Pas shumë takimeve të dështuara mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut lidhur me emrin e një presidenti konsensual, mësohet se dyshja është dakordësuar për përzgjedhjen e kandidatit të shumëpritur. Në takimin më të fundit mes tyre, thuhet se është rënë dakort për një emër: Bekim Sejdiu, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Ky i fundit pothuajse e ka pranuar besimin që i është dhënë, duke thënë:
“Kjo mua më bën të ndihem i nderuar, besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive. Unë e kam pranuar këtë propozim, edhe pse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fushat akademike. Jam në shërbim të Kosovës, qytetarëve dhe shtetit tonë, që të shërbej me devotshmëri, siç kam bërë gjithmonë”.
Kush është Bekim Sejdiu?
Bekim Sejdiu, i lindur në vitin 1974, ka shërbyer si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ndërsa më herët ka pasur një karrierë në diplomaci.
Ai ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Turqi (2008-2012) dhe si Konsull i Përgjithshëm në Nju-Jork (2012-2014) . Para se të caktohej Ambasador, gjyqtari Sejdiu ka shërbyer si këshilltar politik në Kabinetin e ministrit të parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.
Sejdiu është gjithashtu profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës që nga viti 2002.
Studimet juridike i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka kryer edhe studime pasuniversitare në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Ka doktoruar në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike.
Pasuese e Osmanit, merr dhe bekimet e saj
Vetëm pak minuta pas shpalljes së kandidati për president të Kosovës, Vjosa Osmani e cila mbante këtë post më parë, ka reaguar e lumtur për zgjedhjen e bërë nga Kurti dhe Abdixhik.
“Sot, Kosova ka një emër për Presidentin e Republikës që përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe vizionin që kërkon një përgjegjësi e tillë. Prof. Dr. Bekim Sejdiu. Një profesionist i dëshmuar, një njeri me integritet dhe një figurë që e njeh nga afër shtetin, institucionet dhe sfidat e Kosovës. Për mua, ai është gjithashtu një bashkëpunëtor i dëshmuar, me të cilin kam pasur nderin të bashkëpunoj për 25 vite, përfshirë në kabinetin tim gjatë mandatit tim si Presidente, si dhe ta njoh nga afër përkushtimin, karakterin dhe përgjegjësinë e tij.
Në fund, vendimi i takon përfaqësuesve të zgjedhur të Republikës dhe përgjegjësia për këtë vendim është historike. Ta bëjmë këtë zgjedhje duke menduar për Kosovën që duam të ndërtojmë, për interesin shtetëror, për stabilitetin institucional, për fuqizimin e aleancës euroatlantike e për demokracinë. Na priftë e mbara, për Republikën mbi të gjitha!” shkruan Osmani në reagimin e saj.










