TIRANË- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vdekja e 37-vjeçares shtatzënë nga Pogradeci, Marjana Karolina Bunaj, e cila humbi jetën gjatë transportit drejt Tiranës.
37-vjeçarja, e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe priste fëmijën e saj të parë, kishte shkuar në spitalin e Pogradecit pas dhimbjeve të barkut. Sipas informacioneve të bëra publike, mjekët dyshuan për një hemorragji dhe vendosën që ajo të transportohej drejt Tiranës.
Helikopteri është diskutuar si mundësi transporti, por për shkak të orarit të natës dhe errësirës, kjo nuk është bërë e mundur. Sipas të dhënave të raportuara, 37-vjeçarja është nisur me ambulancë drejt Tiranës rreth orës 04:30. Ajo ndodhej në gjendje shumë të rëndë dhe me parametra të ulët jetësorë.
Por tragjedia ka ndodhur gjatë rrugës. Në hyrje të Elbasanit, gjendja e saj është përkeqësuar dhe ajo ka ndaluar së reaguari. Në atë moment, infermierja që ndodhej në ambulancë i ka kërkuar shoferit të ndalonte dhe ta dërgonte në spitalin e Elbasanit.
“Fute në spitalin e Elbasanit se na iku”, mësohet t’i ketë thënë infermierja shoferit.
Motra e 37-vjeçares, e cila ndodhej në ambulancë gjatë transportit, ka deklaruar se Marjana mbërriti në spitalin e Elbasanit pa shenja jete. Pas vdekjes, trupi i 37-vjeçares është dërguar për autopsi në morgun e Tiranës.
Ndërkohë, motra e saj është paraqitur në Komisariatin Nr. 4, ku ka bërë kallëzim dhe ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes.
Familjarët kërkojnë përgjigje për atë që ka ndodhur që nga momenti kur 37-vjeçarja u paraqit në spitalin e Pogradecit e deri në momentin tragjik të vdekjes gjatë transportit.
Çështja pritet të sqarohet nga hetimet dhe rezultatet e autopsisë, të cilat do të përcaktojnë edhe shkaqet e sakta të vdekjes.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/