Sot nis Hardh Fest 2026, tri ditë festë e rrushit dhe verës në Rahovec

4 September, 2026 - 11:23

Sot, e premte, 4 shtator, në Rahovec nis edicioni i sivjetëm i Hardh Fest, festivali më i madh i vjeljes së rrushit në Kosovë, i cili do të zgjasë deri të dielën, më 6 shtator.

Festivali hapet në orën 11:00 me Karnavalin e Vreshtarëve, parakalimin tradicional të vreshtarëve dhe mekanizmave bujqësorë nëpër qytet, i ndjekur nga prerja ceremoniale e kalaveshit të parë të rrushit, që shënon fillimin zyrtar të vjeljes në Rahovec.

Po sot hapet edhe Hardh Panairi, ku prodhues nga e gjithë Kosova do të prezantojnë rrushin, verën, rakinë dhe produktet gastronomike. Programi vazhdon me garat tradicionale të vjeljes së rrushit, „Hardh Cut“, si dhe garën „Vrapo me Ven’“.

Programi artistik i natës së parë nis me Mjeshtrin e Madh Vendim Kapaj dhe ISO Polifoninë, ndërsa në skenë do të ngjitet edhe grupi legjendar Modern Talking me Thomas Anders & Band, të cilët performojnë për herë të parë në Kosovë. Nata do të plotësohet me Vedat Ademin dhe DJ 029.

Të shtunën, më 5 shtator, në skenën e Hardh Fest do të performojnë Naser Berisha, Tuna, Era Istrefi dhe DJ Maarvel. Të dielën, më 6 shtator, festivali mbyllet me Endri & Stefi Priftin, Anxhela Peristerin, Xhensila Myrtezajn dhe DJ Enndzin.

Gjatë tri ditëve, vizitorët do të mund të marrin pjesë edhe në „Hardh Tour“, turin e udhëhequr nëpër vreshta dhe nëpër trashëgiminë kulturore të Rahovecit, i cili zhvillohet të shtunën dhe të dielën nga ora 17:00. Programi përfshin edhe garat „Hardh Sprint“ dhe „Hardh Eks“, aktivitetet për fëmijë „Hardh Kids“, si dhe „Hardh Expo“.

Nikoqir i edicionit të vitit 2026 është futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova, i lindur në Krushë të Madhe, ndërsa Ambasador Nderi i Hardh Fest është Antonio Pomillo, kryetar i Komunës së Vaccarizzo Albanese (Vakarici), fshat arbëresh në Kalabri.

Hardh Fest ndër vite është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe turistike në Kosovë, duke tërhequr vizitorë nga vendi, rajoni, diaspora dhe vende të ndryshme të botës, si dhe duke promovuar Rahovecin si një nga qendrat kryesore të verës dhe mikpritjes.

Hardh Fest 2026, me sloganin „Për kokërr t’qefit“, mbahet nën patronatin e kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Bankës për Biznes – sponsor gjeneral, dhe sponsorëve të tjerë./KultPlus.com

Të ngjashme