padrejtësive dhe cenimit të autonomisë së tij”, ka shkruar ai.

Lushtaku ka kërkuar më shumë decentralizim dhe kompetenca për komunat, duke kundërshtuar, siç ka thënë, përqendrimin e vendimmarrjes në nivelin qendror.