Restaurohet Shtëpia e familjes Koroglu, një dëshmi e rrallë e arkitekturës tradicionale në Mitrovicë
4 September, 2026 - 15:20
Shtëpia e familjes Koroglu në Mitrovicë, një prej dëshmive të rralla të arkitekturës tradicionale të qytetit, është restauruar dhe rikthyer si pjesë e trashëgimisë kulturore.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, e cila ka vizituar këtë objekt të trashëgimisë në Mitrovicë.
Shtëpia, e cila në të kaluarën ishte dëmtuar rëndë nga zjarri, tashmë është restauruar, duke ruajtur vlerat e saj si një nga gjurmët e arkitekturës tradicionale të qytetit.
Bogujevci theksoi rëndësinë e mbrojtjes së objekteve të tilla, duke e cilësuar ruajtjen e trashëgimisë kulturore jo vetëm si një mënyrë për të mbrojtur të kaluarën, por edhe si investim në identitetin dhe të ardhmen e qyteteve.
“Mbrojtja e trashëgimisë kulturore nuk është vetëm ruajtje e së kaluarës. Është investim në identitetin dhe të ardhmen e qyteteve tona“, u shpreh ajo.
Restaurimi i Shtëpisë së familjes Koroglu përbën një tjetër hap në ruajtjen e gjurmëve të arkitekturës tradicionale të Mitrovicës dhe në rikthimin e objekteve me vlerë historike e kulturore në jetën e qytetit./KultPlus.com


