Një konflikt i ndodhur brenda një banese në lagjen nr. 13 të Korçës ka përfunduar me plagosjen e një personi.
Sipas të dhënave paraprake, dy vëllezërit janë konfliktuar për motive të dobëta, ndërsa gjatë debatit njëri prej tyre ka përdorur sëpatën dhe ka goditur të vëllanë në shpatull.
Pas incidentit, autori është larguar nga banesa, por nuk ka mundur të qëndrojë gjatë në arrati. Forcat e Komisariatit të Policisë Korçë kanë bërë të mundur kapjen e tij vetëm pak minuta pas ngjarjes.
I dëmtuari është dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime paraprake bëjnë me dije se ai ka marrë dëmtime në shpatull dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka shoqëruar autorin në komisariat dhe po vijon hetimet për të dokumentuar rrethanat dhe motivet e konfliktit mes dy vëllezërve.














