Gazetari Lutfi Dervishi ka komentuar situatën politike dhe sociale në vend, duke e përmbledhur atë në tre problematika që, sipas tij, karakterizojnë Shqipërinë e sotme: demografinë, demokracinë dhe mungesën e një standardi për dorëheqjet e zyrtarëve.
I ftuar në emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2 CNN, Dervishi tha se protestat e qytetarëve lidhen me shqetësime konkrete, mes të cilave përmendi rritjen e kostos së jetesës, korrupsionin dhe mënyrën e qeverisjes.
Sipas tij, një nga problemet kryesore është fakti që në Shqipëri nuk ekziston një kriter i qartë se në çfarë rrethanash një zyrtar duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe të largohet nga detyra.
Dervishi bëri gjithashtu një krahasim me vitin 2013, duke argumentuar se vendi sot ka një popullsi më të vogël, një kosto më të lartë jetese dhe një shoqëri më të plakur.
Duke folur për zhvillimet politike dhe proceset zgjedhore, gazetari shprehu kritika edhe për gjendjen e demokracisë në vend. Ai argumentoi se zgjedhjet e sotme, sipas tij, nuk paraqesin të njëjtin standard si ato të vitit 2013.
Në këtë kontekst, Dervishi përdori termin “autokraci elektorale”, duke iu referuar sistemit të patronazhimit dhe ndërthurjes, sipas tij, të strukturave partiake me shtetin.
Sipas tij, pikërisht këto elemente përbëjnë tregues të një sistemi që largohet nga standardet demokratike.














