TIRANË – Pas rreth dy orësh i bllokuar në zyrën e tij, pasi protestuesit kishin bllokuar hyrjet e Kryeministrisë, kryeministri Edi Rama është larguar nga godina nën masa të rrepta sigurie.
Largimi i kreut të qeverisë është bërë në momentin kur protestuesit kanë nisur marshimin drejt Komisariatit numër 1, duke krijuar mundësinë për daljen e tij nga godina.
Qytetarët ishin mbledhur përpara Kryeministrisë që prej orës 20:00, me flamuj kombëtarë, pankarta dhe simbolet e “Revolucionit Flamingo”. Gjatë mbrëmjes, protestuesit kanë vijuar me thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit në ditën e 94-t radhazi të protestës.
“Këtu vendosim ne!”, “Rama ik!” dhe “Rama diktator!” kanë qenë disa prej sloganeve të dëgjuara gjatë protestës.
Në terren janë angazhuar forca të shumta të Policisë së Shtetit dhe të FNSH-së, të cilat kanë vendosur një kordon sigurie përreth godinës së Kryeministrisë.
Situata është tensionuar në disa momente, ndërsa efektivët e policisë kanë tentuar të largojnë protestuesit nga hyrjet e godinës, të cilat ishin bllokuar prej tyre. Afro 10 protestues u shoqëruan në komisariat.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/