Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka hyrë në një fazë të re përshkallëzimi. Pas sulmeve të reja amerikane ndaj objektivave iraniane në zonën e ngushticës së Hormuzit, Irani është kundërpërgjigjur me raketa dhe dronë ndaj instalimeve amerikane në Irak dhe vende të tjera të Gjirit.
Sipas raportimit të Tgcom Garda Revolucionare iraniane, deklaroi se gjatë natës ka goditur me raketa dhe dronë baza amerikane në Erbil, në rajonin autonom të Kurdistanit irakian.
Teherani pretendon se sulmet kanë dëmtuar një qendër mirëmbajtjeje, magazina dhe sistemin e drejtimit të një aerostati amerikan të përdorur për mbikëqyrje.
SHBA: Përfunduam valën e re të sulmeve
Nga ana tjetër, ushtria amerikane njoftoi se ka përfunduar një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane. Sipas Komandës Qendrore amerikane, goditjet kanë përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, radarë, asete detare, kapacitete për vendosjen e minave dhe infrastruktura të komunikimit të Gardës Revolucionare. Sulmet amerikane janë zhvilluar në një moment kur Uashingtoni akuzon Iranin se po përpiqet të pengojë lundrimin në ngushticën e Hormuzit dhe të kërcënojë anijet tregtare që kalojnë në këtë korridor strategjik.
11 të vrarë në Iran
Autoritetet iraniane raportojnë se sulmet e fundit amerikane kanë shkaktuar viktima civile. Sipas mediave shtetërore iraniane, 11 persona kanë humbur jetën në sulmet e fundit në provincën Khuzestan. Më herët, Gjysmëhëna e Kuqe iraniane kishte raportuar për katër të vrarë, mes tyre një fëmijë, dhe më shumë se 50 të plagosur, pas një sulmi pranë Sirikut, ku po zhvillohej një ceremoni martese. SHBA ka deklaruar se nuk ka synuar civilët.
Irani sulmon aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik
Përveç Irakut, sulmet iraniane janë shtrirë edhe drejt vendeve të tjera që presin baza amerikane. Sipas raportimeve të fundit, Irani ka lëshuar raketa dhe dronë drejt Jord anisë, Bahreinit dhe Kuvajtit, ndërsa autoritetet e këtyre vendeve kanë aktivizuar sistemet e mbrojtjes ajrore. Në Bahrein janë raportuar sirena për sulme ajrore dhe autoritetet kanë deklaruar se kanë interceptuar një sulm iranian. Në Jordani, ushtria deklaroi se ka interceptuar 10 raketa balistike iraniane, ndërsa nuk janë raportuar viktima apo dëme në bazën amerikane të synuar.
Përplasja rreth ngushticës së Hormuzit
Në qendër të përshkallëzimit ndodhet ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë. SHBA pretendon se Irani po përpiqet të minojë ngushticën dhe të godasë anijet tregtare. Për këtë arsye, forcat amerikane kanë goditur kapacitete iraniane që lidhen me vendosjen e minave dhe kontrollin detar.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA tashmë ka një kontroll pothuajse të plotë mbi ngushticën dhe ka paralajmëruar se përgjigjja amerikane do të jetë edhe më e fortë nëse Irani vazhdon sulmet. Ndërkohë, Irani këmbëngul se do të vazhdojë rezistencën dhe ka paralajmëruar për kundërpërgjigje të tjera.
Çmimi i naftës rritet
Përshkallëzimi po godet edhe tregjet ndërkombëtare. Ngushtica e Hormuzit është një korridor kyç për furnizimin global me energji dhe çdo ndërprerje e lundrimit rrezikon të shkaktojë rritje të fortë të çmimeve të naftës.
Sipas të dhënave të raportuara nga Reuters, të hënën nëpër Hormuz kaluan rreth 17 milionë fuçi naftë, niveli më i lartë i regjistruar që nga fillimi i kufizimeve të shkaktuara nga lufta. Megjithatë, pasiguria mbi sigurinë e transportit detar ka rritur ndjeshëm presionin mbi tregjet energjetike.
Uashingtoni nuk kërkon më negociata?
Në sfondin e përshkallëzimit ushtarak, edhe hapësira diplomatike duket gjithnjë e më e ngushtë. Trump ka deklaruar se nuk po përpiqet ta detyrojë Iranin të ulet në tryezën e negociatave, duke sinjalizuar se administrata amerikane po i jep përparësi presionit ushtarak dhe ekonomik. Megjithatë, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka deklaruar se Uashingtoni mund të vazhdojë dialogun me Rusinë dhe Kinën për masat që synojnë dobësimin ekonomik të Iranit.
Rreziku i një lufte më të gjerë
Përplasja e fundit ka rritur frikën se konflikti mund të zgjerohet përtej Iranit dhe SHBA-së. Me raketat dhe dronët iranianë që kanë synuar territore ku ndodhen baza amerikane, ndërsa SHBA godet kapacitetet ushtarake iraniane në dhe rreth Hormuzit, Gjiri Persik po shndërrohet në një nga pikat më të rrezikshme të konfliktit.
Shkëmbimet e fundit të zjarrit vijnë pas një periudhe më shumë se njëmujore me aktivitet ushtarak të kufizuar dhe përbëjnë një nga përshkallëzimet më serioze të javëve të fundit.
Nëse sulmet vazhdojnë dhe përfshihen drejtpërdrejt edhe më shumë vende të Gjirit, konflikti rrezikon të marrë përmasa rajonale, me pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë e Lindjes së Mesme, tregjet e naftës dhe ekonominë globale.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/