Pasi i hoqi Anuela Ristanit kompetencat si kryetare e komanduar, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka miratuar sot vendimet e para nga IEVP Durrës, ku ndodhet në paraburgim prej 19 muajsh.
Veliaj ka pranuar dorëheqjet e zëvendëskryetares Anuela Ristani, Sekretarit të Përgjithshëm Eldi Hoxha dhe shefes së Kabinetit, Blerina Beshku.
Kryebashkiaku ka firmosur të gjitha listëpagesat brenda një ore nga momenti kur ato i kanë mbërritur në IEVP Durrës. Po nga paraburgimi, Veliaj ka miratuar edhe shtesë fondesh për çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit, me qëllim vijimin e financimit dhe funksionimit të këtyre institucioneve.
Kujtojmë që pak ditë më parë, Veliaj i tërhoqi delegimin e kompetencave Anuela Ristanit për drejtimin e Bashkisë.
Ditën e djeshme, Ristani reagoi përmes një postimi në rrjete sociale, duke thënë se largohet me krenari dhe përulësi pas më shumë se një dekadë në shërbim të qytetit.













