Allison Guerriero, ish-e dashura e Charles McGonigal, ish-drejtorit të zyrës së kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, është gjetur e vdekur, raportojnë mediat amerikane.
Guerriero kishte qenë një prej personave që u kishte dhënë autoriteteve amerikane informacion mbi aktivitetet e McGonigal, duke ngritur shqetësime lidhur me veprimtarinë e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së.
Vdekja e saj rikthen në vëmendje një prej episodeve më të bujshme që lidhen me dosjen McGonigal. Ish-zyrtari i FBI-së u dënua në Shtetet e Bashkuara për vepra penale që lidhen me shkeljen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe fshehjen e pagesave që kishte marrë nga një ish-punonjës i inteligjencës shqiptare.
Guerriero kishte folur publikisht për marrëdhënien e saj me McGonigalin dhe për informacionet që kishte përcjellë tek autoritetet amerikane. Ajo u kishte treguar hetuesve edhe për udhëtimet e ish-zyrtarit të FBI-së në Shqipëri dhe kontaktet që ai kishte pasur gjatë këtyre vizitave.
Deklarimet e saj u konsideruan me rëndësi në kuadër të hetimeve amerikane mbi aktivitetet e McGonigal, i cili ishte një prej drejtuesve të lartë të kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork.
Rasti i tij shkaktoi një tronditje të madhe në SHBA, pasi hetimet zbuluan marrëdhënie financiare dhe kontakte të padeklaruara që ngritën pikëpyetje serioze mbi konfliktin e interesit dhe aktivitetet e tij jashtë detyrës zyrtare.
Ndërkohë, rrethanat e vdekjes së Allison Guerrieros mbeten një çështje që kërkon sqarim të mëtejshëm.
Raportimet e para nuk japin ende një tablo të plotë mbi mënyrën se si ka ndodhur vdekja dhe nëse ajo lidhet apo jo me ndonjë prej çështjeve për të cilat Guerriero kishte folur më parë. Detaje të tjera pritet të bëhen publike nga autoritetet amerikane dhe hetimet mbi rastin.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/