Organizata Europiane për Sigurinë e Navigimit Ajror, Eurocontrol, ka hapur një proces gjyqësor në Shqipëri ndaj kompanisë ajrore Air Albania, me qëllim mbledhjen e detyrimeve të papaguara.
Sipas Kapitalit, nuk bëhet e ditur ende shuma e saktë e borxhit që Air Albania i detyrohet Eurocontrol-it. Padia ka si objekt “përmbushje detyrimi” dhe është regjistruar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës.
Çështja do të gjykohet nga gjyqtari Flamur Kapllani, ndërsa seanca e parë është caktuar për 20 tetor 2026.
Air Albania u themelua në maj të vitit 2018 me tre aksionerë: Turkish Airlines me 49%, MDN Investment e Sinan Idrizit me 41% dhe qeveria shqiptare me 10%.
Kompania u prezantua në nisje si transportuesi kombëtar dhe si një prej projekteve kryesore për krijimin e një kompanie shqiptare të fluturimeve. Megjithatë, ndër vite Air Albania është përballur me probleme financiare, borxhe dhe procese gjyqësore.
Rasti me Eurocontrol vjen në një kohë kur edhe detyrime të tjera të kompanisë janë bërë objekt përplasjesh ligjore. Më herët, një kompani amerikane e leasing-ut kishte paditur Air Albania në një gjykatë britanike, duke pretenduar mospagim të qirave për dy avionë A320-200.
Në këtë rast, Eurocontrol i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për të kërkuar përmbushjen e detyrimit, ndërsa shuma që pretendohet se i detyrohet kompania shqiptare pritet të bëhet e qartë gjatë procesit gjyqësor.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/