Briken Calja ka shkëlqyer në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke i dhuruar Shqipërisë një tjetër medalje të artë dhe duke vendosur një rekord të ri në këtë kompeticion. Peshëngritësi kuqezi triumfoi në kategorinë deri në 75 kilogramë, në stilin e shkëputjes, ku realizoi një paraqitje të jashtëzakonshme.
Calja e nisi garën me 147 kilogramë në provën e parë, ndërsa në tentativën e dytë ngriti me sukses 152 kilogramë. Në provën e tretë erdhi edhe momenti i madh. Peshëngritësi shqiptar ngriti 154 kilogramë, duke siguruar medaljen e artë dhe njëkohësisht duke vendosur rekord të ri të Lojërave Mesdhetare. Të treja tentativat e Caljas në shkëputje rezultuan të suksesshme, duke i dhënë Shqipërisë një tjetër triumf të rëndësishëm në Taranto.
Edhe medalje bronzi në shtytje
Calja nuk u ndal me medaljen e artë. Në stilin e shtytjes, ai arriti të marrë edhe medaljen e bronztë. Pas një tentative të dështuar me 182 kilogramë, shqiptari reagoi në provën e dytë dhe ngriti me sukses 184 kilogramë. Në tentativën e tretë ai provoi 187 kilogramë, por nuk ia doli ta realizonte ngritjen, duke u renditur i treti në këtë stil. Kështu, Briken Calja e mbyll paraqitjen në Lojërat Mesdhetare me dy medalje – një të artë dhe një të bronztë.
Shqipëria shton medaljet
Suksesi i Caljas e çon në pesë numrin e medaljeve të Shqipërisë në “Taranto 2026”: dy të arta, një të argjendtë dhe dy të bronzta. Përpara suksesit të Caljas, kuqezinjtë kishin marrë tri medalje në mundje. Islam Dudajev kishte fituar medaljen e artë, Zelimkhan Abakarov medaljen e argjendtë, ndërsa Ardit Zeneli medaljen e bronztë.
Me paraqitjen e tij në Taranto, Calja konfirmon edhe një herë vendin e tij mes emrave më të rëndësishëm të peshëngritjes shqiptare dhe i dhuron delegacionit kuqezi një tjetër moment krenarie në arenën ndërkombëtare.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/