TIRANË- Prej ditës së premte, Bashkia e Tiranës drejtohet zyrtarisht nga Erion Veliaj, i cili i hoqi delegimin e kompetencave Anuela Ristanit, e cila i mbante prej më shumë se një viti. Tashmë bashkia më e madhe e vendit, kryeqendra ekonomike dhe politike, është duke u drejtuar nga paraburgimi i Durrësit, ku Erion Veliaj është duke u mbajtur prej muajit Shkurt të vitit të kaluar.
Të gjendur në këto kushte, në radhët e drejtorive dhe administratës së bashkisë, kanë nisur të qarkullojnë zërat e një kolapsi të mundshëm, sa kohë që titullari, në këtë rast Veliaj, nuk i ushtron dot kompetencat e tij. Por për politologun Afrim Krasniqi, kjo është një krizë e prodhuar artificialisht.
Sipas tij, Veliaj po e përdor këtë si një mjet presioni për vendimin e pritshëm të Gjykatës së Lartë në datën 15 Shtator, ndërkohë që jemi rast unikal në botë, ku kryeqyteti i vendit, drejtohet nga burgu. Krasniqi i tha SHEKULLI-t, se në rast se do të kishte vullnet për zgjidhjen e krizës institucionale, Veliaj do tia delegonte kompetencat një tjetër prej nënkryetarëve të Bashkisë, që më pas do të kalonte për aprovim në Këshillin Bashkiak.
“Këshilli Bashkiak do të duhet të miratojë komandimin e një prej zv/kryetarëve aktualë, i cili propozohet nga kryetari. Pra, ligjërisht, çështja zgjidhet. Por dukshëm, kryetari dhe mazhoranca po e krijojnë këtë krizë për të thënë se Tirana është peng i arrestimit të kryetarit dhe për t’i bërë presion gjykatës për lirimin e tij.
Në çdo vend demokratik në botë, në raste të tilla, kryetari jep dorëheqjen, pasi ka pamundësi për ushtrimin e detyrës dhe të përgjegjësive funksionale afatgjata, deri në një vendim final të drejtësisë. Por ne jemi në Shqipëri dhe këtu ende nuk e kanë këtë standard.
Madje, edhe në rastin e Rrogozhinës, sipas ligjit, duhej të ishin zhvilluar zgjedhje të reja disa muaj më parë. Prefekti i ka dërguar një letër Këshillit të Ministrave dhe ky i fundit nuk e ka informuar ende zyrtarisht Presidentin dhe KQZ-në për të shpallur datën.
Pra, në rastin Veliaj, në emër të ligjit krijohet krizë dhe delegim pushteti; ndërsa në rastin e Rrogozhinës, duke injoruar ligjin, krijohet krizë dhe delegim pushteti”, tha Krasniqi për SHEKULLI-n.
Katër nënkryetarët aktualë të Bashkisë së Tiranës janë:
Ilir Mëngra – nënkryetar për punët publike
Vasilika Vjero – nënkryetare për financat dhe zhvillimin ekonomik
Blendi Sulaj – nënkryetar për territorin dhe menaxhimin e zhvillimit rural
Gentian Keri – nënkryetar për administratën e Bashkisë.
Ndërkohë që vetë Ristani, njoftoi dje dorëheqjen dhe nga posti i nënkryetares, pas heqjes së kompetencave nga ana e Veliajt. Llogari mbi situatën aktuale të Bashkisë së Tiranës, kërkoi dje dhe opozita, përmes këshilltares bashkiake Ilda Zhulali. Kjo e fundit kërkoi mbledhjen e menjëhershme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, dhe sqarimin e pozitave juridike në të cilën ndodhet sot drejtimi i kryeqytetit. Deri tani nuk është njoftuar një mbledhje e Këshillit, ndërkohë që vetë avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, në një deklaratë për mediat dhënë dje, kërkoi që atij t’i krijohen kushtet për të drejtuar nga ambientet e paraburgimit. Por sesi kjo mund të ndodhë, kur një të paraburgosuri nuk i lejohen pajisjet elektronike, që shërbejnë për punën, zor se mund të gjendet një përgjigje. /SHEKULLI
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/