Që prej orëve të para të mëngjesit, forcat e emergjencës dhe helikopterët janë përqendruar në zonën e Surrelit, pranë banesës së kryeministrit Edi Rama.
Edhe pse situata me flakët në këtë zonë është normalizuar, helikopterët vijojnë të qëndrojnë në Surrel, duke u përqendruar në shuarjen e vatrave dhe në parandalimin e afrimit të flakëve drejt banesës kryesisht të Ramës.
Ndërkohë, në pjesë të tjera të vendit situata mbetet shqetësuese. Në Vaun e Dejës është djegur sipërfaqe pyjore, ndërsa në Krujë janë riaktivizuar vatra zjarri dhe është bërë evakuimi i banorëve. Në Mallakastër, flakët vijojnë të jenë aktive.
Banorët e zonave të prekura shprehen se masat nga autoritetet janë marrë me vonesë, ndërsa ndërhyrjet nga ajri, sipas tyre, nuk kanë qenë në kohën dhe intensitetin e nevojshëm për të frenuar përhapjen e flakëve.













