Në fund të vitit 2023, Anduel Tahiraj ishte pjesë e grupit të deputetëve të Partisë Socialiste që propozuan ndryshimet në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”, duke i hapur rrugën betonizimit të perlave natyrore shqiptare.
Tashmë, Tahiraj, i cili nuk u përfshi në listën e kandidatëve për deputetë nga kryeministri Edi Rama për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, është emëruar në krye të institucionit që, si rregull, duhet të mbrojë edhe zonën e Zvërnecit.
Pa zhurmë e bujë të madhe, Ministri i Bujqësisë, Sofjan Jaupaj, prezantoi pak ditë më parë ish-deputetin Tahiraj si drejtuesin e ri të Administratës së Zonave të Mbrojtura për Rajonin e Jugut.

Jaupaj ka mbajtur për dy mandate postin e kryetarit të degës së partisë Socialiste në Vlorë, para se të zgjidhej si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, në vitin 2021.
Ai qëndroi për një mandat 4-vjeçar në Parlament dhe rezulton se është i vetmi deputet i qarkut të Vlorës në listën e propozuesve për ndryshimin e ligjit për “Zonat e Mbrojtura”.
Ndryshimet ligjore, të cilat tjetërsuan tërësisht normat e vendosura në vitin 2017, i hapën rrugën realizimit të projekteve betonizuese në zonat e mbrojtura. Rasti më flagrant ishte Zvërneci.

Në maj të këtij viti, disa fadroma e buldozerë hynë në zonën bregdetare të Zvërnecit, në Vlorë, në një përpjekje për t’i dhënë rrugë një projekti betonizues. Fillimisht, ndërhyrja e makinerive të rënda nxiti reagimin e banorëve lokalë.
Më tej, “protesta e flamengove” u zhvendos në qendër të Tiranës, ku mijëra qytetarë protestojnë prej më shumë se dy muajsh kundër planeve dhe qeverisë së Edi Ramës.
Kryeministri nuk ka dhënë asnjë sinjal se do të tërhiqet nga projekti i Zvërnecit, duke pretenduar se zona do të zhvillohet nga industria e turizmit dhe se do të hapë shumë vende pune.
Rama, gjithashtu, ka këmbëngulur se resorti i pritshëm do të mbrojë natyrën dhe flamengot, megjithëse hapat e parë me buldozerë e makineri të rënda, që u shfaqën në pranverë në zonë, nuk tregonin aspak diçka të tillë.
Për të bindur opinionin publik se zona e Zvërnecit do të mbrohet, qeveria e tij ka pilotuar ish-deputetin Anduel Tahiraj, i cili, si detyrë parësore në detyrën e tij të re, ka pikërisht ndërmarrjen e masave për mbrojtjen e zonës së mbrojtur.
Vendimi i tij politik për të mbështetur ndryshimet e ligjit “Për zonat e mbrojtura” nuk japin aspak garanci se Tahiraj do të jetë një “mbështetës i flamengove”.
Përkundrazi, emërimi i Anduel Tahiraj në postin e drejtuesit të Administratës së Zonave të Mbrojtura për Jugun mund të jetë një “garanci shtesë” për Edi Ramën që ish-vartësi i tij në Parlament, tashmë do të përgatisë “letrat”, ashtu siç i nevojiten “oligarkisë së ndërtimit”.













