ITALI- Një ngjarje e rëndë ka tronditur Romën këtë të hënë. Tre anëtarë të së njëjtës familje, babai, nëna dhe vajza e tyre vetëm 5 vjeçe, janë gjetur të pajetë brenda banesës në zonën e Pietralatës.
Sipas raportimeve të para nga mediat italiane, të tre janë gjetur me plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Viktimat janë një burrë 32-vjeçar, gruaja e tij 31 vjeçe dhe vajza e tyre 5-vjeçare, e cila kishte aftësi të kufizuara.
Ngjarja është zbuluar rreth orës 13:00, në një banesë në via dell’Antracite, në lagjen Pietralata. Alarmin e kanë dhënë të afërmit e familjes, të cilët nuk po arrinin të kontaktonin me ta. Në disa raportime thuhet se para ndërhyrjes janë dëgjuar edhe të shtëna.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë karabinierët, ekipet e 118 dhe zjarrfikësit. Për shkak se dera e banesës ishte e mbyllur, zjarrfikësit ndërhynë për të mundësuar hyrjen e forcave të rendit dhe të ekipeve të shpëtimit. Brenda banesës u gjetën trupat e pajetë të tre pjesëtarëve të familjes.
Pista kryesore e hetimit në këto momente është ajo e një vrasjeje të ndjekur nga vetëvrasja, por dinamika e saktë ende nuk është përcaktuar zyrtarisht. Hetuesit duhet të zbardhin se kush ka përdorur armën dhe si janë zhvilluar minutat e fundit brenda banesës.
Në apartament është gjetur një armë zjarri e regjistruar rregullisht, e cila mund të jetë arma e përdorur në ngjarje. Megjithatë, autoritetet vijojnë të kryejnë ekspertizat balistike dhe kriminalistike për të përcaktuar me saktësi dinamikën.
Një tjetër detaj tronditës i raportuar nga mediat italiane është se edhe qeni i familjes është gjetur i ngordhur brenda banesës.
Hetuesit po punojnë për të rindërtuar orët e fundit të familjes dhe për të kuptuar nëse ka pasur ndonjë konflikt apo rrethanë tjetër që mund të ketë paraprirë tragjedinë.
Për momentin nuk janë bërë publike identitetet e viktimave. Banesa është rrethuar nga autoritetet, ndërsa vijojnë këqyrjet dhe mbledhja e provave.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/