Një dëshmi rrëqethëse ka dalë në dritë pas tragjedisë detare pranë Kyrenias në Qipro, ku trageti “Filo Jet” u përmbys dhe humbën jetën të paktën 8 persona. Mes të zhdukurve janë edhe dy fëmijë të së njëjtës familje. Nëna e tyre, Ajten Biçer, ka rrëfyer momentet e tmerrit dhe përpjekjen dëshpëruese për të shpëtuar vajzën e saj.
Një familje turke po përjeton një nga tragjeditë më të rënda, pasi dy fëmijët e saj rezultojnë të zhdukur pas mbytjes së tragetit të pasagjerëve “Filo Jet”, në ujërat pranë Kyrenias. Nëna e tyre, Ajten Biçer, ka rrëfyer me lot në sy momentet e tmerrshme kur anija nisi të përmbysej dhe ajo humbi nga duart vajzën e saj.
Sipas dëshmisë së saj, vajza i kërkonte të mos e lëshonte, ndërsa paniku dhe kaosi përfshinë tragetin.
“Mos më lësho, nënë!”, kanë qenë fjalët e vajzës së saj. Ajten Biçer tha se nuk e kishte lëshuar vajzën, por në momentin kur trageti u përmbys, mbi ta ranë valixhe dhe gjithçka u bë e rrëshqitshme për shkak të karburantit që ishte përhapur në anije. Ajo arriti t’i kapte këmbën vajzës, por nuk mundi ta mbante.
“Gjithçka ishte e rrëshqitshme. Ishte si vaj. Më rrëshqiti nga dora”, ka rrëfyer ajo.
Fëmijët e zhdukur janë Saliha Miray Biçer dhe Mehmet Asaf Biçer. Të dy ishin duke udhëtuar me prindërit e tyre pas pushimeve në Qipro, kur trageti u përfshi nga katastrofa.
“Fëmijët e mi mbetën pa jelekë shpëtimi”
Nëna ka ngritur edhe akuza të rënda për mënyrën se si u menaxhua situata në traget. Sipas saj, fëmijëve nuk iu dhanë jelekë shpëtimi dhe pasagjerët u përballën me një kaos të jashtëzakonshëm në momentet kur anija nisi të merrte ujë.
“Nuk kishte jelekë shpëtimi. Fëmijët e mi ikën pa jelekë. Nuk u dhanë jelekë shpëtimi”, ka deklaruar ajo.
Ajo pretendon gjithashtu se pasagjerëve u ishte thënë se moti i keq do të kalonte shpejt dhe se situata nuk ishte aq e rrezikshme. Sipas dëshmisë së saj, kur pasagjerët nisën të alarmoheshin, disa prej tyre kërkuan që anija të kthehej mbrapsht.
“Na thanë se stuhia do të kalonte për 20 minuta”, ka treguar ajo, duke shtuar se situata u përkeqësua shumë shpejt.
Trageti u përmbys pak pas nisjes
Trageti “Filo Jet” ishte nisur nga Kyrenia drejt Taşucusë në Turqi, kur nisi të merrte ujë dhe më pas u përmbys. Në bord ndodheshin rreth 267 persona, përfshirë ekuipazhin. Sipas të dhënave më të fundit, 8 persona kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë u shpëtuan dhe një numër pasagjerësh vijojnë të rezultojnë të zhdukur.
Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon në det, ndërsa familjarët janë mbledhur në port duke pritur çdo informacion për të afërmit e tyre. Mes të zhdukurve janë edhe dy fëmijët e familjes Biçer.
Babai: “Humbëm fëmijët tanë”
Edhe babai, Hayri Biçer, ka rrëfyer momentet e dëshpërimit pas tragjedisë. “Nuk mundëm të bënim asgjë. Humbëm fëmijët tanë”, ka thënë ai. Familja ishte në kthim nga pushimet kur u përball me katastrofën. Prindërit arritën të shpëtonin, por dy fëmijët e tyre nuk janë gjetur ende. Në port, familjarët presin me ankth lajme nga ekipet e kërkim-shpëtimit, ndërsa çdo ambulancë apo mjet që mbërrin në zonë rikthen shpresën se mund të ketë një të mbijetuar.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar se çfarë shkaktoi përmbysjen e tragetit. Anija tashmë ndodhet në një thellësi prej rreth 514 metrash, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë ekzaminimin e saj dhe nxjerrjen e të dhënave që mund të ndihmojnë hetuesit. Sipas raportimeve, kapiteni dhe anëtarë të ekuipazhit janë ndaluar në kuadër të hetimit, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë gjendjen teknike të tragetit, kushtet e motit dhe vendimet e marra përpara dhe gjatë udhëtimit.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/