Prej orësh në udhëtim shqiptarë nga Gjermania, Anglia, Franca, Austria e vende të tjera evropiane marshuan sot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë në ditën e 21-të të protestës.
“Ne jemi ata që sakrifikuam çdo gjë për familjet tona që të mbijetojnë në këtë vend që ju i harruat”, ishte mesazhi i tyre i shpalosur në një banderolë të madhe që përshkonte mes për mes bulevardin ndërsa brohoritjet e tyre ushtonin për një “Shqipëri të Re”.
Elton Papa nga Berati ka 26 vite në emigrim. Ai tha për Citizens.al se ajo çfarë e shqetëson është korrupsioni i lartë në Shqipëri.
“Nuk mundem më jashtë duhet të kthehem në vendin tim, dua të rregullohet vendi im. Mjaft më! Të kthehen kalamajtë e mi këtu. Nuk dua as post, asnjë gjë. Do të punoj vetë. Dua drejtësi, nuk dua korrupsion. Kaq!” u shpreh ai, ndërsa qëndronte pas banderolës së diasporës.
Njëjtë si Elton edhe Miri Leçini, nga Kavaja ka emigruar jashtë vendit prej vitit 1995, duke mos gjetur asnjë arsye për tu kthyer në Shqipëri.
“22 vite në Greqi. Nga Greqia se nuk u bë vendi im kurrë emigrova në Gjermani. Nuk dua që rinia të largohet nga këtu, të heqë atë që kemi hequr ne, të ikin nëpër male e nëpër gomone. Prandaj uroj që të shkulet me rrënjë e me dhëmballë ky sistem”, tha Miri Leçini për Citizens.al.
Thirrjet “Diaspora është këtu” kumbuan mes mijëra qytetarëve të cilët zhurmuan sheshet dhe bulevardin këtë të shtunë, ndërsa pankartat me mesazhe drejtuar qeverisë shqiptare ishin të shumta.
“Pankarta është se atdheun nuk e kemi në shitje, nuk e falim, nuk e japim me qira, nuk e nxjerrim as në Pazar. Dhe unë i kërkoj djalit tim, ia le amanet që ta mbrojë dhe ky më ka dhëne besën që do ta mbrojë deri në vdekje”, u shpreh një nga qytetarët e pranishëm.
Sipas tij, arsyeja pse ka dalë të protestojë është për të larguar këtë kasë politike.
“Prej 36 vitesh na vjedhin, na rrahin, na burgosin, na detyrojnë të ikim nga vendi dhe presin që ne të lodhemi. Këta nuk janë lodhur gjithë këto vite duke na vjedhur. Ne do të qëndrojmë këtu derisa t’jua marrim edhe qindarkën e fundit që i kanë vjedhur këtij populli”, u shpreh qytetari protestues.
Një tjetër qytetar i ardhur nga Birmingami në Mbretërinë e Bashkuar tha për Citizens.al se ka ardhur të shesh për të protestuar për një jetë më të mirë.
“Shpresojmë që ajo jetë më e mirë të bëhet këtu në vendin tonë. Të ndërrojë kjo qeveri që ka kaq vjet që e ka bërë si pronë private Shqipërinë dhe të na vijë një më e mirë”, deklaroi ai.
Për Nadir Hotin, një tjetër qytetar protestues në shesh, Zvërneci ishte vetëm pika që mbushi kupën dhe e derdhi.
“Mendoj që ka ardhur momenti ti themi mjaft kësaj, ka ardhur momenti që 36 vjet mjaftojnë, mashtrime dhe vjedhje. Ka ardhur koha për një Shqipëri të re, për një politikë të pastë. Mendoj që Evropën mund ta bëjmë këtu vetë”, deklaroi Hoti për Citizens.al
Ndërsa janë bërë tre jave prej nisjes së protestës sheshi vijon të mbushet, duke shënuar këtë të shtunë pjesëmarrjen më të madhe për shkak edhe të pjesëmarrjes së diasporës.
Për mjekun Ermal Pashaj, pjesa më e madhe e diasporës që sot janë në shesh nuk kanë gjetur zgjidhje mjekësore në Shqipëri.
“Edhe kolegët nëpër spitale thonë që ku është qeveria më e mirë edhe shërbimi është më i mirë. Jo more jo. Shqipëria është lule dhe atë po nuk e bëmë ne nga këtu brenda nuk ka për të na e sjellë njeri as ndonjë pelikan dhe as ndonjë shqiponjë që do të fluturojë nga lart. Ne jemi shqiponjat e këtij vendi. Ne duhet ta bëjmë këtë vend”, u shpreh mjeku Ermal Pashaj.
Paraditen e së shtunës, para socialistëve Rama u shpreh se nuk do të japë dorëheqjen, e cila sipas tij do të ishte rruga më e lehtë. Ai u shpreh se kontratën e ka me popullin që i dha 83 mandate 1 vit më parë, me destinacionin për ta çuar vendin në BE.
“Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një grup udhëheqës nuk i jepet zhurmës dhe sa më shumë zhurma zmadhohet, aq më shumë një grup udhëheqës forcon identitetin e vet, duke bashkuar të gjithë në emër të destinacionit. S’jemi për të fituar numrin e klikimeve të ditës, por Shqipërinë në BE”, tha Rama.
Sipas tij protestën po e sponsorizojnë faktorë të shumtë për të fituar klikime.
Sipas tij, Narta dhe Zvërneci u kthyen në vëmendjen e botës jo për shkak të çështjes mjedisore, por sepse protesta u lidh me emrin e Jared Kushner dhe me hijen e vjehrrit të tij, presidentit amerikan Donald Trump.
Tërheqja zvarrë e protestuesve në Zvërnec nga forcat e sigurisë private, ndërkohë që Policia e Shtetit ishte e pranishme në protestën e 30 majit, ka nxjerrë në shesh prej tre javësh qytetarët. Ajo që nisi si protestë për zonat e mbrojtura, tanimë është kthyer në një protestë mbarëkombëtare, për ndryshim të sistemit qeverisës dhe dorëheqje të kryeministrit Edi Rama.
Lexo gjithashtu:


Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).








